BallinaFaktometerE PavërtetëArbana: 567 banesa individuale të përfunduara në Bashkinë Shijak

Arbana: 567 banesa individuale të përfunduara në Bashkinë Shijak

Kryebashkiaku i Shijakut Elton Arbana ka premtuar afate të njëpasnjëshme për përfundimin e rindërtimit të banesave individuale gjatë këtij viti. Në fillim të marsit ai deklaroi se kanë përfunduar 567 banesa, por nga të dhënat zyrtare të FSHZH, njësia zbatuese e projekteve të rindërtimit dhe nga verifikimi në terren, rezulton  se kjo deklaratë është e pavërtetë.


Më 5 mars, Kryetari i Bashkisë së Shijakut Elton Arbana deklaroi:

“Rezultatet flasin vetë, vetëm në bashkinë e Shijakut kemi plot 567 banesa individuale të përfunduara, banesa të cilët qytetarët e Shijakut i kanë marrë falas.”

Gjatë kësaj kohe, “Faktoje” ka bërë disa verifikime për premtimet e dhëna në kohë të ndryshme gjatë këtij viti për procesin e rindërtimit, përmes vëzhgimit në terren dhe informacioneve zyrtare të bashkisë Shijak.

Në fund të muajit shkurt ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Bashkisë Shijak dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit për ecurinë e procesit të rindërtimit të shtëpive individuale.

                Kërkesë për informacion drejtuar Fondit Shqiptar të Zhvillimit, 26 shkurt 2021

FSHZH na dha këtë përgjigje:

                                               Përgjigje e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, 2 mars 2021

“Deri më tani kemi përfunduar 374 banesa në Bashkinë Shijak dhe Kavajë dhe po hartohen dosjet e përfundimit, si dhe kolaudimet për secilën banesë. i gjithë procesi është duke u rishqyrtuar nga ana jonë dhe bashkive përkatëse.

Nga kjo përgjigje rezulton se ndryshe nga sa deklaron kryebashkiaku i Shijakut, numri i banesave të përfunduara nuk është 567 por, më pak se 374, po të marrim parasysh se në këto objekte përfshihen edhe banesat e përfunduara në bashkinë Kavajë.

Ndërkohë, Bashkia Shijak nuk ofroi të dhëna mbi numrin e shtëpive të rindërtuara, pasi i dërguam ishte ende në shqyrtim meqë disa punonjës ishin të prekur nga Covid-19.

                                                                 Përgjigje e Bashkisë Shijak, 10 mars 2021

Pas këtyre përgjigjeve, Faktoje udhëtoi drejt Shijakut për të vëzhguar ecurinë e procesit të rindërtimit. Shumë banesa që hasëm gjatë rrugës, ende nuk kishin përfunduar.

                                                Shtëpi në proces rindërtimi, Xhafzotaj/Shijak, 12 mars 2021

                                       Shtëpi në proces rindërtimi, Xhafzotaj/Shijak, 12 mars 2021

Një punëtor që gjetëm pranë shtëpisë në ndërtim në Xhafzotaj na tha:

“Nuk mund ta them se kur mund të mbarojë, ne i kemi punët e ndara, një ditë mbaroj çfarë kam për të mbaruar këtu pastaj vazhdoj me shtëpinë tjetër, por ka punë, kjo pastaj në varësi të hapsirave që ka secila banesë.”

                                                                Njësia Administrative Gjepalaj, 12 mars 2021

Ne shkuam në njësinë Xhafzotaj ku kërkuam të kontaktonim me administratorit, për të marrë të dhëna zyrtare mbi numrinn e banesave të përfunduara,  por nuk e gjetëm. Më pas iu drejtuam njësisë Gjepalë ku administratori refuzoi të japë të dhëna:

“Ne disponojmë një numër banesash të cilat janë rindërtuar, por nuk mund t’ju jap një përgjigje.”

                                                        Shtëpi në proces përfundimi, Gjepalë, 12 mars 2021

Gjatë verifikimit në terren, edhe një shtëpi e cila pothuajse ishte përfunduar, ende nuk ishte furnizuar me ujë dhe energji elektrike, megjithatë banrja e kësaj shtëpie ishte optimiste.

“Tani po instalojnë hirdosanitaret, derën nga mbrapa, më në fund u bë, jemi të kënaqur, kemi pritur shumë, por në fund doli bukur.”

Nisur nga informacioni i grumbulluar nga FSHZH dhe verifikimi në terren, vendosëm që deklaratën e kryebashkiakut të Shijakut, se janë përfunduar së rindërtuari 567 banesa individuale në këtë bashki, do ta kategorizojmë “Të Pavërtetë”.

Lexo:* Arbana: Brenda 15 janarit do të përfundojnë të gjitha shtëpitë individuale

* Asnjë shtëpi gati për banim në njësinë Gjepalë të Shijakut

* Vetëm 2 banesa të përfunduara në Shijak, nga 50 që premtoi kryebashkiaku Arbana

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img