BallinaPertejPorti “5 mld dollarësh’’ i Karpenit, projekti gjigand që mbeti thjesht ide

Porti “5 mld dollarësh’’ i Karpenit, projekti gjigand që mbeti thjesht ide

MERXHAN DACI

Para pak më shumë se dy vitesh, doli në skenë projekti i ndërtimit të një zone ekonomike në bregdetin e Kavajës, ku përfshihej një port gjigand, centrale elektrike dhe depozita nafte.

Një kompani e vogël nga Mbretëria e Bashkuar e quajtur Star Bridge Port Developments Limited dha një projekt-ide për të ndërtuar në Karpen të Kavajës një port me vlerë 5 miliardë dollarë. Kompania kishte një kapital prej vetëm 100 paundësh britanikë. Një gjë e tillë ngriti dyshimet në opinion publik se projekti nuk ishte serioz.

———————————————————————————————–

Projekti quhej “Morgan” dhe parashikonte ndërtimin e një porti të ri gjigand në Karpen. Porti do të shoqërohej edhe nga një TEC i madh me gaz, një stacion rigazifikimi dhe nga një zonë e madhe ekonomike prej 1.700 hektarësh.

Në 21 korrik të vitit 2016 një projektligj me procedurë të përshpejtuar shkoi në Parlamentin e Shqipërisë për votim. Me këtë projektligj qeveria kërkonte miratimin për një procedurë “të veçantë” për negociatat me kompaninë britanike për portin e Karpenit.

Sipas projektit, vetëm faza e ndërtimit do të sillte 6.200 vende pune. Në përfundim të projektit, parashikohej të gjeneroheshin 70.100 vende pune për ekonominë shqiptare.

Pas më shumë se një viti negociata, në media u raportua se qeveria shqiptare dhe kompania në fjalë nuk ia dolën të finalizonin një marrëveshje.

Sot, në mars të vitit 2019 pothuajse askush nuk di asgjë se cfarë do të bëhet me portin e Karpenit.

Banorët, të pyetur nga ‘’Faktoje’’ thonë se kanë besim që një ditë projekti do të marrë jetë për t’i sjellë zonës më shumë zhvillim. Por ka edhe të tjerë që janë të paqartë nëse do të dëmshpërblehen me çmimin e tregut duke marrë parasysh se zona ekonomike e planifikuar është 1700 hektarë dhe një pjesë e banorëve të Karpenit do të shpërngulen për t’i hapur rrugë projektit.  

Kryeplaku i Karpenit, Daut Krasniqi konfirmoi për ‘’Faktoje’’ se fshati pothuajse nuk ka asnjë informacion se çfarë do të bëhet me portin.

‘’Faktoje’’ pyeti edhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkinë e Kavajës dhe kompaninë britanike se çfarë po bëhej me negociatat por nuk mori përgjigje.

Fshati Karpen vazhdon të mbetet njësoj dhe asnjë gjurmë nuk tregon që në të, të kryhen punime apo të ketë ndonjë projekt që mund t’i ndryshojë të ardhmen kësaj zone.   

Zhvillimi ekonomik për këtë fshat duket të jetë ende i largët përsa kohë projekte të tilla mbeten ende në letër apo më keq akoma, vetëm ide.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img