BallinaTë pambajturaArbana: Brenda 15 janarit do të përfundojnë të gjitha shtëpitë individuale

Arbana: Brenda 15 janarit do të përfundojnë të gjitha shtëpitë individuale

EDIT NIKOLLI

Që prej tërmetit të 26 nëntorit e në vijim, qeveria dhe zyrtarë të pushtetit vendor të zonave të prekura, kanë dhënë afate të njëpasnjëshme për rindërtimin e banesave. Në Shijak, një ndër vendet me dëme të mëdha nga tërmeti, kryebashkiaku  Elton Arbana kishte premtuar se rindërtimi i banesave individuale, do përfundonte brenda 15 janarit. Gjatë verifikimit në terren konstatuam se ky proces është ende larg objektivit të bashkisë.


Më 5 janar kryetari i bashkisë Elton Arban deklaroi se do të përfundonin të gjitha shtëpitë individuale brenda 15 janarit: “Siç patëm premtuar, brenda 15 janarit do t’i përfundojmë të gjitha”.

Statusi i Kryetarit të Bashkisë Shijak

Faktoje, e cila ka ndjekur ne vazhdimësi ecurinë e procesit të rindërtimit, më 22 dhjetor 2020 i kishte dërguar një kërkesë për informacion bashkisë Shijak, ku interesohej se sa shtëpi kishin përfunduar së rindërtuari në gjithë bashkinë Shijak.

Kërkesë për informacion drejtuar Bashkisë Shijak

Bashkia Shijak na dha këtë përgjigje:

Në bashkinë Shijak vijon çdo ditë puna për rindërtimin e banesave individuale të cilat u klasifikuan si të pabanueshme nga termeti i 26 nëntorit 2019. Puna vijon me ritme të shpejta në mënyrë që familjet e dëmtuara të gëzojnë sa më parë shtëpitë e tyre, por vlen të klasifikohet se bashkia Shijak nuk operon si njësi prokurimi, supërvizimi dhe zbatimi. Nisur nga kjo ju informojmë se për afatin përfundimtar të ndërtimit të banesave individuale mund ti referoheni njësisë së prokurimit siç është Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Përgjigje e Bashkisë Shijak

Në këtë përgjigje, nuk jepen shifra, ashtu siç u kërkua nga Faktoje.

Më 15 janar, ne shkuam në Shijak, fillimisht në njësinë administrative Xhafzotaj, ku u interesuam se sa është numri i shtëpive të përfunduara në këtë njësi dhe sa janë në proces përfundimi.

Aty takuam administratorin e njësisë i cili dha këtë përgjigje:

“Në njësinë Xhafzotaj janë në proces 144 shtëpi individuale, nga të cilat 28 janë të përfunduara dhe
2 shtëpi janë në fazën e fundit të përfundimit”.

Më pas shkuam pranë bashkisë Shijak, ku u përpoqëm të flisnim më kryetarin, Elton Arbana, por ai refuzoi të përgjigjej nëse ishte mbajtur premtimi për përfundimin e rindërtimit të banesave individuale brenda 15 janarit.

Për çdo përgjigje duhet t’i drejtoheni Fondit Shqiptar të Zhvillimit.”-u shpreh zoti Arbana.

Në një shkrim të datës 13 tetor 2020, Faktoje ka publikuar një shkresë ku FShZh na informon se afati i përfundimit të 150 banesave individuale në Shijak, është  muaji shkurt i 2021.

Përgjigje e Fondit Shqiptar të Zhvillimit

Nga ana tjetër, krahas vonesave në mosrealizimin e punimeve, sipas parashikimeve dhe premtimeve të pakoordinuara mes institucioneve, procesi i rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, po shoqërohet edhe me mungesën e transaparencës, pasi as titullari dhe as bashkia, nuk japin shifra të sakta se sa shtëpi janë përfunduar së rindërtuari.

Ne shkuan edhe ne terren, për të parë nga afër se çfarë po ndodhte me këtë proces. Shumë banesa që hasëm gjatë rrugës ende nuk kishin përfunduar sipas afatit të paracaktuar nga kryebashkiaku.

                              Shtëpi në proces rindërtimi, Xhafzotaj/Shijak, 15 janar 2021

                           Shtëpi në proces rindërtimi, Xhafzotaj/Shijak, 15 janar 2021

Gjatë rrugës takuam dhe një zonjë e cila tha:

 “Ja kjo shtëpi që po shikoni është e vëllait tim, ka që në tetor që ka filluar, nuk e di se kur do të përfundojë, nuk kanë thënë gjë”.

 Nisur nga informacioni i grumbulluar dhe verifikimi në terren, vendosëm që premtimin e kryebashkiakut Shijak, se brenda 15 janarit 2021 do të përfundonte rindërtimi i banesave individuale, do ta kategorizojmë “Të pambajtur”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img