BallinaPertejMësimi me katër turne, sfida e shkollave në Tiranë e Durrës

Mësimi me katër turne, sfida e shkollave në Tiranë e Durrës

EDIT NIKOLLI

180 shkolla në Tiranë dhe Durrës po zhvillojnë mësimin me katër turne mes vështirësive për të respektuar protokollin anticovid, në këto kushte. Procesi për disa klasa zhvillohet në oborrin e shkollave, por kjo nuk mund të zgjasë, për shkak të ftohjes së motit. Faktoje bëri një vëzhgim në gjimnazin “Çajupi”, një prej shkollave të Tiranës, që përballet me vështirësi komplekse, mësimin me 4 turne për shkak të pandemisë dhe një kapacitet prej rreth 2800 nxënësish, pasi shërben si shkollë pritëse për nxënësit e gjimnazit “Sami Frashërit” i cili ende s’ka nisur të rindërtohet.


Viti i ri shkollor 2020-2021 nisi në kushtet e pandemisë dhe mungesës së konsiderueshme të ndërtesave shkollore në Tiranë e Durrës, që u dëmtuan nga tërmeti.

Pavarësisht rregullave të përcaktuara në protokollin anti Covid, për distancim social, respektimi është thuajse i pamundur, veçanërisht në shkollat e detyruara të zhvillojnë mësim me turne.

“Faktoje” më datë 29 shtator iu drejtua me një kërkesë për informacion, Ministrisë së Arsimit, duke e pyetur se sa shkolla po zbatojnë mësimin më katër turne dhe në cilët qytete.

                                     Kërkesë për informacion drejtuar Ministrisë së Arsimit

Ministria e Arsimit na informoi se mësimi me 4 turne po kryhet në 180 shkolla në Tiranë dhe Durrës. Këtë e rikonfirmoi edhe ministrja Evis Kushi gjatë një interviste në News 24. Kjo praktikë pritet të zgjasë, bazuar në përgjigjen e ministrisë për aq kohë sa është e pranishme pandemia Covid-19 dhe rrezkshmëria e përhapjes së virusit.

Një nga shkollat që përballet me një proces kompleks që sjell zhvillimi i mësimit me 4 turne është gjimnazi “Andon Zako Çajupi” në kryeqytet ku mësojnë 1080 nxënës.

Në raportimet e mëparshme në media, nxënësit të pyetur mbi veshtirësitë që po hasin me këtë realitet të ri shprehen:

“Mësimi me turne paraqet shumë vështirësi për sa i perket orarit të pasdites, nuk është shumë i përshtatshem, sepse do preferonim turnin e paradites, por nuk kemi çfarë të bëjmë”.

“Mesimi mund te shpjegohet për 25 minuta, por nuk mjafton koha për të na pyetur si dhe për kontrollimin e detyrave”.

“Në krahasim me mësimin online, normal është më mirë, në këtë kohë është më e mira që kemi”-thonë nxënës që zhvillojnë mësimin në turnet e pasdites në gjimnazin “Çajupi”.

                                                                        Gjimnazi Andon Zako Çajupi

Ne shkuam tek gjimnazi “Çajupi” dhe pyetëm drejtoreshën, Znj. Artiola Doko për vështirësitë që po hasen gjatë kësaj periudhe dhe si po përshtaten nxënësit dhe stafi pedagogjik me protokollin e ri.

“Çajupi” këtë vit është shkollë pritëse edhe për 1700 gjimnazizstë të shkollës “Sami Frashëri” e cila pritet të rindërtohet, pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit.

Përsa i përket shkallës së vështirësisë në mësimin e zhvilluar me 4 turne, fillimisht ka qënë përballja me stresin se si do e bënim të mundur shkëmbimin e nxënësve të dy shkollave. Duke u gjendur në një realitet të ri, angazhimi qe mjaft pozitiv. Oborri është vijëzuar me shenja që tregojne distancen 1.5 deri në 2 m largesi. Korridoret gjithashtu kanë shenja dalluese për distancimin social. Brenda në klasë është respektuar largesia e nxënsit nga nxënësi në vendosjen e bankave. Ambjentet e shkollës dezinfektohen 2 herë ne javë”.

“Faktoje” nuk u lejua të hyjë brenda mjediseve të brendshme të shkollës, por nga biseda me anëtarë të stafit mësimor që nuk pranuan të identifikohen, mësoi se po bëhen përpjekje maksimale për respektimin e distancës dhe rregullave të tjera të protokollit anticovid. Ndërkohë dezinfektimi, siç pohuan ata nuk kryhet rregullisht.

Faktoje pyeti zyrën e shtypit në Bashkinë Tiranë, përmes telefonit, se sa herë kryhet dezinfektimi i shkollave, por nuk morëm një përgjigje.

Sa i përket identifikimit të të prekurve me Covid 19 dhe si është vepruar në këto raste, drejtoresha e “Çajupit” u përgjigj:

“Shkolla ka pasur raste të vetëkarantinimit për shkak të prezencës së familjarëve të infektuar me COVID-19. Nga stafi rezultojnë 1 mesuese dhe psikologia të cilat nuk janë paraqitur në shkollë që nga nisja e procesit mësimor. Ndërkohë nxënës të infektuar nuk ka”.

Zonja Doko konfirmoi se deri tani janë përdorur edhe mjediset përreth shkollës për zhvillimin e mësimit.

“Shfrytezohet në pjesën e përparme nga mësuesja e biologjisë dhe disa mësues të tjerë. Ky proces parashikohet të vazhdojë të jetë në fuqi, sipas masave të Protokollit të Sigurisë në shkollë mbi mbarëvajtjen e procesit mësimor në kuadër të pandemise COVID-19. Në rast se koha e bën të pamundur zhvillimin e procesit mësimor, nxënësit shkojnë në klasat përkatese”.

                                         Orë mësimi në oborrin e gjimnazit “Çajupi”,  klasa e 11

Orë mësimi në mjediset e të gjimnazit “Çajupi”, klasa e 11

Me ftohjen e motit dhe nisjen e reshjeve, edhe zhvillimi i orëve të mësimit jashtë bëhet i pamundur. Sipas drejtueses së gjimnazit, shkolla disponon klasat e duhura për akomodimin e nxënësve, por ruajtja e distancimit të këshilluar nga protokolli i Covd-19 duket e vështire dhe gati e pamundur.

Përtej sfidave me të cilat përballet stafi pedagogjik, janë të pashmangshme pasojat që ai do lerë në cilësinë e mësimnxënies nga ana ana e të rinjve, pa përmendur vështirësitë e prindërve të tyre.

Gjatë një interviste televizive eksperti i Arsimit Fatmir Vejsiu thekson:

“Mësimi me turne dëmton në mënyrë të veçantë ata që janë në turnin e pasdites. Kjo për dy arsye, sepse janë pa kujdesin e prindërve dhe pasdite janë të lodhur. Janë dy faktorë që të pengojnë për të arritur rezultate të mira. E lidh këtë me faktin që kur në shkolla me orë mësimi 45 min nuk është e mjaftueshme që të bëhet me turne, imagjino tani që mësimi bëhet me turne dhe jo më 45 minuta, por i cunguar, 25-30 min. Përveç turnit cilësinë e mësimit e dëmton edhe kohëzgjatja e procesit mësimor”-shtoi Vejsiu

Vetëm shkolla “Andon Zako Çajupi” ka një kapacitet prej 1080 nxënësish, ndërkohë që rreth 1700 nxënës që mësojnë me turne në mjediset e tij, i përkasin gjimnazit “Sami Frashëri”, i cili ende nuk ka nisur të rindërtohet.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img