BallinaKomunitetet lokale kundër dezinformimitShkodër, COVID-19 dhe dhuna në familje, a mjafton vetëm rehabilitimi i grave të dhunuara?

Shkodër, COVID-19 dhe dhuna në familje, a mjafton vetëm rehabilitimi i grave të dhunuara?

ANILA DUSHI

Viti 2020 u karakterizua nga rritja e rasteve të dhunës në familje në qytetin e Shkodrës. Nga janari deri në shtator 2020, janë denoncuar 61 raste dhune, kryesisht gjatë muajve të izolimit nga pandemia. Kur vjen fjala tek integrimi i familjeve të prekura nga ky fenomen, rezulton se ka programe vetëm për viktimat e dhunës. Psikologët ngrenë shqetësimin se ende nuk është menduar për rehabilitimin, qoftë edhe psikologjik të dhunuesve, të cilët pas vuajtjes së dënimit janë rrezik potencial për situata të përsëritura dhune. Programe për riintegrimin dhe punësimin e tyre në struktura të veçanta mund të prodhojnë një ndryshim pozitiv në shmangien e këtij fenomeni.


Izolimi nga pandemia e Covid-19 rriti rastet e dhunës në familje. Në Shkodër, sipas të dhënave zyrtare të bashkisë, raportohet se në periudhën mars – qershor 2020 pati rritje të rasteve të identifikuara të dhunës ndaj grave, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019-s. Informacioni “Për raportimin e situatës së dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, gjatë Covid-19”, i Bashkisë Shkodër përfshin të dhëna të grumbulluara nga Komisioni i Barazisë Gjinore dhe Përfshirjes Sociale nga dy burime të ndryshme, administrata e Bashkisë dhe grupet e interesit me përfitues të shërbimeve.

Në këtë raport theksohet se Bashkia Shkodër përgjatë periudhës mars-qershor 2020 ka trajtuar, menaxhuar dhe monitoruar 40 raste të dhunës në familje. Paralelisht me rastet e reja, vazhdon menaxhimi dhe monitorimi i urdhërave të mbrojtjes që janë në fuqi nga viti i kaluar.

“Evidentimi i rasteve të dhunës në familje gjatë COVID-19 ka hasur në vështirësi të ndryshme sa i përket rasteve të dhunës në familje, pasi në vendimet gjyqësore mungojnë kontaktet e individëve.”- pohohet në raportin e Bashkisë Shkodër.

Gjatë periudhës së emergjencës nga COVID-19 dërgimi i UMM-ve (urdhërat e menjëhershëm të mbrojtjes) dhe UM-ve (urdhërat e mbrojtjes) nga Gjykata e Rrethit Gjyqsor Shkodër ka vazhduar, por me vonesa kohore dhe në mënyrë jo të rregullt.

Specialistja e drejtorisë së policisë Shkodër, Entela Çelepia shprehet se gjatë periudhës së pandemisë ndihma vijoi të kërkohet përmes telefonatave në sallën operative, ose me kërkesë të OJF–ve që merren me trajtimin e grave të dhunuara. Janë të pakta rastet kur gratë, viktima të dhunës i janë drejtuar komisariatit për të denoncuar rastet.

Policia e Shkodrës

Policia e Shkodrës refuzoi të japë të dhëna për numrin e rasteve të dhunës ndaj grave, por referuar shifrave të përcjella tek prefektura e qarkut të Shkodrës që  bazohen në të dhënat e analizave vjetore të policisë rezulton se:

Në vitin  2017 ka patur 80 raste të dhunës ndaj grave

Në vitin  2018 ka patur 73 raste të dhunës ndaj grave

Në vitin 2019 ka patur 61 raste të dhunës ndaj grave

Në vitin 2020 deri në shtator – 56 raste të dhunës ndaj grave

Jo zyrtarisht specialistë të policisë shprehen se dhuna ndaj grave ka pësuar rritje edhe pse në shumë raste, denoncueset tërheqin paditë për arsye të ndryshme.  Kjo ndodh gjatë ose menjëherë pas ballafaqimit në polici. Fenomeni është i pranishëm në qytet dhe në fshat, por vihet re se denoncimet janë më së shumti në qytet.

Dhuna sipas specialistëve të policisë motivohet me kushtet e varfërisë, mentalitetin dhe nivelin e ulët arsimor e kulturor të dhunuesve, por nuk kanë munguar rastet e dhunës ndaj grave në familje të arsimuara. Nga ana tjetër, papunësia dhe varësia ekonomike e grave nga burrat edhe në Shkodër është në nivele shqetësuese.

Kujdesi ndaj viktimave të dhunës në familje gjatë gjendjes së emergjencës së shkaktuar nga COVID-19, raportohet se është realizuar përmes telefonit (si pasojë e izolimit të detyruar) dhe në rastet e nevojshme janë realizuar edhe vizitat në familje në bashkëpunim me SPZ (specialistët e policisë në zona).

Pas vlerësimit të situatës është realizuar edhe mbështetja e grave me ndihma në  ushqime apo sende higjieno-sanitare. Në varësi të nevojave, viktimat e dhunës në familje, kanë marrë mbështetje psikologjike dhe ligjore nga stafi i Qendrave Komunitare “Për familjen” të Bashkisë Shkodër dhe organizatat partnere që ofrojnë të tilla shërbime.

Bashkia e Shkodrës ka krijuar dhe vënë në funksion Qendrat Komunitare “Për Familjen”. Ajo raporton për 12 qendra në funksion; 7 në zonën urbane dhe 5 në njësitë administrative.

Në këto qendra, po sipas raportimit të bashkisë ofrohet informim, këshillim, orientim, mbrojtje e fëmijëve, shërbime për fëmijët dhe familjen, fuqizimi ekonomik, programe prindërimi, fuqizim komunitetit, ri-integrim në shkollë dhe mbështetje familjare për nevojat arsimore të fëmijëve, ofrohen shërbime për familjet në vështirësi socio-ekonomike, vulnerabël ndaj fenomenit të dhunës në marrëdhëniet familjare.

 

Këshillat e sigurisë të publikuara në faqen e Bashkisë Shkodër

Mesazhe sensibilizimi të publikuara në faqen e Bashkisë Shkodër

 

Mesazhe sensibilizimi të publikuara në faqen e Bashkisë Shkodër

Mesazhe sensibilizimi të publikuara në faqen e Bashkisë Shkodër

Punonjës socialë dhe psikologë, që prej vitesh merren drejtpërdrejt me fenomenin e dhunës në familje dhe bashkëpunojnë me institucionet vendore, dëshmojnë për përkeqësim të situatës gjatë pandemisë. Bashkëshortët e dhunshëm, duke qenë të detyruar të rrinë në banesë kanë shtuar dhunën ndaj grave.

Denada Shpuza nga qendra “Hapat e lehtë” thotë për “Faktoje”:

“Mbështetja në këtë periudhë ka qenë e vështirë! Kërkesa për ndihmë, është bërë përmes telefonit ku u është ofruar konsulencë psikologjike, por edhe juridike. Gjykatat nuk kanë funksionuar normalisht dhe kanë shqyrtuar vetëm rastet e rënda. Në këtë periudhë, nga rastet e mbështetura nga ne kemi patur 2 kërkesa për lëshim urdhëri mbrojtjeje, ku një kërkesë është rrëzuar nga gjykata dhe tjetra është pranuar. Ka patur 10 padi për zgjidhje martese, gjatë periudhës mars – qershor 2020.

Denada Shpuza, qendra “Hapat e lehtë”

Sipas shoqatave, aty ku janë evidentuar rastet e dhunës në familje në periudhën mars –qershor 2020  ka pasur edhe shumë varfëri, ndaj janë bërë përpjekje për t’u ardhur në ndihmë edhe me ushqime.”

Edhe Majlinda Angoni që drejton qendrën “Gruaja tek gruaja” konfirmon se papunësia, gjendja e keqe ekonomike dhe izolimi i detyruar, jo vetëm kanë shtuar dhunën ndaj gruas në banesë, por kanë penguar denoncimin e rasteve.

Majlinda Angoni, qendra “Gruaja tek gruaja”

“Përmes telefonit ka patur kërkesa të përsëritura për ndihmë psikologjike, por ka patur edhe raste të reja. Gjykata ka funksionuar për rastet ekstreme duke lëshuar urdhër mbrojtjeje, por problemi qëndron tek strehimi, pasi dhunuesit qëndrojnë në një banesë dhe dhuna vazhdon të jetë e pranishme.”-thotë Angoni.

Ne u interesuam se si po ndihmohen gratë e dhunuara në Shkodër.

Drejtoresha Rajonale e Zyrës së Punës në Shkodër, Rozafa Zmijani thekson për “Faktoje” se punëkërkueset e dhunuara nuk identifikohen, por mbështeten me programe nga bashkia apo institucione të tjera.

Rozafa Zmijani, Drejtoresha Rajonale e Zyrës së Punës në Shkodër

“Vërehet se kanë probleme sociale dhe kemi tentuar t’i përfshijmë në programe profesionale, pasi nuk kanë arsimin e mjaftueshëm. Kemi punësuar një të dhunuar, si sanitare në një lokal, ndërsa një tjetër e filloi punën, por e la pasi nuk kishte ku të linte fëmijët. Nuk është se rrijnë në punë të qëndrueshme, për arsye të ndryshme si largësia nga vendi i punës, fëmijët, etj.”- thotë Zmijani.

“Ofrimi i ndihmës për këtë komunitet duhet planifikuar në mënyrë specifike.”- sugjeron Zmijani. Përmes bashkëpunimit institucional duhet të sigurohen mundësitë për edukim profesional, me orare të favorshme për kushtet që kanë dhe për fëmijët e tyre. Në këtë mënyrë edhe ndihma do të ishte e efektshme.

Në shtator të këtij viti është hapur programi për mbështetje të grave viktima të dhunës në familje, ku përfshihet edhe pagesa për kopshtin, pasi ato nuk kanë mundësi ekonomike të paguajnë.

E.L. 43 vjeçe ka marrë urdhër mbrojtjeje, pas rasteve të përsëritura të dhunës nga i shoqi.

“Kam tre fëmijë dhe kemi 12 vite që kemi ardhë në Shkodër. Me ato që shitëm në fshat ndërtuam një banesë që e legalizuam para dy vitesh. Burri punonte në ndërtim dhe fitonte sa për të jetuar. Ka tre vite që ai filloi të pinte dhe i dehur ushtronte dhunë fizike, madje dhe në prani të fëmijëve. Ndërhynë njerëzit e tij dhe të familjes sime dhe u duk se ra në qetësi. Kur filloi izolimi prej virusit nuk punonte dhe paratë që morëm nga shteti na dilnin vetëm për t’u ushqyer.

Dhuna vazhdoi edhe pas përfundimit të izolimit, pa shkak dhe në mënyrë të vazhdueshme, derisa kërkova dhe më dhanë urdhër mbrojtjeje.” -tregon gruaja e dhunuar.

Gruaja me iniciale E.L.

Por jeta nën një çati, edhe tani që ka urdhërin e mbrojtjes nuk është më e lehtë.

“Ai qëndron në dhomë, unë me fëmijët në pjesën tjetër të shtëpisë. Vjen i dehur se i është kthyer pijes dhe detyrohem të kyç dyer e dritare nga frika. Nuk kam ku shkoj. Në fshat kam prindërit e moshuar dhe të sëmurë që jetojnë me pension. Motrat janë të martuara larg dhe kanë hallet e tyre. Bashkia dhe një shoqatë më kanë ndihmuar dy herë me pako ushqimore gjatë izolimit.” – tregon e dëshpëruar 43 vjeçarja.

V.A. një tjetër grua e dhunuar tregon se më parë është përballur me dhunë psikologjike nga bashkëshorti, ndërsa gjatë izolimit ai ushtroi dhe dhunë fizike që i ka lënë pasoja.

“Ka qenë xheloz dhe kërcënonte vazhdimisht, nuk më linte as të shkoja tek nëna ime. E duroja pasi kam dy fëmijë të mitur dhe jam e papunë. Ai punonte tek një pikë hekuri. Kur filloi izolimi, shante gjithë ditën dhe filloi të më rrihte. Kam kërkuar ndihmën e policisë me anë të telefonit të një fqinje. Më pas më mbështeti një shoqatë dhe mora urdhër mbrojtjeje. Tani është larguar nga banesa, por për fëmijët nuk përgjigjet. Kam bërë kërkesë për divorc, dhe kam nisur të punoj si pastruese në një lokal.”- tha për “Faktoje” V.A.

Gruaja me inciale V.A.

Dhuna ndaj grave është fenomen që ka njohur rritje edhe në botë dhe kjo ka bërë  që Organizata Botërore e Shëndetësisë të hapë një seksion enkas për denoncimin e dhunës ndaj gruas. Fenomeni njohu rritje në rang botëror gjatë pandemisë.

Sipas psikologes Erisa Bilali, gratë edhe kur reagojnë, përsëri e tërheqin denoncimin për arsye kryesisht ekonomike dhe për shkak të mugesës së mbështetjes nga familjet e tyre.

Zgjidhja, sipas Bibalit duhet gjetur tek riintegrimi gjithpërfshirës, pra jo vetëm për viktimat e dhunës, por edhe për dhunuesit. Aftësimi profesional aty ku ata kanë ardhur nga zonat rurale dhe nuk kanë profesion, ndërgjegjësimi dhe përgjegjësia, shihen si mënyra për të reduktuar fenomenin. Aktualisht, sipas Bilalit, mungojnë programet reabilituese për burrat e dhunshëm.

“Pas identifikimit të tyre si dhunues, edhe në rast se dënohen, pas vuajtjes së dënimit, ata mund të dërgohen në punë të detyrueshme vullnetare, në mjedise ku ka gra, siç janë azilet e grave apo shtëpitë familje, ku strehohen gra me probleme shëndetësore dhe që kanë nevojë për ndihmë. Kjo do ndikonte pozitivisht tek kjo kategori duke i shërbyer ndërgjegjësimit të tyre.”- sugjeron psikologia.

“Problemi është psikologjik dhe duhet koordinim institucional dhe projekte të mirëfillta në drejtim të edukimit që në moshë të vogël me dënimin e dhunës, me të qenurit të barabartë, si vajzë apo djalë dhe pastaj në mënyrë të vazhdueshme me ndërgjegjësimin e shoqërisë për të reaguar ndaj këtij fenomeni”- thotë Bilali.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img