BallinaFaktometerE PavërtetëManastirliu: Do dyfishojmë numrin e testimeve për Covid-19 duke filluar nga shtatori

Manastirliu: Do dyfishojmë numrin e testimeve për Covid-19 duke filluar nga shtatori

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, më 17 gusht, në prezantimin e strategjisë vjeshtë-dimër, njoftoi se duke nisur nga muaji shtator, testimet për “Covid-19” do dyfishoheshin. Sipas këtij premtimi të bërë në ditët kur kryheshin 620-650 testime në ditë, supozohej që shtatori të niste me të paktën 1200 teste në ditë. Deri pas javës së parë të shtatorit, nga verifikimi i Faktoje rezulton se testimet nuk janë dyfishuar, edhe pse vërehet një rritje e tyre pas datës 16 gusht.


Që prej shfaqjes së pandemisë “Covid-19”, në Shqipëri, ekspertë të shëndetit publik dhe përfaqësues të politikës kanë kritikuar numrin e ulët të testimeve për personat e dyshuar si të prekur nga koronavirusi.

Ministria e Shëndetësisë ka argumentuar se strategjia që ajo ndjek është “inteligjente”, pasi gjurmon kontaktet e personave të prekur e kësisoj parandalon përhapjen e pandemisë.

23 korrik, dy laboratorë jo-publikë, Intermedica dhe ALNET (American Laboratory Network) – i lidhur me Spitalin Amerikan, u licencuan nga Ministria e Shëndetësisë pas një vendimi të Komitetit Teknik të Ekspertëve, për të kryer testime të COVID-19, për efekt dokumenti për ata që duhej të udhëtonin jashtë shtetit.

“Faktoje” pyeti në dy klinikat e licencuara për kryerjen e testve për Covid-19 dhe mori konfirmimin se testimet molekulare kanë nisur të kryhen në javën e parë të muajit gusht (3 gusht, Intermedica dhe 8 gusht ALNET).

Muaji gusht shënoi edhe rritje të numrit të testimeve, ku shifra kulmoi me 932 testime më 18 gusht. Deri më 21 gusht, Ministria e Shëndetësisë vijoi të raportonte shifra të larta të testimeve. Por pas 22 gushtit, pas akuzave edhe nga Partia Demokratike për mungesë transparence, MSH reagoi dhe njoftoi se në shifrën e raportuar përfshiheshin edhe testimet në strukturat jo-publike.

Në testimet përfshihen testimet në strukturat publike dhe rastet për konfirmim diagnoze që rezultojnë të dyshuara ose pozitive në strukturat jo publike të liçensuara, sipas vlerësimit të IShP – thuhej në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë më 22 gusht.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu më 17 gusht, gjatë prezantimit të strategjisë vjeshtë-dimër njoftoi se duke nisur prej muajit shtator do dyfishohej numri i testimeve për “Covid-19”.

Duke filluar nga muaji shtator, kapacitetet e testimit do të rriten me dy herë, duke shtuar ekipet e terrenit, infrastrukturën e nevojshme dhe kapacitetet laboratorike – deklaroi Manastriliu.

Referuar të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, më 16 gusht raportohej për kryerjen e 626 testimeve për të dyshuar të prekur nga Covid-19 në 24 orë, ndërsa një ditë më parë, më 15 gusht ishin raportuar 650 testime.

Faktoje verifikoi edhe raportimet ditore të kësaj ministrie që nga dita e parë e shtatorit deri në datën 8 shtator, por në asnjë rast numri i tyre nuk rezulton të jetë dyfishuar, siç premtoi Ministrja Manastirliu.

Testime 1-8 shtator, Burimi: Ministria e Shëndetësisë

Kreu i Departamentit të Shëndetësisë në Partinë Demokratike, Gazmend Koduzi, në një intervistë për News 24 të enjten, u shpreh se në kushtet e epidemies në vend, do duhet të kryhen së paku 2,500 testime në ditë, me qëllim pasjen e një pasqyre të saktë të situates.

Para publikimit të artikullit “Faktoje” provoi të kontaktonte anëtarë të Komitetit Teknik të Ekspertëve për Koronavirusin, por mori përgjigje vetëm nga shefi i Laboratorit të Mikrobiologjisë në QSUT, Andi Koraqi. Ai pohoi se testimet e kryera në laboratorin që ai drejton dhe që raportohen rregullisht në ISHP, kanë mbetur në të njëjtat kuota me periudhën para licencimit të laboratorëve privatë për kryerjen e testimeve. Koraqi tha se nuk kishte informacion tërësor mbi raportimet nga strukturat jo-publike.

Pas verifikimit të kryer, deklaratën e ministres Manastirliu lidhur me dyfishimin e numrit të testimeve për Covid-19 do ta kategorizojmë si “Të pavërtetë”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img