ANXHELA RUÇI
66 mijë persona që trajtohen me ndihmë ekonomike, prisnin të merrnin këtë javë dyfishin e kësaj pagese, sipas premtimit të kryeministrit Rama. “Faktoje” mësoi se në 9 prill u shpërnda pagesa e zakonshme për këtë kategori dhe jo dyfishi i saj. Si mund të mbijetojë një familje në nevojë në kohë pandemie, kur pret nga qeveria për të plotësuar kërkesat më jetike?
—————————————————————————————————————————————–
Kryeministri Edi Rama, në një komunikim në rrjetet sociale, në 24 mars lajmëroi se përfituesit e ndihmës ekonomike gjatë “kohës së luftës” do të përfitojnë dyfishin e pagesës që marrin çdo muaj.
“Ne e dime që në ato familje realisht në nevojë, gjatë kohës së paqes, dikush del e bën ndonjë punë, tek – tuk, në të zezë, për një shishe qumesht më shumë për fëmijet kur i thonë fjalës! Prandaj, që të jemi në rregull me ligj e me zakon, ne do të shpërndajmë për familjet në ndihmë ekonomike dyfishin e shumës që shpërndajmë në kohë paqe! Pra ndihma ekonomike gjatë luftës për të 70 mijë familjet që figurojnë në regjistrin e ndihmës shteterore do të dyfishohet!”, tha ndër të tjera kryeministri Rama
Në 9 prill “Faktoje” bëri një verifikim nëse u mbajt premtimi për dyfishimin e pagesës.
Përfituesit e ndihmës ekonomike morën pagesën e përhershme, jo dyfishin
Familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike, brenda 10-ditëshit të parë të muajit marrin pagesën që ju takon sipas ligjit në fuqi.
Ditën e enjte, më 9 prill, në të gjitha pikat e Postës Shqiptare është shpërndarë ndihma ekonomike, por përfituesit kanë marrë vetëm pagesën që marrin zakonisht, jo dyfishin e saj, siç është premtuar.
Agim.L, 44 vjeç përfitues i ndihmës ekonomike, këtë të enjte tërhoqi pranë Postës 5300 lekë, shumë me të cilën duhet t’ia dalë të mbajë 5 anëtarët e familjes së tij.
“Sot kam shkuar si gjithmonë pranë postës për të marrë lekët e ndihmës ekonomike. Kisha shpresën se nga 5.300 lekë do të merrja 10.600 lekës se ashtu e kisha parë në televizor që kishte thënë kryeministri. Pyeta atë gocën tek sporteli dhe më tha që tani për tani është vetëm kjo pagesë, ndoshta nga java tjetër do të jepet dhe ai shpërblimi.”
Një tjetër përfitues i ndihmës ekonomike, Ylli.M 53 vjeçari i cili merr 6400 lekë në muaj, mori po kaq lekë këtë të enjte, ndërsa ishte përgatitur të merrte 12 800 nisur nga premtimi i kryeministrit.
Një nëpunës i ndihmës ekonomike i tha “Faktoje” se shtesa e pagesës është planifikuar të kalojë disa ditë më vonë, pa dhënë një datë të saktë se kur do të shpërndahet kjo pagesë shtesë.
Ndihma ekonomike është një pagesë e kufizuar në kohë dhe e kushtëzuar, që jepet në formën e një shpërblimi mujor në lekë, për kategoritë e përcaktuara në ligj. Në Shqipëri numërohen rreth 66 mijë familje të cilat përfitojnë ndihmë ekonomike.
Sipas ligjit në fuqi Nr. 57/2019 “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, përfituesit e ndihmës ekonomike janë:
- a) familjet në nevojë, që nuk kanë të ardhura ose kanë të ardhura të pamjaftueshme;
- b) jetimët, të cilët nuk janë në institucionet e përkujdesjes shoqërore;
- c) prindërit me më shumë se 2 fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë;
- ç) viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore, deri në çastin e punësimit të tyre;
- d) viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, që nuk trajtohen në institucionet e përkujdesjes shoqërore.
“Faktoje” do të vazhdojë me verifikimin e këtij premtimi të kryeministrit Edi Rama për dyfishimin e pagesës për përfituesit e ndihmës ekonomike. Deri në atë moment, ai është ende një premtim i pambajtur, kundrejt mijëra personave që përballen me mungesa jetike, veçanërisht në këtë kohë pandemie.