ANXHELA RUÇI-Gjirokastër
JOEL ÇELA-Tiranë
Është mbushur një muaj që nga koha kur u shënuan personat e parë të infekruar me koronavirus në Shqipëri. Që nga ajo ditë e në vijim qeveria shqiptare ka marrë vazhdimisht masa për parandalimin e përhapjes së COVI-19.
“Faktoje” ka bërë një vëzhgim për masat që qeveria ka marrë për ndalimin e levizjes së qytetarëve në parqe dhe hapësira rekreative.
Si në Gjirokastër ashtu edhe në Tiranë, ambjentet e sipërpërmendura janë shumë pak të frekuentuara duke marrë parasysh popullimin që parqet kanë ditët e ngrohta me diell.
Në Gjirokastër, parku i Viroit ishte pothuajse i zbrazët, me përjashtim të disa qytetarëve që të shtunë kishin refuzuar ti bindeshin urdhrit për të mos lëvizur në parqe apo hapësira rekreative.
Pavarësisht se Policia Bashkiake kishte marrë masa për ndalimin e hyrjes në këtë park, qytetarët kanë thyer perimetrin.
Në të gjithë Shqipërinë, në 24 orët e fundit sipas Policisë së Shtetit janë gjobitur 330 këmbësorë me nga 10.000 lekë, të cilët kanë shkelur rregullat e qarkullimit pa ndonjë arye apo emergjencë.
Tiranë
Pas rezistencës së ditëve të para, kryesisht nga moshat e treta, situata është qetësuar në parqet dhe hapësirat rekreative në Tiranë. Urdhëri i qëndrimit në shtëpi për të gjithë pensionistët dhe refuzimi për t’u dhënë leje për dalje i ka dhënë frytet. Krahas saj edhe prania e policisë dhe e ushtarëve, jo vetëm në tregje për të mbajtur në rregull radhën e njerëzve, që të respektojnë distancën nga njëri-tjetri, por edhe vende grumbullimi që të mos i lejojnë të qëndrojnë në stola afër-njëri tjetrit.
Rezultati është mjaft i prekshëm në parqe të ndryshmë të Tiranës, të cilat më parë shërbenin si pika grumbullimi, ndërsa tani janë thuajse të boshatisura. Hapësira që zakonisht janë shumë të frekuentuara, si zona e Xhamllikut, hapësira tek Ushtari i Panjohur, parku në krah të Parlamentit si dhe sheshi Skënderbej tashmë nuk e kanë më problemin e përqëndrimit të qytetarëve.
Personat e ulur në stola janë të rastësishëm dhe nuk gjen më shumë se 2-3 të tillë në njërin park apo tjetrin. Edhe lëvizja në përgjithësi e qytetarëve është më e shpejtë në drejtim të kryerjes së punëve brenda orarit të lejes dhe jo për shëtitje siç ndodhte rëndom në ditët e para të karantinimit.