BallinaAktualitetZonat e Mbrojtura apo të pambrojtura?

Zonat e Mbrojtura apo të pambrojtura?

Ndryshimet në “Ligjin për Zonat e Mbrojtura” i hapin rrugë ndërtimit në këto zona, pasi u jep të drejtën bashkive të menaxhojnë të paktën  20% të territorit të tyre. Nisma u paraqit në Kuvend nga 12 deputetë të mazhorancës, të cilët argumentojnë se projektligji i ri do të ndalë shpopullimin. Mirëpo, ekspertët mjedisorë paralajmërojnë se projektligji zhduk përfundimisht Zonat e Mbrojtura, me Nartën në krye të listës pasuar nga zona të tjera në bregdet, me pasoja shkatërruese për florën dhe faunën.  

Nëpërmjet një projektligji të depozituar në Kuvend në muajin nëntor, firmosur nga 12 deputetë të Partisë Socialiste është kërkuar ndryshimi i Ligjit Nr. 81/2017 “Per zonat e mbrojtura”. Disa nga ndryshimet e propozuara lidhen me kompetencat e bashkive në Zonat e Mbrojtura dhe lejimin e ndërtimeve në këto zona.

Neni 6 i projektiligjit: “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 81/2017 Për zonat e mbrojtura” përcakton: “Në nenin 8, pas pikës 3 shtohet pika 3/1 me permbajtje: “3/1. Në çdo rast, Bashkia përkatëse administron jo më pak se 20% të sipërfaqeve të zonave të mbrojtura që janë në territorin e kësaj bashkie”.

Në propozimin për ndryshimin në nenin 16, ku përfshihen Parqet Kombëtare theksohet se lejohen projekte të miratuara nga KKT, të propozuara nga Ministria e Mjedisit apo bashkitë. 

“Në gërmën ‘c’ të pikës 2 pas togfjalëshit … gazit me shtrirje të gjatë …. shtohet togfjalëshi përveç; projekteve të miratuara nga KKT të propozuara nga Ministritë përgjegjëse ose bashkitë përkatëse ku të evidentohet rëndësia kombëtare e investimit dhe që investimi zbaton/respekton kriteret më të lartë të mbrojtjes së mjedisit dhe ndikimit më të ulët në natyrë dhe biodiversitet”, thuhet në nenin 10 të projektligjit.

Ndërsa, një ndryshim i propozuar është edhe për nenin 42, ku në shkronjën ‘f’ të pikës 3, pas fjalëve’ ‘veprimtari tradicionale’ shtohen fjalët ‘dhe ekonomike’.

Projektligjin e mbështeti edhe kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur gjatë një aktiviteti për Vjosën Park Kombëtar, duke theksuar se ndryshimet janë kërkuar nga bashkitë.

Ne na duhet turizmi i luksit për njerëzit e zakonshëm. Përmes turizmit të luksit, njerëzit e zakonshëm marrin edhe të ardhurat më të mëdha. Jemi në një fazë të rishikimit të zonave të mbrojtura që vjen pas një kërkese të një numri gjithnjë e në rritje të kryetarëve të bashkisë që janë të vetëdishëm për konservimin e natyrës dhe nën presionin e madh për zhvillim ekonomik dhe kombinimi i këtyre të dyjave është domosdoshmëri.”, deklaroi Rama.

Mbi këto ndryshime të propozuara, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Kuvendit të Shqipërisë dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. Kuvendi sqaron se ndryshimet janë kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

Nga ana tjetër AKZM argumenton:

“Ministria e Mjedisit dhe Turizmit në kuadër të procesit për Integrimin Europian ka ndërmarrë iniciativën për rishikimin e legjislacionit mjedisor dhe përafrimin e tij me legjislacionin dhe direktivat e Bashkimit Europian, në përputhje edhe me kërkesat që ky proces parashikon”.

Më tej shton se në kuadër të këtyre vendimeve janë parashikuar ndryshime edhe në ligjin për zonat e mbrojtura.

“Referuar këtij urdhri, ndër të tjera është parashikuar edhe hartimi i projektligjit ‘Për disa ndryshime ne ligjin nr.81/2017 Për Zonat e Mbrojtura’, i cili po i nënshtrohet këtij procesi sipas përcaktimeve të kuadrit ligjor në fuqi”, thekson AKZM në përgjigjen zyrtare.

Ekspertët: Projektligji zhduk Zonat e Mbrojtura

Eksperti i Mjedisit, Lavdosh Ferruni në një intervistë për Faktoje paralajmëron:

Ky projektligj zhduk përfundimisht Zonat e Mbrojtura. Pra, Zonat e Mbrojtura ngelen në letër dhe në realitet nuk do ekzistojnë më. Me këtë ligj i vihen minat portës së hyrjes në zonat e mbrojtura. Tani nuk ka më barrierë për të hyrë në një zonë të mbrojtur.

Natyrisht edhe ‘Ligji për Zonat e Mbrojtura në Shqipëri’ që në 2004 kur është bërë, por edhe në 2017 kur u bë i ri, është bërë mbi bazën e një eksperience botërore, nuk është shpikur. Ndërsa, ajo që po ndodh tani është se qeveria shqiptare po shpik një ligj, por në brendësinë e vet, me nenet që duhen të ndryshohen, praktikisht e zhbën ‘Ligjin për Zonat e Mbrojtura’. Praktikisht në rastin më ekstrem, zonat e mbrojtura do të jenë njësoj si çdo zonë tjetër e territorit.”

Ferruni shpjegon arsyet pse kërkohet të shkohet në këtë ligj.

“Një është dëshira e oligarkëve, të cilët si duket kanë ezauruar hapësirat urbane dhe tani po kërkojnë në hapësira të tjera, siç është zona e mbrojtur, ku shohin mundësi të mëdha fitimi, duke përjashtuar impaktin në mjedis.

Ky agresivitet i tyre ndërthuret me një etje që kanë kryetarët e bashkive në gjithë Shqipërinë për të pasur më shumë mundësi për të ndërhyrë në territor nëpërmjet tenderave të ndryshëm. Ky binom i oligarkisë me makutërinë e drejtuesve lokale çon në një projektligj të tillë, i cili do të ishte një nam i keq për shqiptarët në përgjithësi në opnionin botëror për keqqeverisje të vendit”, shprehet eksperti i mjedisit.

Lavdosh Ferruni, ekspert mjedisi

Ferruni shpjegon edhe dëmet për mjedisin që do të sillte sipas tij një ligj, që lejon ndërtimet në zonat e mbrojtura.

“Në Zonat e Mbrojtura në Shqipëri ka mbetur një biodiversitet shumë i larmishëm, i cili do të dëmtohet përfundimisht. Fauna në mënyrë të veçantë që është më e ndjeshme nga këto ndërhyrje, do të largohet nga territori i Shqipërisë. Në këtë situatë do të kemi një vend me një rënie drastike të faunës së vendit dhe padyshim edhe të florës së saj. Shqipëria, të veçantë ka aspektin natyror që do të shkatërrohet përfundimisht nga ndërhyrjet intensive që do të bëhen aty”, argumenton ai.

Sipas ekspertit të mjedisit, ky projektligj do ta kthente Shqipërinë, nga një atraksion turistik në një vend jo të preferuar për një grup shumë të madh turistësh që preferojnë natyrën.

Olsi Nika nga “EcoAlbania” thotë se këto ndryshime janë në kundërshtim thelbësor me parimet e ruajtjes së natyrës dhe sipas tij, kjo panoramë ndryshimesh sjell “tërmetin” më të fortë për sa i përket kuadrit ligjor të ruajtjes së natyrës në Shqipëri.

“Qartësisht këto ndryshime janë në kundërshtim thelbësor me parimet e ruajtjes së natyrës dhe si të tilla janë të papranueshme në tërësinë e tyre nga ana jonë.

Nga këto ndryshime duket qartësisht se qëllimi, nuk është ruajtja dhe menaxhimi efektiv i zonave të mbrojtura, por tjetërsimi, aneksimi ç’kufizimi dhe ofrimi i këtyre hapësirave dhe burimeve natyrore që ato bartin ndaj zhvillimit ekonmik të vrullshëm, intensive dhe të atëçastshëm.

E gjithë kjo panoramë ndryshimesh në thelb paraqet ndoshta “tërmetin” më të fortë me efekt domino e të pakthyeshëm sa i përket kuadrit ligjor të ruajtjes së natyrës në Shqipëri duke rrezikuar që në afatmesëm vendi ynë të humbasë tërësisht trashëgiminë natyrore”, argumenton Nika.

Olsi Nika, ekspert mjedisi

Më tej, eksperti i mjedisit thekson se ligji ka nevojë për një rishikim tërësor për t’u harmonizuar me objektivat e proceseve integruese dhe me realitetet e reja.

“Orvatja për t’i dhënë më shumë komptenca Bashkive në ‘administrimin’ e Zonave të Mbrojtura, duke ia marrë ato institucioneve të specializuara siç është AKZM, në një kohë që kapacitetet e Bashkive janë thellësisht të limituara të përmbushin edhe ato që kanë aktualisht, është në vetvete një hap paraprak dhe refraktar që i dihet se ku të çon: te emergjencat dhe heqja dorë nga qeverisja dhe që përfundon me administrimin e këtyre zonave nga subjektet privatë, që në themel të funksionit të tyre kanë maksimizmin e fitimit dhe konservimin e natyrës.

Për më tepër, sjellja e modeleve ‘sui generis’ përmes këtyre ndryshimeve, jo vetëm që krijon një precedent të rrezikshëm që mund të cojë në zhbërjet dhe disintegrimin e zonave të mbrojtura, por mund të vendosë në një pozicion mjaft të vështirë Shqipërinë përballë angazhimeve ndërkombëtare dhe proceseve të integrimit”, sqaron Olsi Nika nga “EcoAlbania”.

Cilat zonat rrezikon ky projektigj?

Në lidhje me këto ndryshime, burime që kërkuan të mbeten anonime, i thanë Faktoje se zonat më të rrezikuara janë ato bregdetare.

“Për mua, zonat që rrezikojnë janë ato bregdetare dhe këtu vë gishtin te Velipoja, te Narta, ndoshta një çikë edhe te Divjaka, që kanë një presion për zhvillim. Kërkohen të ndërtohen resorte dhe në rastin e Nartës është më evidente, sepse ka një tendencë aty. Nga aeroporti në drejtim të lagunës janë cilësuar si zona zhvillimi. Për mua koncepti është që të fuqishmit të kenë mundësi që të investojnë”, sqarojnë njohës të mirë të çështjeve të mjedisit.

Sipas të njëjtit burim, presioni për ndryshimin e ligjit vjen për shkak të interesave të bizneseve private.

“Aty është futur një nen që jo më pak se 20% të menaxhohen nga pushteti vendor. Prapa kësaj, për mua është Ministria e Mjedisit, sigurisht që ka interesa të bashkive. Në të drejtën e tyre, ata kanë nevojë që të zhvillojnë më shumë, por kjo mënyrë dhënie është gjëja më e keqe që mund të ndodhë.

Për mua ky është një presion që nuk e bëjnë bashkitë, por e bën privati që do të zhvillojë nëpër këto zona dhe sigurisht privati duke pasur një derë të mbyllur me Zonat e Mbrojtura, tani ka gjetur derën e hapur të Bashkive”, shton ai

Çfarë thonë deputetët nismëtarë?

Disa nga deputetët e mazhorancës që kanë firmosur projektligjin në fjalë argumentuan në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin se kjo do të ndikojë edhe në frenimin e shpopullimit të qyteteve.

“Shpopullimi që po na vjen nga këto zona, dhe në rast se duam ta mbajmë popullsinë në këto zona duhet t’ju japim mundësinë brenda rregullave që njeh zona e mbrojtur që të mund ta shfrytëzojnë dhe zhvillojnë minimalisht atë zonë”, argumentoi deputeti Arben Pëllumbi.

Nga ana tjetër, deputeti i PS-së, Ismet Beqiraj kërkon kontrolle të rrepta, kundër betonizimit të zonave.

“A do të legalizohen të gjitha ndërtesat që janë brenda këtyre zonave, aty dhe në parqe arkeologjike për hir të zhvillimit ekonomik, të cilat rrezikojnë betonizimin e këtyre zonave. Pa instrumente kontrolli na jep pasoja jo të këndshme. Gjithçka ta kalojnë, ta shikojnë jo me lupë zmadhuese, por me mikroskop elektronik çdo kriter dhe parametër”, tha deputeti Beqiraj. 

Faktoje iu drejtua për një koment edhe Ministrisë së Turizimit dhe Mjedisit mbi këtë projektligj që ka ngjallur mjaft diskutime dhe që sipas ekspertëve rrezikon Zonat e Mbrojtura. Mirëpo, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk kemi një përgjigje nga institucioni në fjalë.

Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Turizimit dhe Mjedisit, 14 dhjetor 2023

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img