SHEFKIJE ALASANI

Një nga kriteret e anëtarësimit në Bashkimin Evropian është çrrënjosja e korrupsionit. Por, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria fqinje në raportet ndërkombëtare kanë marrë një sërë kritikash për luftën ndaj këtij fenomeni negativ. Disa madje theksojnë se RMV-ja dhe Shqipëria në vend të progresit kanë pasur regres. Ekspertët vlerësojnë se shkaku kryesor për luftën e dobët ndaj korrupsionit është mungesa e vullnetit dhe dëshirës politike për t’u përballur me këtë fenomen, qoftë ai korrupsion në nivel të ulët apo në nivel të lartë, shkruan Portalb.mk.

Vlerësimet nga raporti i “Transparency International”

Edhe pse vende kandidate për anëtarësim në BE, niveli i korrupsionin vazhdon të mbetet i lartë në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri.

Kur bëhet fjalë për luftën kundër korrupsionit Maqedonia e Veriut në vend të progresit ka regres. Këtë e dëshmoi edhe raporti i fundit ndërkombëtar nga “Transparency International“(TI).

Sipas indeksit të perceptimit të korrupsionit, Maqedonia e Veriut u radhit në vendin e 111-të nga totali i 180 shteteve të përfshira në hulumtim. Maqedonia e Veriut ka kaluar disa vende mbas sa i përket nivelit të korrupsionit, në vitin 2019 dhe 2018 Maqedonia e Veriut riradhitej në vend të 106-të, në vitin 2017 vendi 107 dhe në vitin 2016 në vendin e 90-të.

Edhe pse disa vende më përpara se Maqedonia e Veriut, kur është në pyetje niveli i korrupsionit, as Shqipëria fqinje nuk ka pozicion të kënaqshëm. Në raportin e fundit të “TI”, Shqipëria radhitet në vendin e 104. Shqipëria zinte vendin e 106-ë në vitin 2019, ndërsa ishte e 99-ta në 2018, e 91-ta në 2017 dhe 83-a në 2016.

Vlerësimet nga raporti i “GREKO”-s 

Raundi i pestë i vlerësimit të “GREKO-s”, për luftë kundër korrupsionit për Maqedoninë e Veriut, konkludoi se nga gjithsej 23 rekomandime të propozuara vendi ka plotësuar vetëm katër rekomandime, nëntë rekomandime janë zbatuar pjesërisht dhe nëntë tjera nuk janë zbatuar aspak.

Raporti vjetor për vitin 2020 i publikuar nga “GREKO”, këtë vit ishte më pozitiv për Shqipërinë fqinje. Në raport thuhet se Shqipëria ka përmbushur ka përmbushur 9 nga 10 rekomandime e “GREKO”-s. Por në një raport periodik specifik për Shqipërinë, në fillim të dhjetorit 2020, “GREKO” vërente se niveli i korrupsionit mbetet i lartë si në sektorin publik ashtu dhe atë privat.

“Duhet më shumë transparencë me financimin e partive, të vazhdohet reforma në drejtësi dhe vetingu në policinë e shtetit”, thuhet në raport.

Foto: Pexels

Vlerësimet nga raporti i “Freedom House”

Kritika për vendet e rajonit solli edhe raporti i fundit ndërkombëtar nga “Freedom Hause”, si Maqedonia e Veriut ashtu edhe Shqipëria vazhdojnë të mbeten vende me demokraci hibride apo në tranzicion. Organizata ndërkombëtare e ka vlerësuar lirinë në Maqedoninë e Veriut me 66 nga gjithsej 100 pikët e mundshme, që është një rritje për 3 pikë krahasuar me vitin paraprak. Në raport theksohet se vendi vazhdon të përballet me korrupsionin, gazetarët dhe aktivistët përballen me presione dhe kërcënime.

“Korrupsioni mbetet problem serioz dhe ka pasur pandëshkueshmëri të gjerë për zyrtarë të korruptuar të Qeverisë, anëtarë të parlamentit dhe gjyqësorit. Ndonëse Raporti i progresit i BE-së për vitin 2020 vlerësoi reforma të qëndrueshme të Maqedonisë së Veriut, skandale serioze të korrupsionit dhe prokurimit vazhdojnë të shfaqen”, theksohet mes tjerash në raportin e “Fredom House”.

Me 66 pikë nga 100 të mundshmet është vlerësuar edhe Shqipëria, indeksi i demokracisë ka rënë për të dytin vit radhazi, nga 3,82 në 3,75. Në Shqipëri dy treguesit me vlerësimin më të ulët janë korrupsioni dhe pavarësia e gjyqësorit.

“Korrupsioni në gjyqësor mbetet një problem serioz dhe dënimet e gjyqtarëve të rangut të lartë për korrupsion dhe abuzim të pushtetit janë historikisht të rralla. Procedurat e gjykimit mund të ndikohen nga korrupsioni brenda sistemit gjyqësor, dhe nganjëherë janë të mbyllura për publikun. Këshillimi ligjor nuk sigurohet gjithmonë për ata që nuk kanë mundësi të paguajnë vetë”, thuhet ndër tjerash në raportin për Shqipërinë.

Në cilat fusha dominon më së shumti korrupsioni në RMV dhe Shqipëri?

Njohësit e çështjeve të anti-korrupsionit thonë se në rajon korrupsioni dominon thuajse në çdo sektor të jetës publike. Kryetarja e organizatës “Transparancy International-Macedonia”, Slagjana Taseva, deklaroi për portalb.mk se aty ku ka pushtet ka dhe korrupsion. 

FOTO Portalb.mk- Slagjana Taseva

“Me vite korrupsioni ndërlidhet me pushtetin, pra duhet të jesh aty ku realisht mundesh të kesh fuqi që të sjellësh vendime ndaj të cilave dikush mundet të ketë interes të korruptojë. Pra të gjitha ato fusha që janë të lidhura me pushtetin, pjesa më e madhe ka të bëjë me prokurimet publike. Por gjithashtu edhe në aspektin e punësimit. Siç e dimë, në vendin tonë qeveria është punëdhënësi më i madh dhe që punësohesh duhet patjetër të jesh anëtarë i një partie politike dhe e gjithë kjo pastaj rrjedh në korrupsion”, deklaroi Slagjana Taseva, “Transparancy International-Macedonia”.

Në përgjithësi, në Shqipëri, korrupsioni mbizotëron në shumë fusha të jetës publike e biznesit dhe mbetet një çështje shqetësuese.

“Është disi vështirë të flasim me siguri të lartë pasi studimet e kryera deri më sot janë të pjesshme dhe nuk i mbulojnë të gjithë sektorët / fushat dhe as format e ndryshme të korrupsionit. Raportet e KE kanë raportuar vazhdimisht për Shqipërinë se korrupsioni mbetet i përhapur në të gjithë sektorët.

Gjergji Vurmo

Vitet e fundit janë shënuar hapa pozitive në disa drejtime siç është për shembull informatizimi i shërbimeve (online). Kjo për pasojë sjell uljen e korrupsionit të nivelit të ulët (bribery etj.). Por ajo çka shumë burime, përfshirë edhe studimet e IDM dhe studimi i fundit që kemi kryer me TI raportin është që korrupsioni i nivelit të lartë (grand corruption) është rritur dhe madje ka mbërritur në nivele të kapjes së shtetit. Duke pasur parasysh se pandëshkueshmëria ka qenë një bashkudhëtarë i tranzicionit shqiptar, nuk është aspak surprizë fakti që korrupsioni arrin forma të tilla të zhvilluara deri në kapje shtetit. Lidhur me sektorët – do të thoja ato që janë më shumë fitim prurës si p.sh ndërtimi, koncesionet e pasurive natyrore dhe jo vetëm, prokurimi publik, etj”, deklaroi Gjergji Vurmo, autor i raportit “Freedom House” në Shqipëri.

Dominimin e madh të korrupsionit si në Maqedoninë e Veriut ashtu edhe në Shqipëri ekspertët ekspertët njëzëri vlerësojnë si shkak i mungesës së vullnetit dhe dëshirës politike për ndryshimin e situatës.

Korrupsioni në gjyqësor prin lëndët e paraqitura në KSHPK në Maqedoninë e Veriut

Në vitin 2020, 64 % e lëndëve të paraqitura në Komisionin Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit në Maqedoninë e Veriut kanë të bëjnë me korrupsionin në sfera të ndryshme. Në raportin vjetor të këtij institucioni theksohet se:

  • 58% e kallëzimeve për korrupsion janë për Gjyqësorin,
  • 32% – urbanizim dhe hapësira,
  • 29% – pushteti ekzekutiv,
  • 16%  – sistemi zgjedhor,
  • 15% – shkollim i mesëm
  • 15% – shkollim fillor
  • 10% – rregullatorët

Gjatë vitit 2020 Antikorrupsioni ka marrë dy herë më pak denoncimeve krahasuar me vitin 2019. Anëtarët e anti-korrupsionit thonë se megjithëse numri i denoncimeve ka rënë në mënyrë drastike, kanë marrë dy herë më shumë vendime lidhur me lëndët sesa vitin e kaluar. Ankesat tjera që paraqiten në këtë institucion kanë të bëjnë me konfliktin e interesave, statusin e pronës dhe financimin e fushatave zgjedhore.

Burimi: Raporti vjetor i Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit

Si dhe sa luftohet korrupsioni në RMV dhe Shqipëri? 

Komisioni anti-korrupsion në Maqedoninë e Veriut punon me kapacitete jo të plota edhe përkundër të kërkesës së tyre për përforcimin e resurseve njerëzore dhe kushteve të punës. Nga 60 të punësuar që parashikohen në këtë institucion, punojnë vetëm 23 persona. Komisioni Shtetëror për parandalim të Korrupsionit në Maqedoninë e Veriut punon me kapacitet prej 38%.

Burimi: dksk.mk

Përveç Komisionit shtetëror antikorrupsion, Maqedonia e Veriut ka edhe një Zëvendëskryetar të Qeverisë i angazhuar në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe resurse njerëzore. Pak kohë më parë kryeministri Zoran Zaev bashkë me Nikollovskin njoftuan se qeveria ka hartuar plan shtetëror për luftën kundër korrupsionit. Zyrtarët u zotuan se falë këtij plani askush nuk do të jetë i paprekshëm dhe se Qeveria dhe qytetarët janë në të njëjtën anë në luftën kundër korrupsionit. Edhe përkundur të rëndësisë të këtij plani, Komisioni anti-korrupsion nuk ka qenë i informuar dhe se lajmin për një plan të tillë ata e kanë marr nga mediat.

Taseva, mes tjerash tha për Portalb.mk se këto dy institucione nuk janë të mjaftueshme në luftën kundër korrupsionit, megjithatë është shumë e rëndësishme që këto dy institucione të jenë të koordinuara dhe të bashkëpunojnë.

Sa i përket  Shqipërisë, Gjergji Vurmo autor i raportit të “Freedom House” për Shqipërinë, thotë se vendi ka kapacitete institucionale për të luftuar korrupsionin por të gjitha mekanizmat fokusohen në luftën ndaj korrupsionit të ulët, ndërkohë që problem kryesor në vend është korrupsioni i nivelit të lartë.

“Ka një kuadër të plotë institucional, ligjor dhe strategjik për luftën antikorrupsion. Por ky kuadër fokusohet kryesisht tek korrupsioni i ulët. Problem kryesor i vendit mbetet korrupsioni i lartë dhe në këtë kontekst për momentin nuk kemi shenja të qarta pozitive”, u shpreh për Portalb.mk, Gjergji Vurmo.

Në vitin 2018, Shqipëria miratoi Planin e Veprimit 2018-2020 për zbatimin e Strategjisë Ndërsektorale kundër Korrupsionit 2015-2020. Një Komitet Koordinues përbëhet nga Ministri i Drejtësisë (si Koordinator Kombëtar Kundër Korrupsionit – KKKK) dhe 10 Zëvendësministra (rrjeti i anti-korrupsionit në nivelin politik). Ai mblidhet çdo 4 muaj për të diskutuar dhe për të miratuar raportin e monitorimit të zbatimit të strategjisë antikorrupsion. Në të njëjtin vit, u miratua Pasaporta e Indikatorëve, që synonte të bëhej mjeti kryesor i monitorimit për t’u përdorur nga KKKK dhe politikëbërësit për të zbatuar në mënyrë efektive Strategjinë.

Kushtet për integrim në BE dhe raporti i KE-së 

Një ndër kushtet themelore që një shtet, me aspirata për integrim në Bashkimin Evropian, duhet të plotësojë është: respektimi i të gjitha standardeve dhe rregullave të BE-së. Kur flasim për standardet e BE-së, respektimi i të drejtave themelore të njeriut dhe sundimi i ligjit janë bazike. Niveli i lartë i korrupsionit në RMV dhe Shqipëri bie ndesh me standardet bazike të BE-së. Kur është në pyetje lufta kundër korrupsionit si Maqedonia e Veriut ashtu edhe Shqipëria, në raportin vjetor të Komisionit Evropian, vlerësohen si vende që janë mesatarisht të përgatitura për tu bërë pjesë e BE-së.

“Maqedonia e Veriut ka një farë niveli të përgatitjes në luftën ndaj korrupsionit. Ka pasur progres në konsolidimin e organizimit të hetimeve, ndjekjet penale dhe gjykimin e çështjeve të nivelit të lartë të korrupsionit. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka qenë veçanërisht pro-aktiv në parandalimin e korrupsionit dhe hapi një numër të lartë çështjesh, përfshirë ato që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë nga i gjithë spektri politik, në përputhje me rekomandimin e vitit të kaluar”, theksohet mes tjerash në raportin e KE-së për Maqedoninë e Veriut. 

“Shqipëria ka një farë niveli të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit. Progres i mirë është bërë në periudhën raportuese. Autoritetet shqiptare forcuan kapacitetet operacionale, koordinuese dhe monitoruese në luftën kundër korrupsionit, duke përmbushur kështu kushtin për Konferencën Ndërqeveritare. Shqipëria ka vazhduar përpjekjet e saj drejt krijimit të një regjistrimi solid në hetime, ndjekjen penale dhe gjykimin e çështjeve të korrupsionit”, thuhet në raportin e KE-së për Shqipërinë.

*Foto e parë është realizuar nga Pexels