Shqipëria e fundit në rajon për investimet e huaja?

801

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një dalje publike për mediat u shpreh se Shqipëria është e fundit në rajon për tërheqjen e investimeve të huaja. Verifikimet tregojnë se në fund të vitit të kaluar, fluksi i investimeve të huaja në Shqipëri rezulton 396.2 milionë dollarë. Me këto flukse, Shqipëria renditet e dyta në rajon pas Serbisë.

Esmeralda Topi

Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se Investimet e Huaja Direkte arritën në 308 milionë euro në tremujorin e parë të vitit, në rritje me 1.65% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërsa vitin e kaluar, fluksi i investimeve të huaja direkte në Shqipëri shënoi vlerën e 1.37 miliardë eurove, në rritje me 33% krahasuar me një vit më parë.

Por kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, pretendon se ‘Shqipëria është e fundit në rajon për investimet e huaja’.

Në një deklaratë nga selia e partisë më 13 qershor me fokus ekonominë, z.Meta deklaroi ndër të tjera se ‘Shqipëria është e fundit në rajon për tërheqjen e investimeve të huaja.’  

Si renditet Shqipëria?

Sipas të dhënave zyrtare, fluksin më të lartë të investimeve të huaja direkte në rajon e ka pasur Serbia. Më pas vjen Shqipëria, ndjekur nga Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina. Ndërkohë që Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë të fundit.

Investimet e huaja direkte

                   2022

Serbi                               482.8 mln dollarë

Shqipëri                          396.2 mln dollarë

Mali i Zi                          204.7 mln dollarë

Bosnjë Hercegovina        203.8 mln dollarë

Kosova                           167.3 mln dollarë

Maqedonia e Veriut              8.5 mln dollarë

Burimi: CEICDATA

Edhe të dhënat e Bankës Botërore për vendet e Ballkanit Perëndimor e ‘rrëzojnë’ pretendimin e z.Meta. Sipas statistikave, fluksi neto investimeve të huaja në Shqipëri në fund të 2022 ishte sa 6.3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në raport me rajonin, Shqipëria mban vendin e dytë pas Malit të Zi.

Investimet e huaja direkte 2022

      (për qind e PBB-së)

Kosova                           3.7 %

Shqipëria                        6.3 %

Mali i Zi                         10.3 %

Maqedonia e Veriut             3 %

Serbia                                 5.5%

Bosnje Hercegovina           2.2%

Burimi: Banka Botërore

Edhe në projeksionet e këtij viti, Shqipëria renditet e dyta pas Serbisë me flukset e investimeve direkte sa 4.9% e PBB-së.

Investimet e huaja direkte 2023

     (për qind e PBB-së)

Kosova                           3.7 %

Shqipëria                        4.9 %

Mali i Zi                            9 %

Maqedonia e Veriut             3 %

Serbia                                 5.8%

Bosnje Hercegovina           2.1%

Burimi: Banka Botërore

Ndërkohë, sipas të dhënave të përpunuara nga Banka Botërore për vitin 2021, fluksi i investimeve të huaja neto në Shqipëri rezulton 6.7% e PBB-së. Në raport me rajonin, vendi ynë renditet i treti, pas Malit të Zi dhe Serbisë. Por jo i fundit, sikurse deklaroi kreu i Partisë së Lirisë.

Burimi: Banka Botërore

Investimet e huaja direkte në Ballkanin Perëndimor

Rrjeti i profesionistëve të qëndrës kërkimore dhe zhvilluese ALTAX në një raport të fundit ka dalë në përfundimin se në fund të 2022 investimet e huaja direkte në Ballkanin Perëndimor rezultojnë 8.8 miliardë dollarë me një rritje të lartë të Serbisë dhe Shqipërisë.

‘Republika e Serbisë numëron gjysmën e stokut total të tyre në rajon, ndërsa pjesa tjetër është e ndarë midis pesë vendeve të tjera, që afërsisht korrespondon me madhësinë e tregut dhe ekonomive të tyre.’, shkruhet në raport teksa theksohet se stoku mesatar i Investimeve të Huaja Direkte për frymë në vendet e Ballkanit Perëndimor është afër vlerës për frymë të Bashkimit Evropian.

Burimi: ALTAX

Më konkretisht, sipas të dhënva të përpunuara nga ALTAX, në Shqipëri në vitin 2022 stoku i Investimeve të Huaja Direkte për frymë rezulton 496 euro/banorë.

Vendin e parë në 2022 për nivelin e stokut të IHD-ve për banor e mban Kosova, me një rritje prej 84.7% në krahasim me vitin e mëparshëm. Ndërkohë, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut renditen në vendin e dytë dhe të tretë, me respektivisht 41.2% dhe 40.4% rritje krahasuar me vitin e mëparshëm.

‘Shqipëria dhe Serbia edhe pse kanë nivel të lartë në vlerë të stokut të investimeve të huaja kanë një rritje që tregon një tendencë të qëndrueshme, megjithëse Shqipëria ka rritje që tregon se ka shfrytëzuar më mirë tërheqjen e kapitaleve të huaja.’, theksohet në raport.

Nisur nga këto të dhëna, deklaratën e Kryetarit të Partisë së Lirisë e kategorizojmë si të pavërtetë.