BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëArif Tafani: Legjenda e ujit të pijshëm do të marrë fund në Belsh

Arif Tafani: Legjenda e ujit të pijshëm do të marrë fund në Belsh

“Legjenda e ujit të pijshëm do të marrë fund në Belsh”, premtoi kandidati i Partisë Socialiste, aktualisht kryetar i Bashkisë Belsh, Arif Tafani gjatë fushatës elektorale në vitin 2015. Pesë vite më pas, furnizimi me ujë në Bashkinë Belsh ka njohur përmirësime të ndjeshme, megjithatë në disa fshatra banorët thonë se oraret janë ende të kufizuara.


“Problemi kryesor është legjenda e ujit, furnizimi me ujë të pijshëm i popullatës. Ujësjellësi i ndërtuar në 1988 është në gjendje tejet të amortizuar dhe ka lidhje apo ndërhyrje të paligjshme. Zgjidhja përfundimtare është rikonstruksioni i plotë i ujësjellësit, projekti i të cilit është gati, me një vlerë totale 18 milionë euro, zbatimi i të cilit do të zgjidhë njëherë e mirë legjendën e ujit të pijshëm të zonës sëDumresë” – deklaroi në një intervistë për “ Birn ”, Arif Tafani, kryetar i Bashkisë Belsh.

Referuar të dhënave nga Enti Rregullator i Ujit në raportin e vitit 2016, koha mesatare e furnizimit me ujë të pijshëm në Belsh ishte më pak se dy orë në ditë.

Më 24 tetor, “Faktoje” me një kërkesë për informacion pyeti në Bashkinë Belsh lidhur me investimet dhe furnizimin me ujë të pijshëm në qytet dhe fshat.

Kërkesë për informacion drejtuar Bashkisë Belsh

Bashkia Belsh konfirmon një investim me vlerë 18 milionë euro me qëllim realizimin e “Projektit të Ujësjellësit Rajonal të Dumresë”.

Përgjigje nga Bashkia Belsh

“Koha mesatare e furnizimit është 8 orë në ditë për fshatin dhe 10 orë për qytetin, 7 fshatra furnizohen me 24 orë ujë në ditë. Nuk ka fshat që nuk ka rrjet” – thuhet në përgjigjen e Bashkisë Belsh.

Bashkëngjitur me përgjigjen, Bashkia Belsh jep edhe të dhënat se si ka ndryshuar koha e furnizimit me ujë të pijshëm në harkun kohor 2016-2019.

Përgjigje nga Bashkia Belsh

“Faktoje”, ishte dhe në stacionin e ujësjellësit të Belshit në fshatin Çepë.

Ujësjellës Kanalizime Belsh në fshatin Çerpë, Belsh

“Sh.a.UK Belsh administron një rrjet ujësjellësi prej 108 km nga i cili 54 km rrjet kryesor dhe 54 km rrjet shpërndarës. Shoqëria ofron shërbimin e furnizimit me ujë të pijshëm për 27.2 mijë banorë dhe ka të regjistruar 7,000 klientë nga të cilët 6,300 klientë janë të paisur me matës konsumi. Shoqëria zbaton një program të rregullt pune për dedektimin e humbjeve të ujit. Nëpërmjet 4 sistemeve me ngritje mekanike prodhon mesatarisht 900 mijë m3 ujë në vit, sasi relativisht e mjaftueshme për plotësimin e kërkesave për ujë, brenda juridiksionit të saj. I gjithë volumi i ujit të prodhuar vlerësohet 100 për qind” – iu komunikua “Faktojes” nga UKB.

Nga Ujësjellës Kanalizime Belsh na u komunikua gjithashtu se projekti pritet të përfundojë brenda vitit 2021 duke garantuar 24 orë ujë për qytetin dhe për 36 fshatrat.

Ujësjellës Kanalizime Belsh në fshatin Çerpë, Belsh

“Faktoje” ishte edhe në fshatrat Seferan dhe Hardhi.

“Siç ka qenë nuk është. Tani me orar e kemi, ka shkëputje në orare të ndryshme të ditës. Ne përdorim edhe depozita që kur ikën uji të kemi të ruajtur. Vjen nga ora 5 e mëngjesit dhe ikën nga ora 7 e pastaj me intervale. Në fakt shumica e banorëve ka puse uji se zona ka qenë shumë problematike me furnizimin me ujë” – i tha “Faktojes”, Vullnet Gjoshi banor në fshatin Seferan.

Fshati Seferan, Belsh

“Ne thuajse të gjithë kemi puse. Këtu nuk ka pasur thuajse fare ujë. Këto vitet e fundit kanë bërë ca investime, por përsëri me orar na vjen uji. Thonë që do bëhet uji 24 orë në ditë, po deri më tani nuk shohim gjë” – i tha “Faktojes”, Bashkim Buzi nga fshati Hardhi i Belshit.

Qendra e Belshit furnizohej me 24 orë ujë në ditë, ndryshe nga zonat periferike të cilat ende furnizoheshin me orar.

“Qyteti, qendra domethënë u bë më shumë se dy vite që ka ujë 24 orë. Ne kemi vuajtur shumë për ujin. Edhe pse zona e Dumresë ka 84 liqene, qyteti para vitit 2018 furnizohej me 1,5 orë në ditë” – i tha “Faktojes”, Ferman Troshka, banor i Belshit.

Premtimin e kryetarit të Bashkisë Belsh, Arif Tafani për zgjidhjen përfundimtare të furnizimit me ujë të pijshëm do ta kategorizojmë si premtim gjysmë të mbajtur, pasi ende në shumicën e zonave në Belsh, pavarësisht shtimit të orareve, nuk mund të flitet për zgjidhje përfundimtare të ujit të pijshëm.

“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend, dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img