BallinaFaktometerGjysmë e vërtetë11 miliardë lekë për ujësjellësat në 21 bashki, por asnjëra me 24 orë ujë

11 miliardë lekë për ujësjellësat në 21 bashki, por asnjëra me 24 orë ujë

INVA HASANALIAJ

Premtimi për furnizim me 24 orë ujë të pijshëm, përsëritet rregullisht në fushata dhe takime të të zgjedhurve, kandidatëve dhe ministrave edhe sot e kësaj dite. “Faktoje” krahasoi të dhënat zyrtarë të bashkive, që  iu pergjigjen kërkesës për informacion me situatën në terren në disa zona dhe konstatoi se oraret e furnizimit me ujë në realitet janë më pak sesa raportojnë institucionet. Me 24 orë ujë rezultojnë 5 bashki, por jo përgjatë gjithë vitit ndërsa bashkia e Kamzës tërheq vëmendjen për furnizim vetëm me 4 orë ujë ndërkohë që vetëm në 2016-n janë investuar 1.4 miliardë lekë
……………………………………………………………………………………………………………………………….

Në kuadër të Javës Kombëtare të Ujit në Shqipëri, në 8 nëntor 2019, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ishte në shkollën “E Kuqe” në Tiranë, ku bisedoi me nxënësit rreth vlerave të ujit.

“Ne sot jemi duke investuar shumë në këtë pjesë që t’i ofrojmë të gjithë banorëve të Shqipërisë, kudo që ata jetojnë, si në zonat rurale ashtu dhe në qytete, sepse nganjëherë edhe qytetet i kanë linjat e amortizuara dhe të vjetra, ujë të pijshëm 24 orë pasi, siç ju e dini uji i pijshëm është një e drejtë e çdo qytetari””- tha ministrja Balluku.

Nisur nga kjo deklaratë “Faktoje” kërkoi nga 61 bashki të vendit informacion mbi investimet e  fundit në rrjetin e furnizimit me ujë dhe sa orë ujë në ditë kanë qytetarët e secilës bashki.  “Faktojes”  i kthyen përgjigje 25 prej tyre, 33 të tjera refuzuan të japin informacion siç i detyron ligj për të drejtën e informimit, ndërsa  bashkitë Fier, Gjirokastër, Gramsh dhe Fushë Arrëz nuk kishin asnjë kontakt zyrtar në platformën “Pyet shtetin” 

Nga informacioni zyrtar  që morëm nga 25 Bashkitë për orarin e furnizimit me ujë, rezultoi se  vetëm pesë prej tyre furnizohen me 24 orë pa ndërprerje. 

Por sa është vlera e investimeve për përmirësimin e rrjetit të ujësjellësit në këto bashki?

Sipas informacioneve zyrtare rezulton se  në 10 vitet e fundit janë investuar saktësisht 11. 613,878,259 për të përmirësuar rrjetin e ujësjellësit në 20 bashki të vendit, përfshirë edhe Tiranën.

Por si qëndron raporti i investimeve me oraret e furnizimit? 

Në rastin e Pogradecit dhe Lezhës furnizimi me ujë të pijshëm, sipas përgjigjes zyrtare të bashkive respektive bëhet 24 orë pa ndërprerje, por e kundërta ndodh me Bashkinë e Kamzës e cila furnizohet me vetëm 4 orë ujë në ditë edhe pse vlera e investimit të kryer nga KFW është më shumë se 1,448,046,489 miliardë lek për vitin 2016.

“Faktoje” shkoi në terren për të verifikuar nëse oraret e furnizimit me ujë sipas bashkive përkojnë me atë çfarë marrin qytetarët dhe konstatuam se të dhënat zyrrtare nuk përputhen me ato që deklarojnë banorët e zonave përkatëse.

Ne shkuam në Shkodër ku qytetarë të ndryshëm thanë se furnizimi me ujë nuk ndodh gjithmonë 24 orë pasi gjatë verës ka mungesë duke shkurtuar orarin me tre ose katër orë. 

M.K 45  vjeçe u shpreh “Gjatë verës kemi më shumë problem, kemi ujë gjatë paradites por ndërpritet pasdite, atëherë kur kthehemi nga puna dhe uji na nevojitet më shumë.”

Një tjetër qytetare që jeton në apartament, na tregoi: 

 “Në verë bëhet e padurueshme mungesa, unë jam në pallat dhe detyrohem ta blej ujin por fqinjët e mi që jetojnë në shtëpi përdhese kanë shpuar puse , nuk ka zgjidhje tjetër”

Ne shkuam edhe në Pogradec, ku edhe aty mungesa edhe pse jo e theksuar ndihej gjatë verës. R.T 52 vjeç thotë për Faktoje “Vetëm në verë kemi mungesë me 2 orë por jo më shumë”

Në qytetin e Vlorës gjithashtu shumë qytetarë u shprehën se orari i furnizimit me ujë nuk është 13 orë siç deklaron bashkia dhe sezoni i verës, kur është edhe piku i turizmit ka kufizime të theksuara të ujit.

 S.K shtëpiake 46 vjeçe u shpreh se gjatë verës ndodh që uji të vijë vetëm 2 ose 3 orë në ditë. “ Nuk është e vërtetë që uji vjen 13 orë në ditë , as në dimër nuk kemi aq ujë, të paktën në lagjen “Lirimi” ku jetoj unë. Në verë pastaj bëhet më keq, uji vjen vetëm 2 ose 3 orë në ditë”

Për bashkinë e Tiranës, më e madhja në vend, vetëm për vitin 2019-2020 janë investuar mbi 532 milionë lekë të reja për përmisimin e rrjetit, megjithatë bazuar në të dhënat e UKT, kryeqyteti  furnizohet me 13 orë ujë në ditë.  

D.T 26 vjeç thotë për “Faktoje”:

 “Në zonën e rrugës së Ebasanit aktualisht kemi vetëm 4.5 orë ujë në ditë, uji mungon në oraret më të nevojshme zakonisht në mëngjes dhe nga pasditja kur ikim ose kthehemi nga puna”

Ka bashki në të cilat nuk është investuar për rrjetin e ujësjellësit vitet e fundit si Hasi, Klosi dhe  Shijaku. Këto 3 bashki në përgjigjet e tyre shkruajnë se nuk ka investime të bëra së fundmi gjë që reflektohet edhe në oraret e  furnizimit me ujë.

Po ashtu edhe bashkia Has nuk kishte asnjë investim vitet e fundit


Bashkia Delvinë tha për “Faktoje” se kanë pasur investime, por nuk tregon sesa është vlera e tyre.


Disa orë përpara publikimit të këtij artikulli “Faktoje” bëri një anketim në faqen zyrtare të Facebook ku informoi lexuesit për vlerën totale të investimeve në 25 bashkitë që janë përgjigjur. Lexuesit u pyetën nëse furnizohen apo jo me ujë 24 orë. 82% u përgjigjën jo ndërsa 18% furnizoheshin rregullisht.


Nga verifikimi në terren që “Faktoje” bëri në disa bashki, duke marrë parasysh investimet e viteve të fundit për ujësjellësat dhe të dhënat zyrtare të bashkive,  vendosëm që deklaratën e ministres Balluku ta kategorizojmë si Gjysmë të Vërtetë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img