BallinaPertejPediatria e QSUT pa shërbimin e ezhesë (EEG), prej vitit të kaluar

Pediatria e QSUT pa shërbimin e ezhesë (EEG), prej vitit të kaluar

AURORA SHPATAJ

Prej dhjetorit të 2019-s në pavionin e pediatrisë në QSUT, mungon shërbimi i ezhesë së kokës për pacientët e vegjël. Informacionin për këtë mungesë Faktoje e verifikoi në terren, nga ku mësoi se prindërve të fëmijëve që e kanë të domosdoshëm këtë kontroll u duhet të paguajnë shuma të mëdha në spitalet private. Një prej kategorive të prekura nga kjo mungesë, janë fëmijët autikë, por edhe ata që dyshohen për sëmundje me pasoja për jetën e që duhet t’i nënshtrohen paraprakisht ekzaminimit me EEG.

—————————————————————————————————————————————

Pas vizitës mjekësore që djali 6 vjeçar bëri në spitalin e Durrësit, mjeku i familjes  e këshilloi të ëmën e tij, H.D t’i bënte Ezhenë në pediatrinë e QSUT, Tiranë, pasi ajo e Durrësit ende nuk ka përfunduar së rikonstruktuari.

“Kam mbi dy javë që kërkoj t’i bëj Ezhenë djalit në pediatrinë e Tiranës. I marr në telefon, por më thonë se është e prishur. Sot erdha vetë këtu dhe më thonë se ka kohë që nuk funksionon. Por djali im e ka të domosdoshme atë, sepse pëson kriza gjatë natës.” -thotë e alarmuar H.D.

Ne pyetëm tek zyra e informacionit pranë pediatrisë së QSUT dhe na u konfirmua se aparatura e EEG nuk funksionon që nga dhjetori i vitit 2019. Edhe mjekë të pediatrisë që nuk pranuan të identifikohen, konfirmojnë të njëjtën gjë:

“Aktualisht asnjë  fëmijë nuk mund të bëjë asnjë lloj ekzaminimi pasi aparatura  e Ezhesë është jashtë përdorimit.”

Fëmijët që paraqiten për Ezhe në pediatrinë ‘përcillen’ tek privati

Sipas burimeve brenda pediatirisë në QSUT, fëmijët që kërkojnë të kryejnë këtë ekzaminim detyrohen të shkojnë tek spitalet apo klinikat private.

*Elektroencefalograma EEG brenda pediatirsë së Tiranës, jashtë funksionit.

Ne pyetëm në një spital privat të Tiranës se sa kushton kryerja e ekzaminimit me EEG.

“Kushton 8 mijë lekë (të reja) paketa, që përfshin ekazminimin dhe konsultën me neurologun”-na informoi zyra e informacionit në spitalin privat.

Për çfarë shërben Ezheja?

Ezheja është ekzaminim krejtësisht i padhimbshëm, që ndihmon për të diagnostikuar dhe më pas monitoruar të gjitha llojet e konvulsioneve (dridhjeve), qofshin këto nga epilepsia, tumoret e trurit, nga trauma të kokës, infeksione të trurit deri te çrregullime të gjumit, dhimbje të kokes (migrena dhe gjithë llojeve të tjera të dhimbjes të kokës) si dhe çrregullime  të caktuara sjelljes.

Specialistja B. K tregon përse ky shërbim nuk duhet të mungojë.

“Është shumë e rëndësishme, sidomos për raste kur një fëmijë i cili ka kriza, pra është jo stabël, ka dridhje, nxihet, qan, normal që një ekazaminim është i domosdoshëm mënjëherë, pa e shtyrë për më vonë”-shprehet për Faktojen  specialistja.

Nëpërmjet një kërkese zyrtare për informacion, Faktoje iu drejtua Ministrisë së Shëndetësisë  për t’u informuar se kur do të riparohet aparatura e EEG-së në pediatri dhe çfarë masash janë marrë në lidhje me situatën, kërkesë për të cilën pret të marrë një përgjigje.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img