BallinaPremtimeTransporti urban në Tiranë drejt "përsosmërisë", por në të ardhmen e largët

Transporti urban në Tiranë drejt “përsosmërisë”, por në të ardhmen e largët

ANXHELA RUÇI & KLEVIS PALOKA

Çdokush që ka hipur të paktën një herë në transportin publik në qytetin e Tiranës e ka një koment për cilësinë e shërbimit, kushtet në autobusë, pritjen e gjatë nëpër stacione, apo “luftën” për të hyrë e për të dalë nga autobusi.

Gjatë kohës që po drejton kryeqytetin e Shqipërisë, qytetari i parë i Tiranës Erion Veliaj ka bërë disa premtime për përmirësimin e cilësisë së transportit publik. Por çfarë ka ndodhur me disa ndër këto premtime, ndërkohë që dhe pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet e reja lokale?

Në emisionin ‘’Kapital’’ në Vizion Plus, dy vite më parë (tetor 2017) gjatë intervistës së tij,  ndër të tjera Veliaj foli për autobusët elektrikë, fillimisht për testimin e tyre dhe më pas për mundësinë e blerjes së një flote autobusësh të tillë dhe ofrimin e një teknologjie të re në qytetin e Tiranës që kishte të bënte me shërbimin GPS dhe biletat elektronike.

“Të parin autobus elektrik do ta testojmë në tetor, pastaj gjatë gjithë vitit do të kemi testime, që vitin tjetër të bëjmë një porosi edhe për një kompani publike ose minimalisht për t’i detyruar privatët të kalojnë në një transport shumë herë me ekologjik,”- tha ndër të tjera Veliaj.

Ky premtim i cili është dhënë në vitin 2017 dhe aktualisht është ende i parealizuar. Nëpër rrugët e Tiranës, autobusët që qarkullojnë për transportin e njerëzve nuk janë elektrikë, por punojnë me lëndë djegëse të cilat shkaktojnë një ndotje të madhe për mjedisin. Hapi i parë për këtë nismë ishte testimi i autobusëve, iniciativë që mbeti vetëm në këtë fazë.

Në po të njëjtin emision, Erion Veliaj premtoi fillimin e procedurave për biletat elektronike, gjë që do të sillte dhe lehtësira në këtë aspekt duke shmangur edhe fatorinot në autobus.

“Besoj se ai kërcimi cilësor do të jetë këtë vit kur ne do të fillojmë procedrat për biletën elektronike, pra që çdo gjë të bëhet elektronike pa kontakt fizik me fatorino dhe të tjerë,”- u shpreh kryebashkiaku i Tiranës Veliaj.

Edhe ky është një premtim i pambajtur nga kryetari i Bashkisë Tiranë Veliaj. Sot, njësoj siç ka ndodhur edhe dekada më parë, pajisja e pasagjerëve me bileta bëhet nga personi përgjegjës në linjat urbane siç është fatorino. Ende në mjetet e transportit urban nuk ka një kuti elektronike nëpërmjet së cilës udhëtarët të kryejnë aktivizimin e biletës elektronike.

Nëse autobusët (autobusin më saktë) elektrikë të paktën i pamë të testohen dhe kemi një ide se si mund të funksionojnë në të ardhmen, biletat elektronike mesa duket janë ende larg vënies në zbatim.

Por premtimet për transportin publik urban nuk kanë mbaruar ende. Po në vitin 2017, Veliaj premtoi se të gjithë udhëtarët do të mund të kontrollonin se ku ndodhej autobusi, sa kohë do të prisnin në stacion duke ditur edhe shpejtësinë e lëvizjes së tij falë sistemit të GPS-it që do të implemetohej në të gjithë urbanët.

“Sistemi i GPS ka filluar të na tregojë në mënyrë ekzakte se me çfarë shpejtësie dhe ku ndodhet saktësisht autobusi në fjalë. Brenda këtij muaji të gjitha linjat do të kompletohen dhe unë besoj që ky informacion nuk duhet të jetë vetëm monopol i bashkisë. Këtë informacion duhet ta ketë çdo qytetar i Tiranës,”- citohet të ketë thënë Veliaj.

Kaluan muaj, kaluan vite dhe ne nuk e kemi luksin apo privilegjin të dimë vendndodhjen e autobusëve (të paktën sipas sistemit GPS) , deri në momentin që ata shfaqen përpara këmbëve tona. Gjithsesi Bashkia Tiranë, në aplikacionin e saj “Tirana ime” ka një seksion të veçantë për transportin urban. Por përveç vendndodhjes së stacionëve të autobusëve, nuk ka informacion përsa i përket vendndodhjes së autobusit apo pas sa minutash mund të jetë në stacion.

“Faktoje” pyeti në disa linja urbani për të ditur nëse e ofronin këtë shërbim dhe as shoferët as fatorinot nuk ishin në dijeni të këtij inovacioni që në fakt do të ishte lehtësim për shumë qytetarë. Të vetmet që kanë informacion për vendndodhjen e autobusëve të linjave të tyre janë dispeçeritë të cilat kanë komunikim të vazhdueshëm me shoferët e mjeteve.

Nëse vazhdojmë ende të flasim për transportin publik në Tiranë ka shumë e shumë premtime të tjera që në disa raste nuk janë rezalizuar e në disa raste të tjera evidentohen si premtime gjysmë të mbajtura, siç mund të përmendim periodicitetin e autobusëve në çdo 5 minuta, kontrollet nga inspektorët për mbrojtjen e konsumatorit, apo përdorimin e kondicionerëve në ditët përvëluese të verës.

Na mjaftojnë tre PREMTIME TË PAMBAJTURA për transportin publik në Tiranë, për të shpresuar që në muajt në vijim ky shërbim të përmirësohet. Në të kundërt do të na duhet të presim nëse Erion Veliaj do të marrë një tjetër mandat në krye të Bashkisë Tiranë, për të bërë realitet edhe premtimet e mandatit të parë për transportin qytetas.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img