BallinaKomunitetet lokale kundër dezinformimitSi e përballuan pandeminë në Elbasan kategoritë që u lanë jashtë ndihmës së qeverisë

Si e përballuan pandeminë në Elbasan kategoritë që u lanë jashtë ndihmës së qeverisë

ELIONA BALLHYSA

Periudha e karantinës për shkak të COVID-19 solli vështirësi financiare për shumë shqiptarë, qofshin sipërmarrës, të punësuar apo vetëpunësuar, me ndihmë ekonomike, apo të papunë. Edhe në Elbasan, shumë persona të kategorive që u përjashtuan nga dy paketat ekonomike të shpallura nga qeveria prej muajit prill, janë përballur me probleme të mëdha ekonomike. Si ia kanë dalë të mbijetojnë personat e mbetur të papunë e që punonin në të zezë, komuniteti rom dhe komuniteti egjiptian, apo komuniteti i sportistëve?


Dadot dhe sanitaret në harresë! Punëtorët në të zezë jashtë paketës së ndihmës

Sipas një premtimi të kryeministrit Rama, në muajin prill punëtorët në të zezë do të paguheshin e madje edhe do shpërbleheshin nëse do të denonconin punëdhënësin.

“Ata që punojnë në të zezë duhet të kenë kurajon që të denoncojnë. Ne po bëjmë gati edhe një shpërblim financiar për ata që do të thonë se unë kam punuar në të zezë në filan kompani dhe sot nuk kam asnjë të ardhur, sepse jo se nuk kam punuar por s’më ka regjistruar pronari. Brenda 24 orëve ne do të kemi këtë ofertë të re për të gjithë ata që kanë punuar në të zezë. Do t’u japim një shpërblim financiar dhe do të marrin përsipër që ne ta ndjekim deri në fund punën e tyre“ – u shpreh kryeministri Rama më 14 prill gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në Facebook.

Rama premtoi edhe një pagese direkte prej 8 000 lekësh duke identifikuar një numër prej 70 000 familjesh të cilat nuk ishin përfshirë në paketën e ndihmës ekonomike gjatë pandemisë së Covid-19 .

Tre muaj pas këtij premtimi, punëtorët në të zezë nuk kanë përfituar ndonjë pagesë, ndërsa shifrat zyrtare tregojnë se kjo kategori përbën një komunitet të madh. Bazuar në një raport të Bankës Botërore, 36 përqind e totalit të të punësuarve në Shqipëri, janë informalë.

Në Elbasan e patëm shumë të lehtë të gjejmë individë të kësaj kategorie që gjatë pandemisë e patën të vështirë mbijetesën.

Denada Roko prej 4 vitesh punon si dado. Ajo tregon se është lidhur shumë me familjen ku punon dhe me djalin 5-vjeçar për të cilin kujdesej çdo ditë derisa nisi karantina. Gjatë atyre dy muajve iu desh të qëndronte në shtëpi, jo vetëm për faktin se duhet të respektonte Aktin Normativ për kufizimin drastik të lëvizjeve, por edhe për të mbrojtur veten dhe familjen nga infektimi me covid. Nga ana tjetër edhe prindërit e fëmijës për të cilin kujdesej qëndruan në shtëpi. Por kjo solli vështirësi financiare për Denadën e cila për dy muaj thotë se nuk mori pagën e saj mujore prej 15 mijë lekësh, ndërkohë që qeveria nuk e përfshiu këtë kategori në paketën e ndihmës. Familja e Denadës, përgjatë të pandemisë mbijetoi me kursimet dhe pagën e bashkëshortit, i cili punon në një dyqan ushqimor me shumicë, që gjatë pandemisë qëndroi i hapur.

“Tani aktualisht jam në punë. Por dy muaj nuk e pata të lehtë për t’i kapërcyer vështirësitë ekonomike”- thotë Denada.

Denada Roko, dado/ FOTO: Eliona Ballhysa

Si ajo, janë të shumtë punëtorët në të zezë, të cilët pavarësisht premtimeve mbetën pa asnjë ndihmë nga qeveria gjatë pandemisë.

Blerina, 35 vjeç, punon prej pesë vitesh si pastruese në disa familje dhe muajt e izolimit, kohë gjatë së cilës ajo nuk mundi dot të punojë, i përshkruan si një periudhë të zymtë.

“Unë jetoj në sajë të krahëve të mi, duke punuar tek 3-4 familje elbasanase. Ato 3 muaj që mbeta pa punë, isha në pikë të hallit, dhe s’më ka ndihmuar askush, pavarësisht se kam kërkuar ndihmë tek njësia administrative nr. 4, në Lagjen Viserjon Xhuvani, sërish nuk më ka ardhur asnjë pako ushqimore. Ia kam dalë me të keq, në mënyrë që 2 fëmijët e mi të vegjël të mos vdisnin urie dhe falë vëllezërve dhe motrave kanë mundur të mbijetojnë”- tregon Blerina, e pyetur për “Faktoje”, e cila nuk pranoi të fotografohej. Tani që i është rikthyer punës, ajo ndihet më e dobët ekonomikisht, pasi njëra nga familjet ku shërbente, ka mbyllur biznesin dhe nuk ka më nevojë për një pastruese.

“Pagesa mesatare në muaj më shkonte diku tek 250 mijë lekë (të vjetra). Por tani as 150 mijë lekë të vjetra nuk i kap dot. Jam në përpjekje të vazhdueshme për të gjetur edhe ndonjë familje të katërt, por mesa shoh do të duhet goxha kohë që familjet elbasanase ta marrin veten nga kriza që na ka kapluar të gjithëve.”- rrëfen Blerina. Ajo planifikon që sapo të rimëkëmbet pak ekonomikisht të nisë të paguajë siguracionin minimal, në mënyrë që të përfitojë pension.

Kur u interesuam pranë Bashkisë Elbasan dhe Zyrën Rajonale të Punësimit për numrin e punëtorëve në të zezë në këtë qark, na thanë se nuk e disponojnë si informacion.

Screenshot i përgjigjes, zyra rajonale

“Zyra Rajonale e Punësimit nuk ka djeni (në shifra zyrtare) se sa mund të jenë individët të cilët punojnë në të zezë. Në politikat e këtij institucioni fokusi është reduktimi i punës në të zezë dhe jo evidentimi i tyre”- thuhet në përgjigjen që morëm. Zyra Rajonale e Punësimit, sqaroi se mban vetëm informacion në lidhje me punëkërkuesit e papunë të regjistruar në këtë institucion.

Pas kësaj përgjigjeje dërguam një tjetër kërkesë ku interesoheshim sesa është numri i punëkërkuesve të papunë përgjatë muajve mars-maj 2020 dhe sa ka qenë në të njejtën periudhë të një viti më parë. Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk morëm përgjigje.

Ndërkohë Bashkia Elbasan na ka dhënë këtë informacion lidhur me shpërndarjen e ndihmave ushqimore, sipas kategorive:

“Janë trajtuar 4500 familje me pako ushqimore të siguruara nga fondet e bashkisë, përfshihen këtu familje të ndihmës ekonomike, familje të dëmtuara nga tërmeti dhe familje përfituese të bonusit të strehimit. Nëpërmjet fondacioneve dhe institucioneve të ndryshme janë shpërndarë për familjet në nevojë edhe rreth 4000 pako të tjera ushqimore. Nëpërmjet UNICEF janë siguruar dhe do furnizohen 1000 familje me kite higjienike.”

Komuniteti rom dhe komuniteti egjiptian plot ankesa, por bashkia deklaron se janë ndihmuar

Albert Pano është një burrë rreth të 45-ave, punëtor në ndërtim, tregon se gjithë kohën ka punuar në të zezë. Çdo mëngjes ai del me shpresën se dikush do të kalojë në kryqëzimin e “1 majit” në Elbasan dhe do ta marrë për punë, por kjo shpresë ka filluar të venitet çdo ditë e më shumë, veçanërisht që pas shfaqjes së pandemisë Covid-19.

“Është shumë e vështirë të gjesh punë në këtë kohë. Tani po i heqin nga puna. Edhe para pandemisë puno dy ditë edhe rri 20 ditë. Përfitoj ndihmë ekonomike. Gjatë pandemisë kam marrë dy herë nga 50 mijë lekë (të vjetra) ”- tregon ai, i pyetur për “Faktoje”.

Albert Pano, punëtor krahu/ FOTO: Eliona Ballhysa

Gjatë periudhës së izolimit nga pandemia askush nuk i solli pako ushqimore, megjithë kërkesat e vazhdueshme për ndihmë.

Ndërkohë Bashkia Elbasan, e pyetur për “Faktoje”, thotë se familjet në nevojë të komuniteteve rome dhe egjiptiane janë furnizuar me nga 2-3 paketa ushqimore.

“Më vështirësi të madhe e kemi përballuar. Kemi marrë veresie. Jemi mbyt e zhytur në borxhe. Kam 3 kalamaj në shkollë. I kam të vegjël, s’i kam krah pune. Nusja pa punë, unë vetë pa punë. Ia kemi dalë me punë të zezë, ku të dalë. Asnjë s’na ka ndihmu, ndihmës ekonomike kemi marrë 50 mijë lekë (të vjetra). Ç’a është kjo 50 mijë lekë, vetë i pestë. Na bie 10 mijë lekë për frymë”- tregon i mërzitur Alberti.

Ai rrëfen se merr një ndihmë ekonomike prej 7 mijë lekësh të reja, me të cilat kalon muajin me sakrifica, ndërsa faturat e ujit dhe energjisë, ka muaj pa i paguar.

“Kemi marrë ushqime me listë te marketet, jemi në borxhe me ta. Nëse vendi mbyllet sërish ne do ngordhim, do vdesim. Edhe kalamajt në shkollë s’do i çoj se nuk i kam kushtet. S’kam lekë, duan ushqim, duan fletore libra. S’kemi ça të bëjmë do vuajmë”- përfundon i trishtuar Alberti.

Kimetja, është pjesëtare e komunitetit rom në qytetin e Elbasanit. Puna e vetme që ka bërë është shitja e rrobave të përdorura, por tanimë ajo si shumë shitës të tjerë ambulantë të këtij komuniteti është përballur me rregullat e reja të protokollit anti-covid.

Kimete, shitëse e rrobave të përdorura/ FOTO: Eliona Ballhysa

“Ne kemi shitur, por tani s’na lenë të shesim. Megjithëse tani ka rënë edhe fuqia blerëse. Njerëzit nuk kanë pare të vijnë të blejnë. E kemi shumë të vështirë të jetojmë. Jemi pa asistencë, jemi vetë i 9-të”- tregon Kimetja, e pyetur për “Faktoje”. Ndërsa shton se sfida më e madhe gjatë pandemisë ka qenë të ushqyerit.

“Gjithë këto muaj pa asistencë kemi jetuar. Me një pension i mbaja, vetëm me 70 mijë lekë (të vjetra) dhe 30 mijë lekë që merr plaku nga bashkia. A ia dilet me këto pare që na dha Edi Rama? Nuk i dilet. Kemi vuajtur pikën e zezë e kemi vuajtur këtë krizën. Bukë thatë kanë ngrënë kalamajt. E ka çuar aty ku nuk mbahet. Kishte njerëz që edhe pa bukë i linin kalamajt”- rrëfen ajo.

Kimetja ka qenë përfituese e pakove ushqimore të shpërndara nga Bashkia e Elbasanit 3 herë, por ajo rrëfen se nuk i kanë mjaftuar për të shtyrë ditët gjatë muajve të pandemisë.

E pyetur për “Faktoje” se çfarë do të bëjë ajo dhe familja e saj nëse vendi kthehet në karantinë, për shkak të numrit gjithnjë në rritje të rasteve të shfaqura me koronavirus, ajo thotë:

“Ne do ngrihemi të gjithë si lagje dhe do shkojmë të gjithë si bashki. Ja atë punë do bëjmë. Vetëm të vdesim të gjithë, jo nga zoti, por nga njeriu.”

Nga ana tjetër Bashkia Elbasan, e pyetur për “Faktoje”, tha se gjatë pandemisë të gjitha familjet përfituese të ndihmës ekonomike kanë marrë 2 paga shtesë dhe është në proces dhënia e pagës së tretë.

“Në Bashkinë Elbasan banojnë rreth 2600 persona të komunitetit rom dhe 5600 persona të komunitetit egjiptian. Janë vlerësuar në nevojë dhe marrin ndihmë ekonomike 176 familje të komunitetit rom dhe 450 familje të komunitetit egjiptian. Po ashtu kanë përfituar në tërësi si bashki edhe 171 familje me pagë ekstra prej 16.000 lekë të reja, (pagë lufte) të cilat gjatë periudhës Korrik 2019-Prill 2020 nuk kanë plotësuar pikët për të përfituar ndihmën ekonomike.” – tregojnë përfaqësues të Bashkisë Elbasan.

Taksistët e shoferët e furgonave hasën vështirësi financiare gjatë dhe pas pandemisë

Florenc Muho ose Veri siç e njohin të gjithë, prej 15 vitesh punon si taksist në Elbasan. Ai rrëfen vështirësitë që po has qëkur u shfaq panemia, ndërsa gjendja ekonomike sa vjen e po i rëndohet.

“Para pandemisë kemi pasur punë mesatare, por tek ne financiarisht ndikoi shumë periudha e pandemisë, si në çdo biznes tjetër fundja. Dhe kjo periudhë tjetër tani e rikthimit në punë pas pandemisë është më e dobët”- tregon ai.

Florenc Muho, taksist/ FOTO: Eliona Ballhysa

Përsa i përket protokollit të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë për rregullat e reja anti-covid që taksistët duhet të ndjekin, Veri na rrëfen se është e vështirë që të lëvizësh, pasi ende po operohet me kufizime.

“E vështirë është pasi akoma nuk po funksionojmë plotësisht. Ku mbahet me dy veta taksia, siç e parashikon protokolli! Prisnim që kjo të shfuqizohej kur të mbaronte periudha e emergjencës, por asgjë s’na ka ndryshuar. Po punohet me kapacitet jo të plotë, që do të thotë se nga 4 marrim 2 persona, dhe ato janë familjarë e s’mund t’i ndajmë dot, p.sh. mund të jetë burri me gruan dhe dy kalamajt. Çdo gjë është e bllokuar, biznesi nuk po funksionon siç duhet, po punojmë në kushte shumë të vështira”-thotë Veri për Faktoje.

Ai tregon se ka marrë pagën e luftës, me të cilën kanë mbijetuar këto muaj.

Të shumtë kanë qenë shoferët e transportit publik të furgonëve dhe autobusëve në qarkun e Elbasanit që gjatë periudhës së pandemisë e mbyllën aktivitetin e tyre. Megjithëse nuk pranojnë të identifikohen, ata tregojnë se mungesa e punës për të paktën 2 muaj i përballi me vështirësi të shumta financiare.

Ne pyetëm pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit mbi numrin e shoferëve të punësuar në aktivitetin e transportit publik, por ky institucion nuk e dispononte këtë të dhënë.

“Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor nuk e disponon informacionin mbi numrin e shoferëve të punësuar në aktivitetin e transportit publik. Nga verifikimi i të dhënave për transportin ndërqytetas që lidh midis tyre dy qytete të ndryshme dhe DPSHTRR-ja është autoriteti përgjegjës për certifikimin e mjeteve rezulton se në qarkun e Elbasanit operojnë gjithsej 198 mjete tip autobus 8+1 vende.

Gjithashtu me shkresën Nr. 11061 Prot, datë 16.06 2020, DPSHTRR-ja i ka propozuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë që punonjësit e aktivitetit të transportit publik, duke marrë në konsideratë faktin se rifilluan aktivitetin në datë 22 qershor të përfitojnë edhe një pagë shtesë prej 26 mijë lekësh për muajin qershor 2020”- tha zëvendës drejtori i përgjithshëm Endri Haxhiu.

Sipas Haxhiut, më datë 19.05.2020 DPSHTRR-ja u ka kërkuar njësive të qeverisjes vendore marrjen në konsideratë të faljes së taksave dhe detyrimeve vendore për vitin 2020 për subjektet që operojnë në aktivitetin e transportit publik të udhëtarëve.

Përgjigja e DPSHTRR

Por Kujtim Mema, kryetari i Shoqatës së Transportit Kombëtar Interurban i pyetur për “Faktoje”, tha se as Bashkia Elbasanit dhe as Bashkia Tirana nuk e ka hequr taksën vendore për operatorët e transportit publik. Bëhet fjalë për një taksë vjetore që varion nga 30-38 mijë lekë të reja, që i rëndon buxhetit të operatorëve të transportit interurban.

Futbollistët përfituan dy paga nga federata, qeveria i la në baltë!

“Për çfarë t’i paguajmë futbollistët?! Për faktin që janë paguar historikisht shumë më tepër sesa kanë deklaruar?! Sepse po t’i shohësh, i deklarojnë si fasone dhe paguhen shumë mirë në fakt. Prandaj mos ta hapim më tej këtë temë se shkon e gjatë pastaj. Sportistët janë paguar mirë dhe këtë luftë e kalojnë pa ndihmën e shtetit”. Kështu është shprehur Kryeministri Rama në 16 prill në një intervistë në emisionin “Opinion” ku konfirmoi lënien e futbollistëve jashtë skemës për ndihmën gjatë pandemisë.

Endri Duka, kapiten i skuadrës së futbollit të Elbasanit thotë se pavarësisht se futbollistët kanë firmosur kontrata individuale, në shumicën e rasteve vetëm 10% e kësaj kontrate respektohet, ndaj edhe këtë komunitet pandemia e gjeti në situatë të vështirë.

“Ne jemi munduar me e mbajt trupin me stërvitje, me dalë afër fushave, kush ka pasur mundësi, duke shfrytëzuar fashat e orarit kur lejohej lëvizja e lirë. Nuk e di sa ia kemi dalë, por jemi munduar ta mbajmë trupin në formë derisa tani kemi filluar stërvitjen normalisht. Kemi marrë vetëm dy pagesa nga Federata Shqiptare e Futbollit që na është gjendur në kohë pandemie dhe asgjë tjetër. Jemi munduar të sistemohemi me ato që kemi marrë”- tregon Duka.

Endri Duka, kapiten i skuadrës së Elbasanit

Federata e Futbollit ka dhënë dy paga nga 30 mijë lekë për futbollistët profesionistë, ndërsa Duka thotë se pagat e futbollistëve variojnë nga 30-60 apo 80 mijë lekë, në bazë të kontratave individuale të secilit futbollist me klubin sportiv.

Sipas Federatës Shqiptare të Futbollit në qarkun e Elbasanit numërohen rreth 350 të rinj e të reja që aktivizohen në të gjitha skuadrat që ka ky qark dhe në të gjitha kategoritë e moshave.

Përmes një reagimi, pasi u pyet për “Faktoje”, FSHF deklaroi:

“Siç dihet gjatë periudhës së karantinës për shkak të pandemisë Covid-19 u ndërpre edhe aktivititeti futbollistik dhe të gjithë ata që nuk kishin të ardhura të tjera ekonomike për arsye të ndërprerjes së aktivitetit, siç ishin trajnerët e ekipit të moshave apo futbollistët profesionistë, punonjësit e klubeve, etj., duhet të kishin një mbështetje të minimumit jetik nga qeveria.

Por qeveria përmes një vendimi absurd e përjashtoi sportin nga kjo mbështetje, në një kohë që sporti, dhe në këtë rast futbolli, kontribuon si gjithë të tjerët, paguan taksa dhe nuk punon në të zezë.

Të ndodhur në këto kushte FSHF-ja mori një vendim për të mbështetur të gjithë ata që punojnë në industrinë e futbollit me aq mundësi sa kishte përmes asaj që ne e quajtëm paketa e solidaritetit futbollistik.”

Nga paketa e ndihmës së FSHF, raportohet të jenë ndihmuar 60 futbollistë.

Ekspertët: Kriza ekonomike pas Covid-19, është si tërmeti

Eksperti i ekonomisë Panajot Soko thotë se krizat ekonomike janë si tërmetet. Ai thekson se më të dobëtit gjithnjë janë më të predispozuar të thyhen.

“Ndërtesat më të dobëta shkatërrohen, të fortat dëmtohen dhe 1% nuk pësojnë asgjë. Sa më e fortë kriza, aq më i madh është efekti. Kriza aktuale, për nga përmasat, parashikohet të jetë një depresion i dytë i madh.

Aktualisht efektet i ndjejnë vetëm shtresat vulnerabël, qoftë shoqërore apo dhe biznesi. Familjet e varfëra, ato me pak të ardhura, bizneset e vogla, kompanitë e pakonsoliduara në treg. Bizneset e vogla dhe të mesme do të pësojnë fatin më të keq. Zinxhiri këputet gjithmonë tek hallka më e dobët”- thotë eksperti.

Ashtu si në mbarë vendin edhe në qarkun e Elbasanit, sipas ekspertit problemi më i rëndë i kësaj situate është rritja e papunësisë dhe mbyllja e bizneseve që nuk do t’i mbijetojnë dot krizës ekonomike.

Rrethi i Elbasanit ka një popullsi prej 279.991 banorë. Bazuar në të dhënat e Këshillit të Qarkut Elbasan zhvillimi ekonomik i zonës urbane bazohet në sipërmarrjet e vogla dhe të mesme që janë kryesisht biznese të vogla familjare, ato që raportohen edhe si më të prekurat nga efektet e krizës së shkaktuara nga pandemia.  Në Qarkun e Elbasanit ushtrojnë aktivitet ekonomik rreth 7800 subjekte, rreth 65% ndodhen në qytetin e Elbasanit.

*Foto e parë është marrë nga The One Brief

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img