BallinaAktualitetCovid-19Turizmi në bregdet gjatë pandemisë, bizneset në Shëngjin në ankth dhe shpresë

Turizmi në bregdet gjatë pandemisë, bizneset në Shëngjin në ankth dhe shpresë

Kriza globale që shkaktoi pandemia e COVID-19 ka dëmtuar turizmin në Shqipëri dhe pasojat po ndihen çdo ditë e më shumë, me nisjen e sezonit veror. Ndër zonat e prekura është edhe ajo bregdetare e Shëngjinit në Lezhë, që po përballet me sfida mbijetese. Rreth 5 mijë të punësuar sezonalë në sektorin e turizmit, llogariten të kenë mbetur të papunë sivjet, me situatën e krijuar nga pandemia . Një pjesë e madhe e bizneseve përgjatë bregdetit, po punon me personel të reduktuar, sepse edhe numri i turistëve është përgjysmuar duke ulur në mënyrë drastike të ardhurat dhe mundësitë për mbijetesë.

Vendimi i BE për të mos hapur kufijtë me vendet e Ballkanit Perëndimor, për shkak të rëndimit të situatës nga pandemia, ishte një lajm I keq sidomos për bizneset e zonave turistike në Shqipëri.  Shifrat zyrtare flasin qartë sesi mungesa e turistëve po godet drejtpërdrejt sekorin e turizmit, ashtu siç edhe u parashikua qëkur Covid-19 mori përmasa globale. Sipas të dhënave të fundit nga INSTAT, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në Shqipëri, në muajin Maj 2020, është 46.488 dhe krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky tregues rezulton me rënie 94,4 %.

“Faktoje” ka nisur një verifikim në terren për t’u njohur me vështirësitë që po hasin bizneset e disa kategorive, përgjatë vijës bregdetare, duke nisur nga Shëngjini.

Pronari i një prej resorteve më të mëdha të Shëngjinit  “Hotel president” u shpreh se në krahasim me vitin e kaluar, kur hoteli mbushej me pushues që në muajin maj,  sivjet mezi arrin të përdorë gjysmën e  kapacitetit të tij.  Struktura hoteliere përbëhet nga  51  dhoma  dhe vetëm për mirëmbajtjen dhe rinovimin e tyre, siç tregon ai, çdo fillim sezoni shpenzon mbi 3 milionë lekë të reja. Sipas pronarit Dritan Kondakçi këtë vit kostot i kanë kaluar fitimet me mbi 40%. Mungesa e grupeve të turistëve të huaj dhe vendas që prenotonin përmes agjencive për një muaj, përkthehet në 40 mijë euro humbje.

Që në hyrje të hotelit përballesh me realitetin e ri, çka u kujton turistëve se pushimet në plazh nuk do jenë më si më parë. Një tufë njoftimesh në letra format A4 u imponojnë atyre zbatimin e rregullave të reja, për të cilat janë të interesuar të parët pronarët e hotelit, për të sigurar jetëgjatësinë e biznesit.

 

“Nuk  them se është i pamenaxhueshëm, ne bëjmë pjesën tonë,  sepse nëse ndodh  të  kemi  qoftë edhe një rast të infektuar atëherë  e gjithë puna jonë mbaron”-thotë Kondakçi  për Faktoje.

Çmimet e akdomodimit ndërkohë nuk kishin ndryshuar ku një natë kushtonte rreth 70 euro. Në shumë raste çmimet mund të negocioheshin vetëm e vetëm që të shtoheshin pushuesit, por numri i tyre vazhdonte të ishte i ulët. Ditët ‘me fat’ për këtë biznes janë ato të fundjavës, kur vërehet një numër më i madh frekuentuesish, por që sigurisht nuk mund të kompesojnë boshllëqet e krijuara nga mungesa e prenotimeve.

Pamje nga pushuesit në një ditë jave

 

Deri një vit më parë “Hotel President”, përveç të punësuarve si personel i struktures hoteliere, kishte edhe një zinxhir bashkëpunëtorësh që siguronin furnizimin me produkte bujqësore, frutore dhe nënprodukte të qumështit, të gjithë banorë të fshatrave përreth. Ndaj mungesa e turistëve në restort po jep një efekt domino për të gjithë zonën, e cila deri vjet kishte një treg ku të ofronte produktet dhe ishte e motivuar për të shtuar prodhimin.

 

Pronarët e hoteleve përballen edhe me një tjetër situatë kritike.

“Është pasiguri totale, nuk dimë çfarë do ndodhë dhe si do të mund ta përballojmë, problem kryesor është likiuditeti, bankat e kanë bllokuar marrjen e kredive. Ne të gjithë kemi marrë kredi më parë  për këtë periudhë  dhe i kemi shlyer, por  këtë  herë  bankat nuk kanë siguri”- u shpreh ai.

Ne pamë nga afër edhe sesi ka ndryshuar situata për restorantet e Shëngjinit. M.G 32 vjeç është menaxher i njërit prej tyre dhe na tregoi se 2020-a është viti i parë që përballet me vështirësi të tilla, si mungesa e klientëve e për pasojë mungesa e burimeve financare. Megjithatë ai  tregon se kanë ende shpresë për mbijetesë, nëse do vazhdojë arrdhja e pushuesve nga Kosova.

“Vitet e tjera kemi punuar me mbi 10 kamarierë, pa llogaritur këtu shefin e  kuzhinës, ndihmës shefin apo sanitaret. Këtë vit po punojmë me gati gjysmën e këtij kapaciteti. Ne e mbajmë stafin me shpresën se do të vijë momenti që gjendja do të ndryshojë”-u shpreh ai duke shtuar se e njëjta problematikë shoqëron çdonjërin prej bizneseve të asaj zone.

Ne komunikuam edhe me  A.G një shitës ambulant, i cili shet materiale në varësi të sezonit. Gjatë verës ai dhe 3 anëtarët e tjerë të familjes shesin sende e pajisje për plazh dhe kjo është hera e parë në 10 vite që u përballën me rënie drastike të të ardhurave.

“Nuk kemi çfarë të themi, ska lëvizje, nuk ka turistë, nëse nuk ka turistë ku do  të shesim?”-tha A.L 22 vjeç.

Ai tha se që pas situatës së tërmetit u ndie rënia e blerjeve, por me shfaqjen e pandemisë dhe emergjencat që ajo solli, njerëzit janë tërhequr tërësisht nga blerja e sendeve që nuk konsiderohen jetike.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img