BallinaAktualitetCovid-19Ministrja Manastirliu: Pensionistëve do t’u dërgohet pensioni në shtëpi

Ministrja Manastirliu: Pensionistëve do t’u dërgohet pensioni në shtëpi

Masat kufizuese të qeverisë kundër përhapjes së koronavirusit, i ndaluan prerazi pensionistët të dalin nga shtëpia, si kategoria që rrezikohet më shumë nga sëmundja. Pensioni që ata zakonisht e tërheqin në zyrat e postës, u dërgohet në shtëpi, sipas premtimit të qeverisë. Por a i ka shkuar çdo pensionisti pagesa në shtëpi? Cilëve prej tyre nuk u shkon?


Më 10 mars, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, deklaroi gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të qeverisë se pagesa e pensionit do të shpërndahet në shtëpi, në kuadër të masave pëër parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

“Këtë muaj dhe deri në përfundim të kësaj situatë, të gjithë pensionistëve do t’u dërgohet pensioni në shtëpi me kosto zero.” tha ministrja e Shëndetësisë.

Ky vendim u përsërit disa herë gjatë muajit të kaluar edhe nga kryeministri Rama, i cili u ndaloi kategorikisht daljen nga shtëpia personave të moshës së tretë.

Për të marrë pensionin në shtëpi, posta shqiptare nxorri një njoftim në faqen zyrtare, ku i kërkoi qytetarëve të plotësonin të dhënat personale (Adresën e saktë; Numrin e telefonit; Fotokopje ID personale). Posta vuri në dispozicion disa numra kontakti dhe adresën e e-mail, atë në rrjete sociale etj.

Sipas Instat, deri më 1 janar 2020, figurojnë në regjistrin e popullsisë rreth 605 mijë qytetarë mbi moshën 60 vjeç.

Në Tiranë, qytetin me numrin më të lartë të zyrave postare (61 të tilla sipas faqes së postës), mësuam se jo të gjithë pensionistëve u ka shkuar pagesa në shtëpi. Kjo pasi ata nuk kanë mundur të plotësojnë të dhënat apo të kontaktojnë në forma të tjera postën.

“Faktoje” bisedoi me qytetaren me iniciale Sh.Q. e cila na tregon për nënën e saj, 87 vjeçe, që jeton vetëm.

“Nëna ime e merr pensionin tek një qendër që ndodhet përtej Brrylit. Atje kishte edhe shumë të tjerë që mbanin rradhë jashtë. Madje tek sporteli i tha arkëtares se e kishte dashur pensionin në shtëpi. Përgjigja ishte, hajde një herë tjetër se tani nuk të rregjistroj dot sepse po pres të tjerët. Çfarë duhej të bënte ajo? Të shkonte përsëri? ”thotë SH.Q.

Në fund, zonja 87 vjeçare u detyrua të shkonte sërish në postë për të marrë pensionin.

Në rastet kur kanë komunikuar paraprakisht me postën, pensionistët që pyeti “Faktoje” thanë se pagesa u ka ardhur në shtëpi. Pengesa hasin ata që nuk kanë dikë që të mundësojë kontaktimin me postën dhe dërgimin e të dhënave në adresat apo numrat e vendosur në dispozicion.

Qytetarja me iniciale L.S., 78 vjeçe, banon në zonën e Ali Demit me bashkëshortin e saj 80 vjeç. Ata nuk dinin si të vepronin për të marrë pensionin në shtëpi, për këtë arsye iu drejtuan fqinjes në apartamentin përballë.

“Po të mos kisha gjitonët nuk e di se çfarë do të bëja. Jam e vetme me burrin se fëmijët nuk i kam këtu. Vajza që ka shtëpinë ngjitur mori në telefon postën, se unë nuk dija si t’ia bëja. Shkova i thashë që të pyeste pak. I gjeti në internet dhe i mori në telefon.”, tha ajo.

“Faktoje” bisedoi me zotin Kastriot Sulka, drejtor ekzekutiv i Institutit të Ekonomisë dhe Studimeve Sociale, për ta pyetur se sa i mundur është dorëzimi i pensionit në tek të gjithë pensionistët e vendit të tonë.

“Unë mendoj që kjo situatë nuk ka gjë të lidhur me realitetin pasi jo vetëm që njoh shumë pensionistë që nuk e kanë marrë pensionin në shtëpi, por edhe nuk mund të ndodhë një gjë e tillë. Mjafton të mendoni që janë mbi 130 mijë pensionistë në fshat për të cilët do të duhej një sistem i dytë postar për t’u shërbyer”.

Një tjetër problem që hasin pensionistët është vonesa e marrjes së pensionit. Disa të moshuar me të cilët kontaktoi Faktoje pohuan se edhe pse posta u ka konfirmuar dërgimin parave, ato nuk u kanë mbërritur. Ata që kanë pensionin si të ardhura përballen me sfidën e mbijetesës.

“Unë e kisha për ta marrë në 2 prill ndërsa burri me datë 6. Më thanë të premten që shkoi se të dy pensionet do i sillnin këtë javë, por deri tani nuk kanë ardhur.”- tregoi për “Faktoje” ajo.

Zonja me iniciale K.B., 80 vjeçe, jeton e vetme në shtëpi pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit të saj pak muaj më parë. Ajo thotë se pensionin e kishte për ta marrë më datë 1 prill, por askush nuk ia solli në shtëpi.

Qytetari me iniciale A.B., tregon se kishte biseduar në telefon me postën që t’i sillnin në shtëpi pensionin e nënës së tij, 81 vjeçe. Ajo duhej ta merrte pensionin më datë 1 prill, por posta nuk erdhi në atë datë. Kështu ai shkoi të nesërmen që ta tërhiqte vetë, pasi kishte prokurë për të marrë pensionin e nënës së tij.

Bazuar në bisedat me pensionistë që jetojnë në Tiranë, mësuam se pjesa më e madhe e atyre që kanë komunikuar me postën e kanë marrë pensionin në shtëpi. Problem kanë pensionistët e vetmuar dhe pa mjete komunikimi apo mundësi për t’I përdorur edhe për shkak të moshës së thyer.

JOEL ÇELA

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img