BallinaTë pambajturaTregu i premtuar agro-ushqimor në Farkë, nuk është krijuar

Tregu i premtuar agro-ushqimor në Farkë, nuk është krijuar

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj, në vitin 2019 ka deklaruar se do të hapet tregu i dytë agro-ushqimor me vendndodhje në Farkë. Gati dy vite pas kësaj deklarate, nga verikimi në terren dhe informacionet zyrtare të Bashkisë Tiranë, Faktoje konstaton se ky premtim nuk është realizuar.


Kryebashkiaku Erion Veliaj, më 5 qershor 2019 gjatë një panairi me produktet vendase deklaroi:

“Kemi vendosur që Bashkia, në anën tjetër të qytetit në zonën e Farkës dhe të Lundrës, të hapë një treg agroushqimor të shumicës”.

Duke iu referuar kësaj deklarate, Faktoje më 6 prill ju drejtua me një kerkesë për informacion Bashkisë Tiranë për ta pyetur se në cilën fazë është projekti për ndërtimin e tregut agroushqimor në Farkë.

                            Kërkese për informacion drejtuar Bashkisë Tiranë, 6 prill 2021

Pas kalimit të afateve që parashikon ligji “Për të drejtën e informimit”, Faktoje e ankimoi mosdhënien e informacionit nga Bashkia Tiranë në Zyrën e Koordinatorit për të Drejtën e Informimit.

                                        Ankimimi te Komisioneri për të Drejtën e Informimit

Pas ankimimit, Bashkia Tiranë na ktheu këtë përgjigje:

                                             Përgjigje e Bashkisë Tiranë, 7 maj 2021

“Aktualisht, nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Projekteve Strategjike dhe Zhvillimit Ekonomik është përfunduar faza e hartimit të studimit të fizibilitetit dhe planit të biznesit. Me përfundimin e kësaj faze projekti kalon në Drejtorinë e Përgjithshme të Punëve Publike, e cila do të merret me aspektin teknik të ndërtimit të tregut agroushqimor Farkë.  Bazuar në planin e biznesit të realizuar, investimi i parashikuar për ndërtimin e tregut agroushqimor është në vlerën 587,243,594 lekë pa TVSH”.

Faktoje gjithashtu bëri edhe një vëzhgim në terren, më 10 maj.

                                                      Tabela orientuese për në Farkë, 10 maj 2021

Faktoje mësoi nga banorët e zonës së Farkës se aty, nuk ekziston ndonjë treg agro-ushqimor edhe pse është premtuar. Vendi ku parashikohet të ngrihet tregu i dytë agro-ushqimor është Farka e Vogël.

L.N, banorë e zonës tha për Faktoje:

“Me sa di unë është premtuar njëherë ky treg agro-ushqimor, por nuk është ndërtuar akoma.”

Tregu i dytë agroushqimor, parashikohet të sillte disa lehtësira për komunitetin:

Ky projekt ishte vendimi i Këshillit Bashkiak i cili do të mundësojë një lehtësim në daljen në treg të prodhuesve të zonave rurale të Tiranës si dhe jashtë saj. Grumbullimi kryesisht i prodhimeve bujqësore e blegtorale dhe një shërbim me sistem ftohës, larje, paketim të produkteve për prodhuesit, grumbulluesit dhe konsumatorët, që sjellin vlerë të shtuar në zinxhirin e vlerës ushqimore.

Nga verifikimi i kryer në terren dhe përgjigjja që morëm nga Bashkia Tiranë, vendosëm që deklaratën Kryebashkiakut Veliaj, për ndërtimin e tregut agroushqimor në Farkë, në vitin 2019 ta kategorizojmë si premtim të pambajtur.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img