BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëAlbana Vokshi: Prej tre ditësh në QSUT nuk bëhen analiza

Albana Vokshi: Prej tre ditësh në QSUT nuk bëhen analiza

MERXHAN DACI

Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi u shpreh në Facebook se prej tre ditësh në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”  nuk kryhen analiza pasi ka mungesa të tubave.

Ka tre ditë që nuk bëhen analiza në QSUT. Nuk ka tuba. Po pacientët?”, shkruante me 19 prill Vokshi.

E pyetur nga “Faktoje”, Vokshi u shpreh se e kishtë bërë këtë deklaratë pas shqetësimit të një mjekeje që e kishte kontaktuar.

Ndërkaq sipas burimeve zyrtare në QSUT, në këtë institucion shëndetësor kryhen të gjitha analizat.

Për të gjithë pacientët e shtruar në spital analizat kryhen. Për pacientët ambulatorë analizat kryhen në poliklinikat e lagjeve afër qendrave të banimit. Për pacientët e shtruar analizat kryhen të gjitha”, u shpreh për “Faktoje” Alvi Bajramaj, përgjegjës i zyrës së  Marrëdhënieve me Publikun në QSUT.

“Faktoje” pyeti posaçërisht laboratorin e analizave që konfirmoi se analizat vazhdonin të kryheshin normalisht përveç në ditët e pushimit.

Dy laborante në QSUT thanë për “Faktoje” po ashtu se analizat vazhdojnë të kryhen të gjitha.

Por, Anyla Bulo, Shefe e Shërbimit të Laboratorit Biokimik Klinik në QSUT në 24 prill tha për Top Channel se në fakt 10% e analizave totale nuk kryhen për shkak të mungesës së reagentëve.

Mungojnë rreth 10%, që i takojnë kryesisht analizave jo të rutinës, analizave hormonale të disa testeve të tiroides e kështu me radhë. Analizat e rutinës dhe urgjencës kryhen të gjitha. Shpresojmë që të marrim furnizime të shpejta dhe ti realizojmë sepse të sëmurët kanë nevojë për to”, tha ajo.

Mbi bazën e të dhënave të paraqitura në këtë shkrim, gjykojmë se burimet spitalore me të cilat kontaktuam për të verifikuar këtë deklaratë, janë jo në një linjë për të njëjtën çështje, meqënëse tre prej tyre konfirmojnë se analizat laboratorike kryhen në QSUT, ndërsa shefja e laboratorit deklaron se një përqindje e analizave nuk kryhet.

Duke u nisur nga këto të dhëna, “Faktoje” e konsideron këtë deklaratë të Vokshit si GJYSMË TË VËRTETË meqënëse ajo nënkuptoi moskryerjen totale të analizave nëse marrim fjalë për fjalë statusin e saj në Facebook.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img