BallinaKomunitetet lokale kundër dezinformimitKorçë, Covid-19 rrënoi biznesin e bar-kafeve, dështoi edhe "strategjia" e bashkisë për festat në format pandemie

Korçë, Covid-19 rrënoi biznesin e bar-kafeve, dështoi edhe “strategjia” e bashkisë për festat në format pandemie

DANIELA ZISI

Thuajse 1/4 e bizneseve bar-kafe në Korçë, nuk i rezistuan dot krizës që shkaktoi pandemia. Edhe pas rinisjes së aktivitetit, sektori i shërbimeve mbetet më i godituri nga efekti domino i saj. Numri i turistëve u reduktua në mënyrë drastike dhe ky lloj shërbimi e mbylli sezonin e verës me përgjysmim të të ardhurave, shkurtim të vendeve të punës dhe në disa raste falimentim. Në këto kushte bizneset e vogla që mbijetuan, kërkuan lehtësim të disa taksave nga bashkia, një ide që mbështetet edhe nga ekspertët e ekonomisë. Por bashkia e cila dështoi në strategjinë për të përshtatur festat masive lokale në kushtet e pandemisë, e refuzoi këtë kërkesë.


Gjatë stinës së verës, të shoqëruar me kufizimet që solli pandemia e Covid-19, bizneset në Korçë arritën të mbijetonin duke mos shlyer detyrimet ndaj të tretëve. Pas muajsh sakrifice, ata janë mosbesues se vendimi i fundit të qeverisë, për lejimin e shërbimit në mjediset e brendshme të bareve, lokaleve dhe restoranteve do përmirësojë situatën. Lehtësimi nga taksat për muajt kur u pezullua aktiviteti dhe rishikimi i tyre për muajt në vazhdim, janë kërkesa që biznesi i konsideron thelbësore për të tejkaluar krizën. Në të kundërt, ajo rrezikon të marrë përmasa edhe më të mëdha gjatë muajve të dimrit, kur frekuentuesit do të jenë edhe më të paktë. Vetëm gjatë periudhës mars-maj 2020, sipas shifrave të bashkisë, 24 subjekte nga 100 në total, aplikuan për t’u çregjistruar, duke dorëzuar licensat.

Shumica e bar-kafeve në Korçë janë ngritur si biznese familjare dhe kriza e shkaktuar nga pandemia, po prek një numër gjithmonë e më të madh qytetarësh, që të ardhurat e vetme, i sigurojnë nga ky aktivitet.

Një prej tyre është edhe Ergys Priska, i cili ka në pronësi një lokal të vogël në qendër të qytetit. Prej qershorit dhe në vazhdim, Ergysi thotë se nuk ka nxjerrë asnjë të ardhur nga biznesi, pasi shërbimi në mjediset e brendshme nuk lejohej, ndërsa bashkia e ndalon të nxjerrë tavolina jashtë, për shkak të distancës së vogël mes objektit me lulishten “Vangjush Mio”.

30 vjeçari, i cili me këtë aktivitet mban familjen me tre anëtarë, nuk e përfitoi dot pagën e luftës, për shkak të vonesës prej tre ditësh të aplikimit, që siç thotë, ndodhi për faj të sistemit.

“Jo vetëm që nuk mora pagë lufte, por edhe u penalizova me një gjobë 200 mijë lek nga tatimet, për vonesë në deklarimin e të ardhurave. Edhe pse nuk kisha klientë, lokalin e kam mbajtur hapur, shpresoja që masat shtrënguese do të lehtësoheshin dhe që në fakt ndodhi prej 1 tetorit.” – thotë Ergysi.

Por për lokalet që kanë pak hapësirë në ambjente të brendshme si lokali i tij, me masat që imponon protokolli anti covid, ai nuk mund të vendosë më shumë se 3 tavolina për klientët.

“Familjen e kam mbajtur gjatë muajve të izolimit me ndihmat e vëllezërve. Çdo muaj duhet të paguaj rreth 20 mijë lekë tarifa vendore dhe detyrime të tjera, të cilat e tejkalojnë shumën e xhiros që nxjerr nga aktiviteti.” – ankohet ai.

Thuajse bosh janë edhe lokalet dhe baret e Pazarit të Vjetër, një ndër zonat më të frekuentuara të qytetit. Pak klientë gjen edhe në lokalin e Renato Çunotit, i cili ishte i pari që hapi këtë aktivitet pas restaurimit të Pazarit, pesë vite më parë.

“Sezoni i dobët turistik, pasuar nga ndalimi i muzikës, paralizoi thuajse plotësisht punën gjatë gjithë verës”- thotë Renato, të cilit iu desh të mbyllte lokalin tjetër në qendër të qytetit, ku nuk ka hapësirë për të shërbyer jashtë.

Për të ulur shpenzimet dhe siguruar mbijetesën, bizneset u detyruan të bëjnë shkurtime të punonjësve.

“Jemi thuajse të falimentuar dhe nuk paguajmë dot as punonjësit që na kanë mbetur.”- pohon Renato Çunoti, i cili nga marsi dhe në vazhdim ka shkurtuar 12 vende pune,

“Me të ardhurat që nxjerr nga lokali nuk shlyej dot qiranë, taksat dhe tarifat vendore, të cilat në kushtet kur të ardhurat kanë rënë në minimum, janë të papërballueshme”- pohon ai.

Turizmi këtë verë përjetoi periudhën e tij më të keqe, duke shënuar përgjysmim të numrit të turistëve që frekuentuan Korçën dhe destinacionet rreth saj.

“Anulimi i festave lokale, që mbushnin qytetin me vizitorë nga gjithë Shqipëria, por edhe nga jashtë kufijve, ishte shkaku kryesor, që këtë verë patëm gati 50% më pak turistë se vitin e kaluar.”- pohon Megi Koleci, përgjegjëse e Zyrës së Turizmit dhe Projekteve në bashki.

“Nga ana tjetër, ndikoi negativisht edhe mbyllja e kufijve, sidomos me Greqinë, prej nga vinin njē numër i konsiderueshëm turistësh dhe sidomos emigrantë.”-pohon ajo.

Që prej shfaqjes së pandemisë e deri në muajin gusht, sipas Shërbimit Kombëtar të Punësimit, në bashkinë e Korçës kanë përfituar asistencë 578 persona, shumica e të cilëve u përkasin grupmoshave nga 20-40 vjeç. Ata kanë humbur vendin e punës për shkak të shkurtimeve ose mbylljes së aktiviteteve të bizneseve të ndryshme. Në nivel rajonal, ky numër shkon në 863 persona.

“Gjatë kësaj periudhe, janë regjistruar në zyrën e punës 2309 punëkërkues të rinj, që i përkasin bashkisë së Korçës, prej të cilëve, kanë mundur të gjejnë një vend pune vetë ose me ndërmjetësimin e kësaj zyre, 483 persona.”- sqaroi drejtori i Shërbimit Kombëtar të Punësimit Florenc Tabaku.

Në nivel rajonal, sipas tij, nga marsi deri në gusht të këtij viti janë regjistruar 3852 punëkërkues të rinj, prej të cilëve vetëm një e katërta ose 832 kanë gjetur sërish punë. Sektorët që kanë pasur nevojë për punonjës, sipas të dhënave të këtij institucioni, janë kryesisht fasoneritë, sektori i ndërtimit, përpunimi i ullirit dhe shërbimet.

Iliri është një prej punonjësve, që përfitoi asistencë, pas mbylljes së lokalit ku punonte si kuzhinier prej katër vitesh. Me të ardhurat prej 13 mijë lek në muaj nga asistenca, te cilën e përfitoi për një periudhë 1-vjeçare i duhet të mbajë familjen me katër anëtarë, ku dy vajzat janë studente dhe bashkëshortja është e papunë. 54-vjeçari thotë se për shkak të moshës e ka të pamundur të kërkojë një punë tjetër. Shpresa tij e vetme mbetet rikthimi si kuzhinier në lokalin ku punonte më parë.

Të papunët që nuk përfituan asistencë për shkak të mosplotësimit të kritereve të ligjit, aplikuan në bashki për të përfituar ndihmën ekonomike. Në gjashtë muajt e fundit, që përkojnë me periudhën pandemike, skemës së ndihmës ekonomike i janë shtuar edhe 70 familje të reja.

Drejtorja e ardhënieve me publikun në bashkinë e Korçës, Larisa Katundi, tha se në skemën e ndihmës ekonomike janë përfshirë gjatë kësaj periudhe familje në nevojë, persona të vetmuar, jetimë jashtë institucioneve dhe viktima të dhunës në familje.

“Nga 648 familje që kanë aplikuar nga marsi deri në gusht, u përfshinë në skemë 617 familje” – sqaroi Katundi.

“Pamundësia për të shlyer detyrimet ndaj të tretëve po krijon një zinxhir borxhesh të padeklaruara nga njëri biznes tek tjetri”- thotë Jani Stratobërdha, i cili ka një lokal në qendër të qytetit.

“Për të vijuar punën edhe në kushte gati falimenti, kam menduar si zgjidhje të përkohshme, moslikujdimin e furnitorëve dhe po ashtu prej tre muajsh nuk kam shlyer as detyrimet ndaj bashkisë”-pohon ai.

Jani nuk ka shpresë se gjendja do të ndryshojë pas vendimit të qeverisë, për lejimin e shërbimit në mjediset e mbyllura, pasi respektimi i protokolleve të sigurisë do të thotë më pak tavolina dhe rrjedhimisht më pak klientë. Ndërsa hapësira jashtë lokalit, gjatë vjeshtës dhe dimrit nuk shfrytëzohet për shkak të kushteve të motit.

Biznesi në Korçë ankohet se nuk ka gjetur mbështetje dhe ndihmë nga qeveria dhe bashkia.

“Gropa financiare sa vjen e thellohet dhe deri tani askush nuk na ndihmuar për ta kaluar këtë situatë, edhe pse kërkesat tona janë minimale.”-shprehet Jani.

As peticioni drejtuar bashkisë për përjashtimin nga tarifat vendore për muajt e izolimit dhe rishikimin e tarifës për zënien e hapësirës publike, nuk na bëri punë, edhe pse do lehtësonin mjaft barrën e detyrimeve të bizneseve, që po mbyllen njëri pas tjetrit.”-ankohet ai.

“Bashkia e Korçës ka ndërmarrë lehtësi fiskale për të gjitha subjektet që ushtrojnë aktivitet ekonomik në territorin e saj, duke shtyrë afatet dhe ndarë në këste detyrimet në lidhje me tarifat vendore.”- thotë nënkryetari i bashkisë Kletjon Kita.

“Sa i takon tarifës së zënies së hapësirës publike, bashkia e ka përjashtuar këtë kategori biznesi nga pagesa e kësaj tarife për muajt maj dhe qershor, lehtësi kjo e diskutuar dhe pranuar nga shumica e grupit të interesit.”- sqaron ai.

Por ekspertja e ekonomisë Sorina Koti mendon ndryshe. Ajo konstaton se pavarësisht faktit që këto biznese ishin të mbyllura, bashkia e Korçës nuk mori asnjë masë lehtësuese ndaj këtij sektori në prag falimentimi, përveç shtyrjes së afatit të pagesës së detyrimeve.

“Jo vetëm që biznesi nuk u ndihmua, por atyre që patën vonesa në shlyerjen e detyrimeve, bashkia i penalizoi edhe me gjoba, që përkeqësuan më tej situatën financiare të tyre.”-thotë ekspertja.

Sektori më i goditur, ai i shërbimeve, vijoi të përballej me sfida edhe pas rinisjes së aktivitetit pas muajve të karantinës.

“Nga ky kufizim, lokalet dhe baret u penalizuan me reduktim të numrit të tavolinave dhe klientëve. Referuar të dhënave të bashkisë së Korçës, hapësira jashtë objektit paguhet si zënie e hapësirës publike dhe tarifohet me 10 lek metri katror në ditë, për tetë muajt e vjeshtës, dimrit e pranverës. Në muajt e verës tarifa është 19 lek për metër katror. Por me rihapjen e aktivitetit, bizneset bar-kafe duhet të paguanin të gjitha detyrimet ndaj bashkisë, taksat dhe tarifat për zënien e hapësirës publike si dhe për hapësirën brenda, e cila mbeti për muaj të tërë e pashfrytëzueshme.”- thotë Koti.

 

Në foto Sorina Koti, eksperte e ekonomisë

Ajo ka llogaritur vlerën mesatare që i paguan një bar-kafe bashkisë së Korçës në një muaj dhe detyrimin total vjetor.

“Nëse bashkia e Korçës do t’i përjashtonte bar-kafet nga tarifa e zënies së hapësirës publike për 3 muajt e karantinës, kjo do t’i kushtonte buxhetit të bashkisë 3.510.000 lekë.”- argumenton ajo.

Falja e tarifës për zënien e hapësirës publike, nuk do të ndikonte në buxhetin e bashkisë, pasi bëhet fjalë për shuma të vogla dhe të përballueshme nga një bashki e madhe si ajo e Korçës, sipas ekspertes.

“Edhe sikur t’u falej bizneseve bar-kafe tarifa e zënies së hapësirës publike vjetore, bashkia do të kishte humbje vetëm 14.850.000 lek. Por bashkia nuk i toleroi bizneset as tre muajt e karantinës, vetëm për vlerën 3.510.000 lek. Kaq pak kërkonte biznesi nga bashkia, por që për dhjetëra qytetarë ishte ndihmë jetike, në kushtet kur klientët numëroheshin me gishtat e një dore.”-vijon Koti.

Nga ana tjetër bashkia e Korçës tregon një tjetër shifër për efektet financiare që sjell në buxhet përjashtimi nga pagesa e zënies së hapësirës publike, për periudhën nga marsi deri në gusht, që sipas nënkryetarit Kletjon Kita, llogaritet në 6,308,209.12 lek.

Por edhe ndaj këtij pretendimi ekspertja ka një përgjigje. Sorina Koti sugjeron se bashkia e ka mundësinë të manovrojë duke përdorur fondet nga sektorë apo aktivitete që nuk u zhvilluan për shkak të pandemisë. I tillë është sipas ekspertes fondi për “festa dhe zhvillimin e turizmit, me vlerë 10.650.000 lek ose fondi për qendrën e artit dhe kulturës, me vlerë 89.205.000 lek”.

“Vetëm shuma e këtyre fondeve do ishte e mjaftueshme për t’i dhënë frymëmarrje biznesit për gjithë vitin pandemik”- përfundon ekspertja e ekonomisë Sorina Koti.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img