BallinaFaktometerPa kategoriSa efekt jep metoda e trajtimit me plazmë kundër COVID-19 në Shqipëri?

Sa efekt jep metoda e trajtimit me plazmë kundër COVID-19 në Shqipëri?

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu prezantoi thuajse një muaj më parë, terapinë me plazmë si një metodë e re që do t’i shërbente sistemit shëndetësor për të luftuar COVID-19. Gjatë muajit të kaluar është miratuar edhe në nivel ndërkombëtar përdorimi i kësaj metode për kurimin e të infektuarve me COVID-19. Por sa e efektshme është ajo, veçanërisht kur flasim për situatën që po kalon vendi ynë me pandeminë?


19 gusht, ministrja e Shëndetësisë, zonja Ogerta Manastirliu gjatë një aktiviteti në Bankën e Gjakut në QSUT, njoftoi aplikimin e terapisë së re për trajtimin e personave të infektuar me COVID-19.

“Jemi me doktoreshë Irenën dhe me ekipin e QSUT në këtë moment të rëndësishëm të ecurisë së planit tonë për sa i përket edhe shtimit të një trajtimi të ri terapeutik që është pikërisht trajtimi me plazmën konvaleshente. ”- tha zonja Manastirliu.

Terapia me plazmë, për të cilën zonja Manastirliu specifikoi se po finalizhej si proces në Bankën e Gjakut, do të shërbente për të trajtuar të personat e infektuar, duke i injektuar plazmën e personave që ishin shëruar tashmë nga koronavirusi. Kjo metodë i pajis të sëmurët me antitrupa si ndihmë shtesë për të luftuar këtë virus.

Më pak se një muaj më vonë, më 10 shtator, ministrja e Shëndetësisë ishte e pranishme në Bankën e Gjakut së bashku me kryetarin e Bashkisë Tiranë, zotin Erion Veliaj. I shëruar nga COVID-19, siç ka deklaruar edhe vetë, Veliaj shkoi për të dhuruar gjak në ndihmë të personave të infektuar me COVID-19, sipas planit të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë.

“Kemi filluar, janë 51 qytetarë, të cilët na janë bashkuar që kanë kaluar fillimisht COVID dhe që kanë dhuruar plazmën dhe nga ana tjetër janë 16 raste pacientësh të cilët qoftë në spitalin infektiv, qoftë në spitalin Sheqfet Ndroqi kanë përfituar nga kjo terapie e re. Sigurisht, plazma është një armë më shumë nga të gjitha këto terapitë që tashmë kemi disponibël për COVID-19.” – u shpreh ministrja Manastirliu.

Por, eksperti i shëndetësisë në Partinë Demokratike, zoti Gazment Koduzi duke folur për terapinë me plazmë gjatë një interviste në “News 24”, deklaroi se kjo metodë është e efektshme vetëm në stadet e para të infeksionit, që përkon me javën e parë:

“Kjo (plazma) është një metodë e certifikuar tashmë që jep efektet e veta pozitive, por në stadet e para të sëmundjes ose të infeksionit me COVID. Le të themi, javën e parë pasi është infektuar, dhe kjo ka nevojë që të ketë një përqasje proaktive nga ana institucioneve shëndetësore që të bëhen më shumë testime, që rasti të kapet sa më shpejt në kohë, sepse pas javës së parë fillojnë dhe formohen antitrupat e organizmit të vetë individit.”

“Faktoje” kontaktoi Dr. Shk. Ilir Alimehmeti, epidemiolog klinik dhe Zv. Dekani i ri i Fakultetit të Mjekësisë. Ai na konfirmoi se studimet kanë treguar që efektet e trajtimit më plazmë janë më të mira kur trajtimi fillon herët gjatë COVID-19. Dr. Alimehmeti na tregoi se shumë prej të dhënave vijnë nga një studim madhor, i kryer në mbi 35 mijë pacientë të infektuar me COVID-19 në Itali, të gjithë në gjendje të rëndë ose shumë të rëndë në momentin e trajtimit me plazmën konvaleshente (52.3% në terapi intensive dhe 27.5% të intubuar).

“Sipas këtij studimi të udhëhequr nga Prof. Arturo Casadevall (Universiteti John Hopkins, SHBA) kur pacientët e fillonin trajtimin me plazmë brenda 3 ditësh nga vendosja e diagnozës së COVID-19, ecuria ishte më e mirë. Te pacientët e transfuzionuar brenda 3 ditësh, vdekshmëria 7-ditore ishte 8.9%, ndërsa te pacientët e tjerë shkonte 11.6%. Kurse vdekshmëria 30-ditore ishte 21.6% te pacientët e transfuzionuar brenda 3 ditësh dhe 26.7% te pacientët e tjerë (19.1% më pak vdekje ku ky transfuzioni kryhet herët).” – tha zoti Alimehmeti.

Për të rritur efektivitetin e terapisë me plazmë duhet të bëhen sa më shumë testime, për të zbuluar të infektuarit me COVID-19 në stadet e para, në të cilat trajtimi me plazmë është më i dobishëm sipas ekspertëve. Për ekspertin e PD,  Koduzi kjo është pika ku shëndetësia shqiptare ka mangësi në luftën kundër koronavirusit.

“Duhet që patjetër të bëhen sa më shumë testime, gjë që është ‘thembra e Akilit’ e sistemit tonë shëndetësor, ne bëjmë shumë pak.

127 është urgjenca kombëtare e cila është ndërtuar për të përballuar vetëm rastet urgjente, aksidente etj. Nuk është ndërtuar për të përballuar situata epidemie. Stafi është ai që është sepse që kur është ndërtuar, dizenjuar, ka një kapacitet të caktuar.

127-ës i binin telefonit çdo njeri me çdo ankesë që kishte. Kaloi në black-out, u bllokua 127.”

“Faktoje” pyeti disa persona që sapo kuptuan se kishin shenja të COVID-19, , ashtu siç apelohej nga Ministria e Shëndetësisë dhe ISHP.

V.A. 40 vjeç, tregon për “Faktoje”:

“Mora në telefon 127-n dhe i përshkrova simptomat, humbje e shijes, nuhatjes dhe vështirësi në frymëmarrje, pasi edhe një person i afërt i familjes kishte pasur temperaturë. Pasi më pyetën për identitetin dhe nëse kisha simptoma të rënda, më lidhën me mjeken e urgjencës. Edhe pse kërkova me ngulm të bëja tamponin, pasi më duhej të njoftoja stafin e punës, mjekja më tha se nëse nuk kisha temperaturë të lartë prej disa ditësh dhe diarre apo të vjella, nuk mund të ma bënin tamponin.”

40-vjeçarja rrëfen se mjekja më pas i këshilloi të merrte mjekim në shtëpi dhe vetëm pas 2 javësh arriti të përmirësohej.

Duke mos u identifikuar menjëherë, personat e infektuar me COVID-19, pasi kalon faza e parë, simptomat rëndohen dhe bie efektiviteti i trajtimit me plazmë. Vetë ministrja e Shëndetësisë ishte zotuar se në shtator do t’i dyfishonte testimet, me licensimin e laboratorëve privatë, por të paktën nga raportimet ditorë të dy javëve të para të shtatorit tregojnë se testimet nuk janë dyfishuar.

I pyetur nga “Faktoje” se sa i suksesshëm parashikohet të jetë zbatimi i metodës me plazmë në këto kushte në Shqipëri, Dr. Alimehmeti shprehet:

“Do të dëshiroja shumë të thoja që plazma konvaleshente është çelësi i suksesit të trajtimit të COVID-19, por në terma realistë nuk është kështu. Kjo vjen për disa arsye:

  1. Plazma ka nivele jostandarde të antitrupave që ndryshojnë nga dhuruesi në dhurues
  2. Shumica dërrmuese e personave që kanë kaluar COVID-19 nuk janë zbuluar
  3. Popullata e pazbuluar në përqindje të lartë ka qenë asimptomatike dhe si rrjedhojë prodhon titra më të ulët antitrupash (që janë më pak të efektshme në trajtimin e pacientëve në gjendje të rëndë)
  4. Dhurimi i plazmës është pjesë e programit të dhurimit të gjakut, i cili ka qenë historikisht i ulët në Shqipëri.
  5. Efikasiteti terapeutik përfundimtar i plazmës konvaleshente mbetet ende për t’u vlerësuar saktësisht.

Terapia me plazmë konvaleshente është e re për sa i përket trajtimit të personave të infektuar me COVID-19, pasi edhe administrata amerikane e Ushqimit dhe Ilaçeve e ka miratuar përdorimin (me urgjencë) më datë 23 gusht.

Megjithatë, përdorimi i produkteve konvaleshente të gjakut për parandalimin dhe trajtimin e infeksioneve virale dhe bakteriale tek modelet e njerëzve daton prej mëse një shekulli, që në vitet 1880 sipas një botimi të vitit 2016 të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Departamentit Amerikan të Shëndetit.

JOEL ÇELA

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img