BallinaKomunitetet lokale kundër dezinformimitMësimi online gjatë pandemisë, në Elbasan vetëm 3 nxënës romë morën smartphone

Mësimi online gjatë pandemisë, në Elbasan vetëm 3 nxënës romë morën smartphone

BARDHA NERGJONI

Sa të vërteta janë shifrat e deklaruara nga Ministria e Arsimit për mundësitë e ndjekjes së mësimit përmes platformave online, gjatë pandemisë? Në një verifikim të bërë për “Faktoje”, për aksesin e tyre nga nxënësit e komunitetit rom-egjiptian në Elbasan, mësuam se rreth 200 nxënës janë pa telefona. Situata kthehet në kufijtë e ironisë, pasi shumica e familjeve të tyre nuk kanë as energji elektrike, ndërsa interneti është një luks që s’mund t’ia lejojnë vetes.


Ministrja e Arsimit Besa Shahini ka deklaruar në fillim të prillit nëpërmjet rrjeteve sociale dhe në media të ndryshme se thuajse 98% të nxënësve shqiptarë janë përfshirë në një nga format e komunikimit online me mësuesit e tyre, gjatë periudhës së kufizimeve të pandemisë.

Ndërkohë deputeti Luçiano Boçi, në një reagim në profilin e tij në Facebook e ka kundështuar këtë shifër përmes disa postimeve, duke sjellë shifra të tjera që flasin për një nivel shumë më të ulët të mundësisë për të përdorur internetin apo ndjekjes së platformave të mësimdhënies në RTSH.

9 prill Boçi kontestoi të dhënat e ministres sipas të cilës ndjekja e platformës televizive nga nxënësit ishte 98%.

21 prill ish-deputeti Luciano Boçi duke përdorur shifrat e publikuara nga INSTAT, sipas të cilit, vetëm 68% e familjeve  shqiptare kanë akses në internet, hodhi poshtë sërish deklaratën e ministres Shahini.

Por si është situata në nivel vendor për qarkun e Elbasanit? Në një informacion të publikuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, Zyra Vendore Arsimore konfirmon se 96% e nxënësve kanë komunikim të vazhdueshëm me mësuesit nëpërmjet një prej formave të teknologjisë.

Sipas komunikimit zyrtar me ministrinë e Arsimit, Zyra Vendore Arsimore në Elbasan ka raportuar pranë Ministrisë së Arsimit se 205 nxënës të komunitetit rom dhe 1215 nxënës nga komuniteti egjiptian ose 86,8% e nxënësve romë dhe 92% e nxënësve egjiptianë janë të regjistruar në shkollë, ndjekin rregullisht mësimin online duke përdorur forma të ndryshme si platformën në RTSH, bisedat telefonike, rrjetet sociale, Messenger, platforma Google Classroom, Whatsapp, Akademia.al, sms, web i shkollës etj.

Raportimi është përcjellë nga Ministria e Arsimit nëpërmjet një komunikimi me e-mail me aktivistë të Lëvizjes Rinore Egjiptiane Rome.

Por LRER bën me dije se vetëm tre nxënës të komunitetit egjiptian kanë përfituar telefona ‘smart’ nëpërmjet ministrisë së Arsimit gjatë periudhës së pandemisë.

Situata në realitet

Rreth 27 mijë nxënës rezultojnë të regjistruar në shkollë për vitin 2019-2020 në bashkinë Elbasan.

Numri i familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike në bashkinë Elbasan është rreth 6600. Nga këto, 250 familje i përkasin komunitetit rom. Punësimi i familjeve të këtij komuniteti është kryesisht në të zezë dhe i përqendruar në tregtinë e rrobave të përdorura. Mesatarisht një familje rome ka katër fëmijë, ndërkohë një familje egjiptiane ka mesatarisht 3 fëmijë.

Enver Mustafaj, përfaqësues i komunitetit rom në lagjen Rrapishtë thotë se shumica e fëmijëve romë në këtë zonë, nuk kanë as telefon të thjeshtë në shtëpi.

“Unë jam shumë i informuar për zonën time dhe e them me bindje se më shumë se 70% nuk kanë as telefona të thjeshtë në shtëpi. Kryesisht janë nxënës të klasave të ciklit të ulët. Ka një përqindje që nuk kanë as energji elektrike dhe shumica, me dijeninë e prindërve të tyre, nuk e kanë ndjekur mësimin online. Jam i bindur se nëse përsëritet situata dhe nuk u sigurohet teknologjia e nevojshme, fëmijët romë do të mbeten të paarsimuar dhe në shumicë kthehen në kontigjent që e braktisin shkollën”-thotë ai.

Marsela Braho, pjesëtare e komunitetit rom ka dy fëmijë në shkollë dhe gjatë pandemisë është përpjekur t’i ndihmojë vetë ata për mësimet, pasi jo vetëm që nuk ka telefon, por as energji elektrike e aq më pak internet. Familja e Marselës trajtohet me ndihmë ekonomike dhe si të ardhura shtesë ka shitjet e pakta nga bashkëshorti, që për shkak të pandemisë u ndërprenë. Gruaja deklaron se ka marrë vetëm një herë ndihma në ushqime dhe detergjentë nga bashkia, të cilat nuk i kanë mjaftuar.

“Kam një fëmijë në klasë të katërt që ka fotografinë në tabelën e nderit për rezultatet në mësime dhe një fëmijë në klasë të parë. Këtë në klasë të parë mundohem ta mësoj vetë, kurse atë në klasë të katërt nuk e mësoj dot, i ka mësimet e vështira.”-thotë Braho.

Në të njëjtat kushte është edhe Florenca Mustafaj, po nga komuniteti rom. Ajo ka dy vajza dhe pranon se ato nuk e kanë ndjekur dot mësimin online.

“Familja ime nuk merr ndihmë ekonomike. Nuk kemi mundësi as të blejmë telefona të mirë për fëmijët. Ne nuk kemi lekë të paguajmë dritat e jo të kemi telefona. Askush nuk na ka pyetur keni apo nuk keni telefon. Në fakt mësueset e dinë dhe thonë se e kanë përcjellë,  po asnjë nuk u interesua për fëmijët tanë sesi mësojnë!”-thotë Florenca.

Shkollat identifikuan 220 nxënës të komunitetit rom dhe egjiptian pa akses në mësimin online

Organizata “Lëvizja Rinore Egjiptiane Rome” në Elbasan bëri një pyetësor për prindërit e fëmijëve në moshë shkollore, nga dy komunitetet, për nivelin e aksesit në mësimin online. Të dhënat e pyetësorëve u bashkuan edhe me zona të tjera të Shqipërisë ku ka përqendrim të këtyre komuniteteve duke dalë në një shifër shumë më të ulët nga ajo e deklaruar për përqindjen e pjesëmarrjes së nxënësve të këtyre komuniteteve në mësimin online.

Ndërkohë në bashkëpunim me shkollat e ZVA Elbasan kjo organizatë identifikoi 220 nxënës që nuk kanë asnjë nga mundësitë për të marrë pjesë në procesin mësimor.

Nga kërkimet që LRER ka bërë dhe nga komunikimi me drejtuesit e shkollave, vetëm në shkollën 9-vjeçare “Hamit Mullisi” rezultojnë pa akses në grupet e mësimit online 80 nxënës të komunitetit rom.

Ndërkohë në shkollën “Sulë Misiri” numërohen 80 nxënës pa smartphone, në shkollën “Ptolome Xhuvani” rezultojnë 50 nxënës pa smartphone, ndërsa 23 nxënës të tjerë që nuk disponojnë asnjë mjet teknologjik për të zhvilluar mësimin online, janë të shpërndarë në shkolla të tjera.

Sipas drejtuesit të organizatës “Lëvizja Rinore Egjiptiane Rome” në Elbasan, Ervis Çota ky numër i nxënësve të konfirmuar nga komunikimi me drejtuesit e shkollave se nuk kanë telefonë për ndjekjen e mësimit online, mund të jetë edhe më i lartë.

“Ne kemi pasur komunikim të vazhdueshëm edhe me prindërit. Ka shumë raste që kanë pasur një ose dy herë komunikim me mësuesit dhe veçanërisht me mësuesin kujdestar. Shkollat e dinë sa nxënës kanë ose jo mundësi për të qenë pjesë e mësimit. Të jemi të ndërgjegjshëm që me një telefon të thjeshtë mësuesit nuk kanë çfarë të bëjnë, pasi duhet të merren me 30 nxënës njëkohësisht”-thotë ai.

Anila Zero nga komuniteti egjiptian tregon se djali i saj e përfundoi me shumë vështirësi klasën e gjashtë.

“Ne nuk kishim mundësi të blinim një telefon të mirë dhe djali im ka komunikuar gjithsej dy herë në tri muaj me mësueset. Mundohej të mësonte vetë në shumicën e rasteve, pasi mundësi tjetër nuk kishim. Djali im ishte ndër të parët e klasës dhe ka rënë shumë. Nëse mësimi do vazhdojë online fëmija im do të ketë shumë vështirësi. Pres që shteti të më ndihmojë pasi unë vetë nuk mundem!”-thotë Anila.

Ne biseduam me disa mësuese të shkollës “Hamit Mullisi”, por edhe të shkollave të tjera ku mësojnë nxënës të komunitetit rom dhe egjiptian. Mësueset na konfirmuan se ka pasur raste të nxënësve që nuk kanë mjetet e përshtatshme, por janë shfrytëzuar të gjitha mundësitë që edhe ata të aktivizohen në procesin mësimor. Kryesisht nxënësit që kanë hasur më shumë vështirësi janë të klasave të ciklit të ulët.

“Ne jemi munduar t’i përfshijmë në mësim, por kuptohet që është e vështirë pa mjetet e nevojshme. Për raste të tilla kemi referuar”- thotë një mësuese në arsimin fillor, e cila nuk pranoi të identifikohet.

Mësuesit e kontaktuar të shkollave në Elbasan ku ka nxënës romë dhe egjiptianë,  konfirmojnë gjithashtu se ka pasur mungesë interesi nga një numër nxënësish, të  cilët nuk kanë qenë aktivë gjatë procesit edhe pse të pajisur me telefona ‘smart’.

Organizata “Lëvizja Rinore Egjiptiane Rome” i ka nisur një kërkesë Ministrisë së Arsimit bashkë me listat e emrave për të siguruar mjetet e nevojshme për pajisjen e nxënësve gjatë periudhës së pandemisë, por deri tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Ne u interesuam nëse bashkia Elbasan ka pasur ndonjë nismë për të ndihmuar nxënësit e komuniteteve në nevojë, përfshirë ata romë dhe egjiptianë, për mundësimin e mësimit online. Ajo që mësuam ishte se puna e institucionit vendor në kohën e pandemisë është fokusuar tek ndihmat në ushqime dhe detergjentë.

Ne kontaktuam nënkryetarin e bashkisë Elbasan Ervin Saraçi i cili na konfirmoi se institucioni nuk ka pasur një projekt konkret për aksesin në mësimin online, por tha se është duke u menduar një nismë e tillë në bashkëpunim me një organizatë jo fitimprurëse që vepron për këtë komunitet.

Nga kontaktet me përfaqësues të organizatës, ende nuk ka asgjë të formalizuar në këtë drejtim. Ndërkohë aktivistët e LRER të angazhuar në nismën për të pajisur me mjetet e nevojshme nxënësit pa mundësi ekonomike, konfirmojnë se deri sot nuk kanë marrë një përgjigje nëse do të ketë një zgjidhje për këta nxënës, të cilët mund të përballen sërish në shtator me mësimin online në mungesë të telefonave që ua mundësojnë pjesëmarrjen.

*Foto e parë është marrë nga Getty Images

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img