MERXHAN DACI & INVA HASANALIAJ

Mijëra fermerë kanë vite që presin t’u hiqet akciza dhe taksat për naftën, gjë u premtohet në mënyrë të përsëritur. Ky premtim, i përfaqësuesve të të gjithë krahëve politike, në opozitë apo qeverisje, është artikuluar edhe nga ministri i Bujqësisë Çuçi në 2019-n. Dhjetë muaj pas këtij premtimi, bujqit, jo vetëm që nuk janë lehtësuar nga kjo barrë, por edhe në krizën e pandemisë ata paguajnë një çmim luksi për naftën, si vendi i 4-t në glob për naftën më të shtrenjtë.

———————————————————————————————————————————————————————-

Fermerët shqiptarë prej vitesh kërkojnë heqjen e akcizës dhe taksave të tjera mbi naftën që përdoret për bujqësinë, sepse këto u rëndojnë shumë ekonomive të tyre.

Aktualisht, akciza e naftës është 37 lekë/liter dhe bujqit duhet ta paguajnë karburantin njëlloj si të gjithë qytetarët e vendit, edhe pse kontribuojnë për sektorin më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare. Ndërkaq shqetësim është edhe taksa e qarkullimit që momentalisht është 27 lekë/litër.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është duke punuar për një skemë për naftë pa taksa për fermerët”.

Kështu u shpreh ministri Bledi Çuçi gjatë një bashkëbisedimi që pati me fermerë të Fierit në shtator 2019.

Kam nisur një projekt që unë besoj se do na çojë shumë shpejt tek lehtësitë për marrjen e naftës nga fermerët të zhveshur nga taksat. Është e rëndësishme që ne të ngremë infrastrukturën që këtë ta bëjmë dhe ta kemi të kontrollueshme për të mos lejuar abuzimin. Me zhvillimin e teknologjisë sot, ne i kemi të gjitha mundësitë ta bëjmë këtë gjë. Por do të përfitojnë vetëm ata që janë të formalizuar. Ky është një projekt që po vijon. Me shpresë vitin tjetër do ta paraqesim në qeveri për të marrë pastaj një vendim”-tha ministri Çuçi.

Qeveria zgjidhi problemin e karburantit për sektorin e peshkimit, por ende jo për të gjithë sektorin e gjerë të bujqësisë.

Zv. ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimo Kote, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) në nëntor të 2019 tha se  “nafta pa taksë për bujqësinë është një nga sfidat e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe qeverisë shqiptare, për zbatimin e një skeme të re të studiuar, në gjurmët e eksperiencës për sa i takon subvencionit që bëri qeveria shqiptare tek skema e peshkimit që ka dhënë një rezultat shumë të mirë”.

Disa fermerë në zonën e Myzeqesë, kryesisht Fieri dhe Lushnja i thanë Faktojes se premtimi për naftë pa taksa për bujqësinë, ende nuk është mbajtur dhe atyre u duhet ta paguajnë naftën njësoj si gjithë të tjerët.

Ervin Resuli, fermer në zonën e Myzeqesë konfirmoi për Faktoje se ky premtim nuk është mbajtur dhe se taksat e naftës vazhdojnë të rëndojnë fermerët.

Problem nuk është vetëm akciza, por edhe taksa e qarkullimit. Ato rëndojnë shumë fermerin që gjatë vitit blen shumë sasi nafte për punë të ndryshme në bujqësi. Në disa vende si Itali psh, fermerët përdorin naftë jeshile ose ndryshe me ngjyrë, në vende të posaçme vetëm për ta, që dmth ka karburante posaçërisht për naftën e bujqësisë. Pra ky premtim ende nuk është mbajtur edhe pse është në fakt i hershëm”- tha ai.

Faktoje kontaktoi edhe me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për ta pyetur se çfarë është bërë me projektin e ministrit Çuçi, por nuk mori një përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.

Çmimi i naftës në Shqipëri dhe në rajon

Shqipëria momentalisht është vendi i katërt me naftën më të shtrenjtë në të gjithë botën edhe pse një vend prodhues i saj.

Sipas të dhënave të përditësuara për çmimin e naftës nga Global Petrol Prizes, një litër naftë në Shqipëri kushton mesatarisht 169 lekë.

Brenda këtij çmimi futen akciza, taksa e qarkullimit dhe disa taksa të tjera.

Ky çmim në Serbi është 139 lekë, në Mal të Zi 116 dhe në Maqedoninë e Veriut 98 lekë për litër.

Pra, bujqit në të treja vendet e sipërpërmendura kanë një barrë më të lehtë se bujqit shqiptarë të cilët furnizojnë mjetet e tyre të punës me një nga naftat më të shtrenjta në glob.

Premtimet për akcizën e naftës

Përmirësimi i kushteve për fermerët, ulja e çmimit të naftës apo heqja e akcizës janë disa nga premtimet e shumta dhënë herë pas here.

Të tilla premtime janë dhënë nga parti e politikanë të djathtë e të majtë, gjatë fushatave elektorale apo gjatë mandatit qeverisës. Disa prej tyre po ua rikujtojmë.

Në mënyrë kronologjike, Faktoje gjeti në arkivat mediatike fillimisht premtimin e kryeministrit Rama dhënë në 11 shtator të vitit 2012 i cili tha:

Në qoftë se nuk ulet çmimi i naftës për bujqësinë ne do ta heqim akcizën. Por në qoftë se nuk hiqet edhe TVSH-ja për inputet, për farat, për plehrat dhe njëkohësisht nuk mbështetet fuqishëm nisma private, në gjithë sektorin e fshatit, duke mbështetur njerëz me talent dhe me kurajë si ju, nuk ka asnjë shans që fshati të dalë nga kjo prapambetje dhe nga kjo gjendje skandaloze varfërie ku e zhyt përditë braktisja e shtetit.”

2 qershor 2013– Gramoz Ruçi, i cili udhëhiqte skuadrën e kandidatëve për deputetë në qarkun Fier, u angazhua në emër të Partisë Socialiste ndër të tjera edhe për heqjen e akcizës së naftës dhe për heqjen e taksës së qarkullimit të naftës për bujqësinë.

Që çmimet e plugimit, të frezimit, të korrjes të bien 35% duke ulur çmimin e naftës për fermerët në bujqësi brenda 100 ditëve të para të qeverisjes, votoni numrin 29, votoni Partinë Socialiste të Shqipërisë. Do të merrni 35% më lirë litrin e naftës sesa ai, që e merr për veturën e tij. Saliu,”- u shpreh Ruçi gjatë ndalesave në komunat Cakran dhe Levan të qarkut Fier.

5 qershor 2014– ministri i Bujqësisë asokohe Edmond Panariti në një konferencë për shtyp deklaroi:

Do të inkurajojmë prodhuesit e serave me ngrohje të zgjerojnë aktivitetin. Mbajmë një premtim për mbështetje me naftë pa akcizë të prodhimit bujqësor.”

Premtimet nuk kanë munguar edhe nga kampi opozitar. Në në vitin 2015 kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua me fermerët e Petovës në Fier, në vijim të turit “Fjalën e kanë qytetarët!”. Gjatë takimit Basha tha se taksa e vetme për fshatin do të jetë ajo mbi tokën. Hapi i dytë sipas tij kur Partia Demokratike do të vinte në pushtet do të ishte nafta pa akcizë.

“Taksa vetme për fshatin do të jetë taksa mbi tokën. Taksë tjetër nuk do të ketë. Taksë prej 350 lekë për dynym dhe taksë e tokës do të shpenzohet e gjitha për vaditjen dhe kullimin. Hapi i dytë është nafta pa akcizë, dhe hapi i tretë që do të ndërmarrim është ulja e çmimit për të gjitha inputet.”

Faktoje pyeti edhe në vitin 2019 fermerë nga Fieri, Lushnja e deri në Kukës nëse kishin patur lehtësira në këtë sektor dhe nëse kanë përfituar prej vitit 2013 deri në 2019.

Përgjigja që Faktoje mori në të gjitha rastet ishte se prej 5 vitesh nuk kishte pasur asnjë ulje çmimi për naftën ose heqje të akcizës së këtij produkti.

Përderisa ende nuk ka një projekt të zbatuar për heqjen e akcizës së naftës për bujqësinë, Faktoje do ta kategorizojë premtimin e shtatorit të vitit 2019 të ministrit Çuçi ende TË PAMBAJTUR.