BallinaTë pambajturaShëngjin-Velipojë, 2 vjet pas premtimit asnjë shenjë për nisjen e projektit

Shëngjin-Velipojë, 2 vjet pas premtimit asnjë shenjë për nisjen e projektit

Që prej vitit 2018 e në vijim është premtuar ndërtimi i rrugës që lidh Shëngjinin me Velipojën, por ky projekt ende nuk është bërë realitet. “Faktoje” bëri një vëzhgim në aksin që duhet të lidhte dy zonat turistike veriore, por investimi prej 3.8 miliardë lekë nuk ka nisur të zbatohet.

Në aksin që lidh Shëngjinin me “Ranën e hedhun” janë bërë disa investime të cilat duket se janë të pamjaftueshme. Në fundjavë apo në pikun e sezonit turistik, rruga që në gjatësinë e saj është përgjithësisht njëkalimshe, ka trafik të rënduar.

Rruga Shëngjin-Rana e Hedhun, 30 qershor 2020

Distanca nga Shëngjini në Velipojë është 66.3 km dhe për ta përshkuar në kushtet që rruga ka sot, duhet rreth 1 orë e 30 minuta. Me me projektin e ri, distanca shkurtohet në 15 km dhe përshkimi i saj llogaritet të jetë jo më shumë se 20 minuta.

Sipas një videoje të publikuar nga kryeministri Edi Rama, ndërtimi i aksit Shëngjin-Velipojë do të sillte perspektiva të reja në turizmin detar, agroturizëm, turizmin natyror, do të nxiste projektet ndërkufitare, zhvillimin e peshkimit dhe transportit detar, zhvillim në sektorin e bujqësisë etj.

Saga e premtimeve për rrugën Shëngjin-Velipojë

8 maj 2018 Edi Rama gjatë një takimi në Lezhë e cilësoi rrugën Shëngjin-Velipojë si një nga akset prioritare e cila jep një akses të shpejtë për gjithë turistët vendas dhe ata matanë kufirit.

8 maj 2018 Benet Beci asokohe kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në një takim në Lezhë prezantoi projektin e rrugës Shëngjin-Velipojë duke njoftuar se ky aks do të përshkohej për 19 minuta nga 1 orë e 20 minuta që përshkohet tani.

14 qershor 2018 Edi Rama nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale publikoi pamjet e rrugës sipas projektit të ri.

30 gusht 2018 Edi Rama njoftoi se ambicia është që të nisë puna për segmentin Shëngjin-Velipojë i cili parashikon të lidhë Shqipërinë me Malin e Zi në më pak se 30 minuta, duke rritur fluksin e turistëve gjatë sezonit.

26 shtator 2019 Fondi Shqiptar i Zhvillimit lajmëroi se në emër të BERZH-it do të zbatojë ndërtimin e rrugës Shëngjin – Velipojë. Ky segment rrugor do të jetë një aks i ri që do të lidhë dy qendra të rëndësishme të turizmit dhe pritet të japë një zhvillim të ri për të gjithë rajonin, veçanërisht në drejtim të zhvillimit të turizmit.

28 qershor 2019 Fondi Shqiptar i Zhvillimit nëpërmjet një postimi në rrjetin social facebook njoftoi se procedurat kanë përfunduar për segmentin e parë nga hyrja e Shëngjinit deri tek Porti.

Koment i shkëputur nga postimi i FSHZH

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img