BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëUjrat e zeza në Melçan

Ujrat e zeza në Melçan

Në fushatën elektorale të 14 majit, kandidati socialist për Bashkinë Korçë, Sotiraq Filo u premtoi banorëve të fshatit Melçan zgjidhje përfundimtare për ujrat e zeza. Sipas Filos, veç ndërtimit të rrjetit, investimi do të shoqërohej me një mini impiant trajtimi. Verifikimet e Faktoje tregojnë se rrjeti i kanalizimeve në Melçan ka përfunduar, por nuk është shtrirë në të gjitha banesat. Ndërsa mini impianti i premtuar nga Filo nuk ekziston.

Esmeralda Topi 

Në kulmin e fushatës elektorale për mandatin e tij të tretë në krye të bashkisë së Korçës, kandidati socialist Sotiraq Filo, u premtoi banorëve të fshatit Melçan zgjidhje përfundimtare për ujërat e zeza. 

‘Në Melçan do të zgjidhet përfundimisht problemi i kanalizimeve të ujërave të ndotura’ – u shpreh Filo më 27 prill 2023. 

Kandidati socialist Sotiraq Filo në Melçan, 27 prill 2023

Këtë premtim, Filo e artikuloi gjatë inspektimit të punimeve të projektit që nisën në kulmin e fushatës së tij elektorale me banorët e Melçanit. 

“Inspektuam punimet për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të ndotura, ku njëkohësisht do të ndërtohet edhe një mini impiant për trajtimin e tyre njësoj si qyteti.”, theksoi Filo në takimin me banorët e fshatit. 

Kandidati socialist Sotiraq Filo me banorë të fshatit Melçan, 27 prill 2023

Projekt elektoral

Punimet për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve në Melçan nisën një muaj përpara zgjedhjeve të 14 majit.  

Sipas të dhënave nga Open Procurement.al, tenderi me procedurë të hapur përfshinte ‘Ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve për ujrat e përdorura në fshatin Turan dhe Melçan’

Fondi limit në dispozicion për këtë projekt ishte 12,233,087 lekë dhe tenderi u mbajt më 13 mars. Në garë morën pjesë nëntë kompani nga të cilat u përzgjodh fituese firma Nika shpk, shpallja e të cilës u bë më 20 prill. Referuar dokumentave, punimet për projektin parashikoheshin të nisnin menjëherë pas lidhjes së kontratës dhe të përfundonin brenda 140 ditëve kalendarike. 

Verifikimet e Faktoje tregojnë se kontrata e punimeve u lidh më 26 prill, ose një ditë përpara inspektimit të zotit Filo në fshatin Melçan, në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 majit. Rastësi apo jo, fakt është që kompania nisi punimet në terren një ditë pas lidhjes së kontratës, që përkoi edhe me vizitën e kandidatit socialist për Korçën në garën elektorale të 14 majit.

Bashkia ‘harron’ mini impiantin

Për të marrë më shumë informacion për projektin në fjalë, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Bashkisë Korçë. 

Kërkesa për informacion, 13 shtator

Sipas këtij institucioni, investimi përfshin rrjetin e brendshëm të shkarkimit të ujërave të përdorura, pikë-lidhjet me objektet, kolektor kryesor dhe mini impiant trajtimi mekanik. 

“Projekti në fshatin Melçan është në përfundim të punimeve. Projekti konkret u realizua midis furnizimit me materiale të FSHZH dhe zbatimit të punimeve nga UKRK SH.A”, shkruhet në përgjigjen e  dërguar nga bashkia për Faktoje më 26 shtator. 

Vetëm vlera e punimeve shkon 8.500.000 lekë. Pjesa e rrjetit të kanalizimeve ka përfunduar.“, sqaron më tej Bashkia e Korçës, e cila nuk jep informacion për mini impiantin e trajtimit të ujrave të zeza që përfshihej në projekt.

Verifikimi në terren

Punimet për kanalizimet e ujerave të ndotura duhet të përfundonin në mes të muajit tetor. Faktoje udhëtoi drejt juglindjes më 26 tetor, për të parë ecurinë e tyre në terren.

Hyrja e fshatit Melçan, 26 tetor 

Të enjten e 26 tetorit, banorët e Melçanit i gjetëm me lopata nëpër duar. Ata po pastronin pirgjet e dheut që kishte lënë kompania pas shtrimit të rrjetit të kanalizimeve. Punimet e rrjetit kishin përfunduar një ditë përpara verifikimit tonë në terren, thuajse 2 javë përtej afatit të parashikuar në kontratë.

Melçan, 26 tetor 

Vasfie Dinellari, 74 vjeç është një nga 400 banorët e mbetur në Melçan të Korçës. Ajo jeton bashkë me familjen në një shtëpi përdhese, buzë rrugës kryesore të fshatit.

Melçan, 26 tetor 

“Lanë pirgjet me dhe’, do t’i heqim vetë, ç’të bëjmë.”, thotë Vasfia, teksa ankohet për gjendjen e rrugës kryesore të fshatit, pas shtrimit të rrjetit të kanalizimeve. 

“Do ankohem, hajde shikojeni rrugën se si e kanë bërë.”

Edhe Gëzim Dinellari, një tjetër pensionist nga fshati Melçan shpreh pakënaqësi për mënyrën se si ështe zbatuar projekti.

“Ja si i laturisin, vjedhin… Ishallah vijnë që të pastrojnë këto pirgjet që kanë lënë dhe ta ndreqin pak rrugën”, thotë ai për Faktoje.

Melçan, 26 tetor 

Banorët na tregojnë se projekti i kanalizimeve të ujrave të zeza mbulon vetëm një pjesë të banesave.  

“Këtu nuk arrinte projekti, se është vendi ters.”, na tregon Gëzimi. 

Rrjeti i kanalizimeve ka lënë pa përfshirë edhe banesat e lagjes së ‘Përtemit’. 

‘Edhe atje lart në kodër, tek lagjja që njihet si përtej fshatit nuk ka arritur projekti. Ata janë me gropa septike, siç ishin.’, shton Gëzimi.

Melçan, 26 tetor 

Projekte propagandistike

Kryetari i Shoqatës së Bashkive, Agron Haxhimali thotë se në parim premtimet e kandidatëve për kryetar bashkie kërkojnë seriozitet dhe racionalitet.

Përndryshe ato mund të kenë implikime të rëndësishme për të ardhmen e qytetit, por dhe integritetin e politikanit që e bën premtimin. Asnjëherë premtuesi nuk duhet të harrojë se ka një sy që e sheh dhe një vesh që e dëgjon.’, shprehet Haxhimali për Faktoje.

Dy elementë të tjerë të rëndësishëm të premtimeve, sipas tij duhet të jenë transparenca dhe përgjegjshmëria.

Kandidatët duhet të jenë transparentë në lidhje me burimet e tyre të financimit dhe planet e tyre për shpenzime.  Është e rëndësishme të sigurohet që paratë të mos përdoren për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.  Kandidatët gjithashtu duhet të mbajnë përgjegjësi për premtimet që bëjnë dhe votuesit duhet të jenë në gjendje t’i mbajnë ata përgjegjës për çdo premtim të paplotësuar.“, argumenton kryetari i Shoqatës së Bashkive.

Në zgjedhjet vendore të 14 majit Sotiraq Filo fitoi mandatin e tretë në krye të Bashkisë së Korçës me 60.46% të votave. Në fshatin Melçan Filo mori 123 vota, kundrejt 87 votave të kandidates demokrate Ledina Aliolli.

Përfundim 

Nisur nga informacionet zyrtare dhe verifikimi në terren, premtimin elektoral të kryebashkiakut të Korçës për ‘zgjidhjen përfundimtare të problemit të kanalizimeve të ujrave të ndotura në Melçan, bashkë me mini impiantin për trajtimin e tyre, do ta kategorizojmë si pjesërisht të mbajtur.  

*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img