BallinaFaktometerE PavërtetëLajm i rremë, vaksina Covid-19 nuk shkatërron imunitetin

Lajm i rremë, vaksina Covid-19 nuk shkatërron imunitetin

Një artikull i publikuar nga portali “Patriotik Media” rezulton se ka interpretuar në mënyrë të gabuar grafikët e një studimi shkencor mbi vaksinimin e fëmijëve kundër Covid-19, për të pretenduar se vaksina “shkatërron imunitetin natyror”. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se studimi në fjalë, ka mbështetur, në fakt, konkluzionin e kundërt të lajmit të shpërndarë në rrjet. 

Patris Pustina

Duket se konspiracionistët anti-vaksinim janë të vendosur të keqinterpretojnë çdo studim shkencor që lidhet me Covid-19. Në këtë mënyrë ata jo vetëm po rrezikojnë të turbullojnë perceptimin e publikut mbi vaksinën, por janë duke kontribuar në të njëjtën kohë edhe në ‘analfabetizmin shkencor’ të audiencave. Kështu, artikulli i botuar nga portali “Patriotik Media”, i përkthyer në shqip shabllon nga një artikull i “The Counter Signal”, flet për një studim që “sugjeron se vaksina kundër Covid shkatërron imunitetin natyror.

Studimi, të cilit i referohet artikulli, u botua në revistën shkencore “New England Journal of Medicine” në Shtator 2022. Titulli lë të kuptohet se përfundimet e studimit janë për efektet e vaksinës në përgjithësi, kur në fakt studimi u përqendrua specifikisht tek fëmijët 5-11 vjeç që kishin marrë vaksinën Pfizer-BioNTech gjatë kohës kur varianti Omicron ishte në qarkullim.

Ç’është më e rëndësishme, përfundimet e vetë studimit pohojnë se: “Rezultoi se vaksina BNT162b2 [Pfizer-BioNTech] dhe infektimi i mëparshëm japin imunitet të konsiderueshëm kundër variantit omicron dhe mbrojtje kundër shtrimit në spital dhe vdekjes. Ulja e shpejtë e mbrojtjes kundër infektimit me omicron nga vaksinimi dhe infektimi i mëparshëm mbështet nevojën për vaksinim përforcues [doza të tjera].” 

Në korrespondenca me Associated Press dhe Reuters, autori i parë i studimit, Danyu Lin sqaroi se rezultatet e studimit ishin keqinterpretuar. “Provat që ne kemi paraqitur mbështesin përfundimin se imuniteti natyral përforcohet nga vaksinimi, ndryshe nga pretendimi se ai shkatërrohet nga vaksinimi,” tha Lin.

Studimi i Dr. Lin e çon shqetësimin e imunitetit një hap më tej,” ngre alarmin artikulli i Patriotik Media, “Imuniteti për fëmijët e vaksinuar nuk është vetëm 0% pas gjashtë muajsh, por kalon në territorin e efikasiteti negativ (Grafiku A, B).”

Grafikët mbi të cilët mbështetet artikulli anti-vaksinim për të pretenduar se vaksinat “shkatërrojnë imunitetin” janë keqinterpretuar”, shtoi Lin. 

Vijat që tregojnë efektivitetin e vaksinës me kalimin e kohës zgjaten përposhtë boshtit X. kjo është interpretuar nga artikulli keqinformues si rënie e imunitetit natyral. Ky interpretim është i gabuar, sepse boshti Y tregon vetëm efikasitetin e vaksinës kundër infeksionit, jo ‘imunitetin’, një koncept shumë i gjerë dhe jo lehtë i matshëm. Për më tepër, Lin shpjegoi për Reuters se vazhdimi i këtyre vijave përtej limiteve të grafikut është thjesht një teknikë ilustrative për të treguar më qartë trajektoren e përgjithshme. Në asnjë rast, ato nuk tregojnë se efikasiteti i vaksinës merr vlera negative.

Ky lajm mund të klasifikohet pa frikë si i rremë. Për më tepër, në vazhdën e një mori lajmesh të tjera konspiracioniste kundër vaksinimit, ky lajm mund të klasifikohet edhe si i dëmshëm për shëndetin e atyre personave që do të bindë se vaksinat anti-Covid janë të dëmshme, duke i privuar kështu nga një masë e rëndësishme mbrojtjeje nga një sëmundje shumë ngjitëse dhe potencialisht vdekjeprurëse. 

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img