BallinaPertejUlja e çmimit global të naftës “katapulton” Shqipërinë në vendin e 3-të më të shtrenjtë në botë

Ulja e çmimit global të naftës “katapulton” Shqipërinë në vendin e 3-të më të shtrenjtë në botë

Ndërsa çmimi i naftës shënon ulje drastike në rang global, Shqipëria ka “kërcyer” në “Top 3”  vendet e listës me çmimin më të shtrenjtë të naftës së “Global Petrol Prices”, nga vendi i 8 ku ndodhej në fund të marsit. Vendi ynë ka “ruajtur” gjithashtu pozicionin e vendit më të shtrenjtë për naftën në Ballkan. Mungesa e venddepozitimit çoi në reduktimin drastik të çmimit të këtij produkti, por jo në Shqipëri.


Çmimi i naftës për fuçi në tregjet globale ka arritur tashmë vlerat më të ulëta historike. Një javë më parë nafta e papërpunuar u tregtua me vlera negative, për shkak të mbiprodhimit dhe ezaurimit të kapaciteteve magazinuese. Vetëm kështu kompanitë mund të hiqnin kostot e stoqeve për shkak të rënies së kërkesës globale nga pandemia “Covid-19”.

Për here të parë, më 20 prill, revista ekonomiko-analitike “Bloomberg” raportoi çmim negativ të hidrokarbureve në SHBA, pra një vlerë që nuk justifikonte as koston e prodhimit.

Burimi: Bloomberg

Por, rënia drastike e çmimit të hidrokarbureve në thuajse gjithë botën, në Shqipëri u reflektua me ulje shumë të vogla.

Në renditjen botërore, Shqipëria është në “Top 3” e vendeve me çmimin më të lartë të naftës, pas Hong Kongut dhe vendit ishullor Wallis Futuna.

Të dhëna nga Global Petrol Prices, 4 maj 2020

Të martën, më 5 maj, në disa pika karburanti nafta tregotohej edhe në kuotën e 131 lekëve të reja për litër. Megjithatë në raportin e përgjithshëm, Shqipëria vijon të ketë një mesatare prej 149 lekë për litër të naftës në karburante.

Më 26 mars “Faktoje” përmes një artikulli  tregoi se ulja e çmimit të naftës që u ndie në botë me fillimin e pandemisë, pothuajse nuk ishte reflektuar në Shqipëri. Sot, ndryshimi i tij me periudhën para pandemisë nuk i kalon 21 lekë për litër.

 Çmimi naftës në pikë karburanti

Ministrja e Infrastrukturës, Balluku më 30 prill njoftoi se ishte ndërprerë puna në rafineritë e naftës së kompanisë “Albpetrol”. Gjatë seancës në Kuvend, Balluku tha se depozitat e naftës së kësaj kompanie janë të mbushura, prandaj procesi i nxjerrjes është pezulluar.

Një cështje tjetër që ka të bëjë me naftën, është edhe situata e Albpetrol, e gjendur në një situatë shumë të vështirë, pasi çmimi ka arritur në nivelin më të ulët, shpesh herë edhe negativ, kemi qenë të detyruar që për shkak të depozitave të mbushura puset të mos jenë më operative. Është pezulluar deri në një vendim të dytë procesi i ristrukturimit, u shpreh Balluku.

Pse nuk reflektohet ulja e çmimit të naftës në Shqipëri?

Përfaqësuesit e Shoqatës të Hidrokarbureve në vend për revistën ekonomike “Monitor” më 22 prill argumentuan se ka rënë çmimi i naftës me shumicë, jo ai për konsumatorët.

Ajo çka po ndodh me tregtimin e naftës me shumicë ka të bëjë me tregtimin e kontratave në bursë të cilave po u afrohet përfundimi. Zotëruesit e kontratës para përfundimit e nxjerrin në shitje në bursë, por për shkak të rënies të vlerës nuk ka oferta, nuk blihet nga asnjë. Zotëruesi i kontratës paguan që t’i depozitohet produkti, pasi nuk ka vend se ku të depozitohet. Pra kjo është reflektuar te rënia e çmimit të naftës me shumicë. Kjo është keqkuptuar nga konsumatorët, u shprehën përfaqësuesit e Hidrokarbureve.

Eksperti i ekonomisë Dael Dervishi në një intervistë për A2CNN më 21 prill u shpreh se në këto momente, bota po vuan për krijimin e kapaciteteve grumbulluese të hidrokarbureve ndërsa tregu i hidrokarbureve në vend, vijon të jetë kaotik.

Ka një sasi shumë të madhe pikash karburanti, në raport me tregun në Shqipëri. Me sa duket, qeveritë e njëpasnjëshme, e kanë patur të pamundur që ta rregullojnë këtë treg ashtu siç duhet, u shpreh Dervishi.

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img