BallinaFaktometerE PavërtetëArben Ahmetaj: 2252 biznese janë mbyllur shtatëmujorin e parë të 2018-ës

Arben Ahmetaj: 2252 biznese janë mbyllur shtatëmujorin e parë të 2018-ës

KLEVIS PALOKA

E vërteta e punësimit, bizneseve të reja dhe ecurisë ekonomike!

Qershor 2017- Qershor 2018, janë 38 mijë vende të reja pune në ekonomi.

Në shtatë-mujorin e parë të vitit 2018, janë shtuar mbi 10 mijë biznese të reja  (efekti neto nga diferenca mes bizneseve të reja të regjistruara rishtazi dhe atyre të çregjistruara).

Dhe sa për t’ju kujtuar korbave të dëshpëruar….rritja ekonomike aktualisht është 4.5 herë më e lartë se ajo që gjetëm në 2013, kështu shkruante nëpërmjet një statusi në Facebook, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

Duke u nisur nga fakti se ka pasur shumë deklarata si nga mazhoranca ashtu dhe nga opozita mbi temën e bizneseve, “Faktoje” zgjodhi që të verifikojë shifrat e publikuara nga ministri Ahmetaj mbi bizneset e hapura dhe të mbyllura. Sipas Ahmetajt në shtatëmujorin e parë të vitit 2018-të janë mbyllur 2.252 biznese dhe janë  hapur 12.697 të tilla.

Duke qenë se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Qendra Kombëtare e Biznesit janë institucionet që trajtojnë këto të dhëna, pra lidhur me shifrat se sa biznese hapen dhe mbyllen, “ Faktoje” u dërgoi kërkesa për informacion për t’i pyetur për shifrat e publikuara nga kreu i financave dhe ekonomisë Ahmetaj.

Sipas përgjigjes së DPT-së, për shtatëmujorin e parë të vitit 2018-të janë mbyllur 9.204 biznese dhe janë hapur 15.076 biznese dhe midis tyre ka një diferencë prej 5.874 biznesezh të mbyllura dhe të hapura.

Po ashtu sipas QKB-së, për shtatëmujorin e parë të vitit 2018-të janë mbyllur 7.737 biznese dhe janë hapur 12.527 biznese. Midis tyre ka një diferencë prej 4790 biznesesh të mbyllura dhe të hapura.

Përsa i përket shifrave që nuk përputhen, siç është shpjeguar edhe më parë nga QKB-ja se: Qendra Kombëtare e Biznesit, kryen regjistrimet në regjistrin tregtar, bazuar në aplikimet e kryera nga subjektet që detyrohen të regjistrohen, në përputhje me nenin 22 të ligjit.

Ndërkohë, në nenin 40, të ligjit Nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, në administratën tatimore regjistrohen personat juridikë, fizikë dhe individët e mëposhtëm: personat, “të vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi ambulant”, “kryefamiljari, që punëson persona si punëtorë shtëpie”, si dhe organizatat jo fitimprurëse. Për sa më sipër sqarojmë se, sistemi tatimor është i ndryshëm nga sistemi i regjistrit tregtar”.

Duke u nisur nga fakti se shifrat e publikuara nga Ahmetaj, nuk përputhen me të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe të Qendrës Kombëtare të Biznesit, deklaratën e tij do ta kategorizojmë si GËNJESHTËR.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img