BallinaFaktometerPa kategoriBonusi për të pastrehët nga tërmeti dhe sfida për një shtëpi ku të fusin kokën

Bonusi për të pastrehët nga tërmeti dhe sfida për një shtëpi ku të fusin kokën

JOEL ÇELA & INVA HASANALIAJ

Si po shkon procesi i ndarjes së bonusit të qerasë për të pastrehët nga tërmeti? A kanë arritur të prekurit të sistemohen nëpër shtëpi pas dhënies së kësaj pagese? Faktoje verifikoi në terren dy prej zonave më të prekura nga tërmeti, Durrësin dhe lagjen Kombinat në Tiranë, ku sfidat e banorëve janë, burokracitë me çertifikimin e banesës dhe gjetja e një shtëpie me aq lekë sa u ka caktuar shteti.

……………………………………………………………………………………………………………………………….

Më datë 3 dhjetor, pas përfundimit të mbledhjes së jashtëzakonshme të qeverisë, kryeministri Rama në një postim në Facebook shkruante:

“Dhjetor – Janar ecim me:
Bonus qeraje për të gjithë të prekurit nga tërmeti në zonat urbane”.

Ne shkuam në qytetin e Durrësit, ndër zonat që pësuan më shumë dëmtime, për të verifikuar situatën në terren. Qytetarë që ndodheshin në zyrën ku bëhet regjistrimi i dokumentacionit për marrjen e bonusit na thanë se kishin ditë të tëra që prisnin për ta marrë, për shkak të burokracive.

M.N. 45 vjeçe tha se i ishte kërkuar vërtetimi i inspektimit të banesës për herën e tretë pasi inspektimi i parë nuk ishte i vlefshëm. Gjatë kësaj kohe asaj dhe familjes i është dashur të qëndrojë në shtëpitë e të afërmve deri në pajisjen me këtë dokument.

Qytetarë të tjerë thanë se vlera e bonusit që jep bashkia është e pamjaftueshme për pagesën e qerasë, e cila u rrit pas tërmetit të 26 nëntorit.

“Faktoje” kontaktoi znj. Emiriana Sako, Drejtoreshë e Shërbimeve dhe Punëve Publike pranë kësaj Bashkie. Sipas saj deri më datë 5 shkurt 2020 në Bashkinë e Durrësit kanë aplikuar 5094 familje.

Për bashkinë e Durrësit, siç konfirmon edhe drejtuesja e punëve publike, Emirjana Sako bonusi i qirasë është përcaktuar në 3 vlera:

1. Apartamenti me strukturë 1+1 përfiton bonusin e qerasë në vlerën 20.000 lekë, për familjet me 1-3 anëtarë
2. Apatamenti me strukturë 2+1 përfiton bonusin e qerasë në vlerën 25.000 lekë, për familjet me 4-5 anëtarë
3. Apartamenti me strukturë 3+1 përfiton bonusin e qerasë në vlerën 30.000 lekë, për familjet me mbi 6 anëtarë

“Faktoje” u interesua edhe për procesin e bonusit të qerasë për Tiranën, ku lagjja “Kombinat” pësoi dëme të shumta në banesa nga tërmeti.

Të gjithë banorët me të cilët biseduam e kishin marrë bonusin e qerasë, por ashtu si në Durrës, edhe për ta shuma ishte e pamjaftueshme po t’i krahasosh me çmimet që ofron tregu sot. Një banore e Kominatit që ka përfituar bonus qeraje prej 18 mijë lekësh tha se i është dashur të shtojë edhe 12 000 mije lekë për të paguar qiranë. Ajo dhe i shoqi nuk kishin gjetur shtëpi me qira më lirë se 30 000 lekë.

Ne shkuam gjithashtu në zonën te Fabrika e Qelqit, ku u përballëm me dy realitete të ndryshme. Qytetarët e një prej pallateve të dëmtuara thanë se kanë pasur një inspektim, por nuk u është dhënë ndonjë dokument nëse pallati është ose jo i banueshëm. Ndërkohë ata qëndrojnë në apartamentet e tyre pavarësisht rrezikut të shembjes. 

Në hyrjen e një tjetër pallati, aty pranë është vendosur njoftimi i Institutit të Ndërtimit se ndërtesa përbën rrezik shembjeje. Por edhe aty vijojnë të qëndrojnë disa familje. Kur i pyetëm banorët, përse nuk largohen ata na treguan se me aq para sa u takon me bonusin e qerasë nuk mund të gjejnë një shtëpi.

Përfaqësues nga Njësia Administrative nr. 6 thanë për “Faktoje” se kur është llogaritur bonusi i qerasë është bërë një mesatare e çmimeve të tregut dhe në përfundim ky bonus është ndarë në tre kategori.

1. Për familjet me 1-3 persona bonusi i qerasë është në vlerën 18000 Lekë.
2. Për familjet me 3-6 persona bonusi i qerasë është në vlerën 22000 Lekë.
3. Për familjet me mbi 6 persona bonusi i qerasë është në vlerën 27000 Lekë.

Në njësinë Administrative nr. 6 sipas konfirmimit zyrtar, nga 1141 familje të dëmtuara, bonusin e qerasë e kanë përfituar 1057 prej tyre. Pavarësisht se këtë pagesë e kanë përfituar thuajse të gjitha familjet në Kombinat, problem mbetet sa i suksesshëm ka qenë strehimi i këtyre familjeve me bonusin e dhënë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img