BallinaFaktometerE PavërtetëKryeministri Rama: Pako me ushqime ka shkuar në të gjitha familjet në çadra

Kryeministri Rama: Pako me ushqime ka shkuar në të gjitha familjet në çadra

Prej 1 muaji, Shqipëria përballet me pandeminë e koronavirusit dhe pasojat e tij.  Situata e shton rrezikun dhe ekspozimin ndaj sëmundjes  të personave të prekur nga tërmeti dhe që jetojnë në çadra, ndërsa sfida që përballin çdo ditë është jo vetëm higjiena, por edhe uria. “Faktoje” shkoi në Thumanë, zona më e goditur nga tërmeti, me 24 viktima dhe 824 të pastrehë. A i morën të gjitha familjet që jetojnë në çadër ndihmat ushqimore, siç premtoi kryeministri?


Në të njëjtën kohë me vendosjen e masave shtrënguese, qeveria shpalli planin e saj të ndihmës për familjet në nevojë, duke premtuar “paga lufte” për bizneset e vogla të mbyllura, dyfishimin e përfitimit nga skema e ndihmës ekonomike dhe dyfishimin e  asistencës së papunësisë. Ndërsa për familjet më në nevojë premtoi ndihma ushqimore.

3 prill, kryeministri Rama u ndal në çështjen e pakove ushqimore gjatë një komunikimi online me qytetarët:

“Tani, ka një pako të rezervave të shtetit, e cila është standardizuar. Pakoja nuk është një pako që hidhet te dera për të larë gojën, por është një pako e standartizuar, e cila praktikisht përmban makarona 4 kg, oriz 5 kg, vaj ushqimor 2 litra, sheqer 2 kg, kripë 1 kg, salcë 2 kg, fasule 4 kg, miell 25 kg për një muaj, detergjent 5 kg, sapun 5 copë. Dhe është një pako për 2 javë, jo për deri në fund, dhe jo për të larë gojën”, u shpreh kreu i qeverisë.

Kjo pako, deri dje apo pardje, sepse kam humbur numërimin e ditëve, ka shkuar në të gjitha familjet që jetojnë në çadër.” –deklaroi kryeministri.

“Faktoje” shkoi në Thumanë më 9 prill për të parë nga afër situatën e banorëve që sot jetojnë në çadra. Ne kontaktuam me 6-7 familjet që jetojnë në çadra pasi shtëpia iu shpall e pabanueshme nga tërmeti i 26 nëntorit.

XH.N. jeton në një çadër ngjitur me shtëpinë e shkatërruar së bashku me 9 anëtarë të tjerë. Ai i tha “Faktojes” se nuk ka marrë pako ushqimore, siç ishte premtuar nga krYeministri.

“Nuk kemi marrë asnjëherë ndihmë ushqimore. Që kur ka rënë tërmeti e deri tani. Kanë ardhur 6 kamiona te shkolla dhe nuk kanë ndarë asnjë, vetëm çfarë kam marrë vetë. Asnjë në lagje nuk ka marrë. Ndihmat i ndajnë natën, jo ditën”, u shpreh ai.

E njëjta situatë edhe në shtëpinë e qytetarit A.S., ku ai dhe familja e tij prej 8 personash qëndrojnë në çadër. Bashkëshorta e tij i tha “Faktojes”  se nuk kanë ardhur ndihma nga shteti.

“Kanë sjellë ndihma për Thumanën por i çojnë te njerëzit e vet. Ne nuk na sjellin. Ka shkuar burri dhe gjallë se ia shkruajnë emrin.” tha ajo.

Z.S. është pjesëtar i një shtëpie ku jetojnë 2 familje, për një total prej 8 personash. Në oborrin e shtëpisë së tyre është vendosur çadra ku familja qëndron. Ai thotë se edhe tek familja e tij nuk ka ardhur njeri për të sjellë pako me ushqime.

“Tek ne nuk ka sjellë ndihmë shteti. Kanë ardhur 10 furgona në Thumanë dhe tek ne nuk sjellin gjë.”, u shpreh ai.

Një tjetër familje nga Thumana që jeton në çadër dhe që na kërkoi të mos identifikohej na tha se nuk kishte marrë ndihmë ushqimore. Kryefamiljari tha se tek ta as nuk kishin shkuar pako ushqimore dhe as ishin ankuar.

“Nuk jemi ankuar. Ku të ankohesh, këtu nuk të japin rrugëzgjidhje”, tha ai.

Familja e madhe e zonjës me iniciale L.XH., që përbëhet nga 16 persona jeton në 3 çadra dhe një kontenier. Xhixha na tregoi se kanë ardhur 4 pako ushqimesh përpara 1 jave, por ajo ankohet se sasia e tyre nuk është e mjaftueshme për pjesëtarët e shtëpisë së saj.

Ajo është ankuar gjithashtu për kushtet higjienike në të cilat jeton familja e saj, veçanërisht në këtë kohë pandemie. Ushqimet i mbajnë në çadër dhe po aty gatuajnë, një mjedis aspak higjienik për të rriturit dhe fëmijët.

Zonja L.XH. na tha se enët i lajnë në tokë, ndërsa ujin për t’u larë e marrin nga kanali që kalon në oborrin e shtëpisë së tyre.

Ne biseduam edhe me dy familje të tjera, të cilat na treguan se secila prej tyre kishte marrë pako ushqimore përpara tre javësh. Për këto pako kryeministri Rama ka thënë se janë të llogaritura për dy javë, dhe jo deri në fund të luftës.

Ashtu siç konfirmohet në faqen e Bashkisë së Krujës, Thumana është njësia më e prekur nga tërmeti, me 1011 familje të prekura. Përfaqësues të njësisë administrative Thumanë na bëjnë me dije se 224 familje jetojnë aktualisht në çadra në këtë zonë, për një total prej 824 personash.

Nisur nga verifikimi që bëmë në terren, deklaratën e kryeministrit Rama se pakot e ndihmave ushqimore kanë shkuar në të gjitha familjet që jetojnë në çadra do ta klasifikojmë si të pavërtetë.

JOEL ÇELA

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img