Tregtia me jashtë nuk u ndërpre as gjatë kësoj kohe pandemie. Nga një vëzhgim i “Faktoje”, referuar shifrave të INSTAT për muajin mars, rezulton se gjatë periudhës së karantinës Shqipëria ka importuar më shumë fruta, ndërsa për disa produkte eksportet janë rritur. Megjithatë krahasimi i shifrave mes marsit 2019 me marsin e 2020 por edhe shkurtin tregojnë se edhe tregtia e jashtme nuk i shpëtoi ndikimit negativ të pandemisë.
—————————————————————————————————————————————-
“Kemi garantuar lëvizjen e mauneve. Asnjë ditë nuk kemi pasur asnjë bllokim të produkteve bujqësore. Ndoshta ka qenë sektori që nuk është cënuar në atë mënyrë që janë cënuar sektrorë të tjerë të ekonomisë”, u shpreh ministri i Bujqësisë Çuçi për RTSH në 17 prill.
Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi të premten në 17 prill të dhënat e tregtisë së jashtme të Shqipërisë, ndër to edhe për produktet bujqësore.
Si total, në Mars 2020 eksportet e mallrave u ulën me 36,2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Importet e mallrave u ulën me 25,4 %, në krahasim me një vit më parë.
Ndërkaq, po t’i referohemi zërave të veçantë vëmë re rritje të importit të disa produkteve bujqësore.
Frutat
Sipas INSTAT, për muajin mars janë rritur importet e frutave në krahasim me marsin e vitit të shkuar por edhe me shkurtin e këtij viti.
Kjo shifër sipas ekspertit Alban Zusi lidhet me orientimin e blerësve për konsumimin e sa më shumë frutave, vecanërisht agrumeve për të marrë vitaminat e duhura në këtë periudhë pandemie, sipas rekomandimit të mjekëve.
Ai shtoi se rrjetet e supermarketeve në Shqipëri përgjithësisht marrin produktet bujqësore të importit.
Sa i përket eksporteve të frutave, ato kanë rënë në krahasim me marsin e 2019 dhe shkurtin e këtij viti.
Zarzavatet
Importet e zarzavateve në Shqipëri për muajin mars janë ulur në krahasim me marsin 2019, por kanë shënuar rritje në krahasim e shkurtin e këtij viti kur COVID-19 nuk ishte identifikuar ende.
Po të shohim eksportet vemë re se në mars të vitit 2019 Shqipëria ka eksportuar afro 600 milionë lekë zarzavate, ndërsa për muajin mars të vitit 2020 është 696.
Sipas ekspertit Zusi, rritja e eksportit të zarzavateve lidhet me bllokimin e fuqisë puntore të bujqësisë të disa vendeve të Europës për shkak të koronavirusit.
Produktet e bulmetit
Sipas të dhënave të INSTAT, importet e produkteve të bulmetit, vezëve dhe mjaltit kanë shënuar rritje si në peshë ashtu edhe në vlerë monetare. Rritje ka edhe në krahasim me muajin shkurt.
Ndërkaq edhe eksportet e këtyre produkteve kanë shënuar rritje.
Mishi
Sa i përket tregtisë së mishit, importi ka rënë gjatë marsit në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s, por edhe me shkurtin e këtij viti.
Eksportet shqiptare të mishit janë zeruar duke nisur që prej muajit shkurt dhe në mars.
Eksperti Zusi, njëkohësisht edhe eksportues mishi dhe të nënprodukteve tha se problem këtë periudhë ka qenë bllokimi i mauneve si pasojë e koronavirusit.
Drithërat
Sipas të dhënave zyrtare, importet e drithërave janë rritur dyfish në mars të 2020.
Eksportet e drithërave janë rritur po ashtu nëse e krahasojmë me shkurtin dhe marsin e vitit të shkuar.
Si përfundim, mund të themi se rritje importesh për muajin mars patën frutat, zarzavatet (nëse e krahasojmë me shkurtin), bulmeti dhe drithërat.