BallinaAktualitetAeroporti “Nënë Tereza” në “karantinë”

Aeroporti “Nënë Tereza” në “karantinë”

Pas datës 10 mars, urdhërat e njëpasnjëshme të qeverisë për kufizimin e lëvizjeve ndërkufitare si masë kundër përhapjes së Covid-19, “precipituan” deri në bllokimin tërësor të transportit, përfshirë edhe atë ajror. “Faktoje” ishte në aeroportin “Nënë Tereza” këtë fundjavë ku ende janë fuqi masat kufizuese dhe gjeti një hapësirë të shkretë për shkak të anulimit të të gjithë fluturimeve. Vitin e kaluar, në këtë periudhë nga ky aeroport u raportua se lëvizën mbi 212 mijë pasagjerë për hyrje-dalje, brenda vetëm një muaji.


Në radhën e shteteve që mbyllën kufijt bën pjesë edhe Shqipëria, e cila e filloi këtë praktikë vetëm 1 ditë pasi njoftoi 2 pacientët e parë të prekur me COVID-19.

Vendi i parë me të cilin qeveria mbylli hyrje-daljet ishte dhe një ndër shtetet e goditura më ashpër nga virusi. Më datë 10 mars, nëpërmjet një deklarate për shtyp ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi mbylljen e transortit ajror dhe detar me Italinë.

Më pak se një javë më vonë, kryeministri Rama njoftoi nëpërmjet faqes së tij në Facebook se Shqipëria kishte ndërprerë rrugët ajrore edhe Britaninë e Madhe.

5 ditë më vonë, vjen edhe lajmërimi i tretë në faqen e kryeministrit. Më datë 21 mars, ai njoftoi ndërprerjen e fluturimeve edhe me 4 vende të tjera, duke filluar nga dita e nesërme. Sipas të dhënave të bëra publike nga Aeroporti “Nënë Tereza”, deri përpara atij momenti, konkretisht më 20 mars, numri i pasagjerëve kishte rënë me 85%, ndërsa numri i fluturimeve me 80%.

“Faktoje” shkoi më 9 prill në aeroportin “Nënë Tereza” i shndërruar në një hapësië të shkretë,  me të gjitha  fluturimet e anulluara. Në tryezat e check-in nuk ishte asnjë punonjës ndërsa në ekranet e tij fluturimet figuronin të “Anulluara”.

E njëjta situatë pasqyrohet edhe në faqen e aeroportit “Nënë Tereza”, në seksionet ku tregojnë nisjet dhe mbërritjet,  të gjitha të anulluara.

Në aeroport vumë re fare pak njerëz, punëtorë të sigurisë, ndërsa salla që zakonisht është e mbushur me pasagjerë në pritje të udhëtojnë apo të tjerë që presin mbërritjen e ndokujt, ishte plotësisht e boshatisur.

E njëjta pamje edhe në korridorin e ngushtë nëpër të cilin kalohet për të shkuar në gate-in përkatës, ku zakonisht qëndron një varg i tërë udhëtarësh me bileta dhe pasaporta në duar.

Dyqanet ishin të mbyllura, përveç një marketi brenda të cilit kishte vetëm punëtorë.

Sipas të dhënave të Instat, vitin e kaluar 3,338,147 pasagjerë kanë udhëtuar nëpërmjet aeroportit tonë, duke shënuar një rritje me rreth 390 mijë pasagjerë nga viti paraardhës. Vetëm gjatë muajit mars të 2019-s, përmes aeroportit “Nënë Tereza” udhëtuan 212,034 pasagjerë.

Sivjet, pandemia e koronavirusit e kthehu situatën përmbys, duke i dhënë goditje edhe tregut të transportit ajror në më shumë se 200 vende të botës.

Sipas OAG, sigurueses botërore të informacioneve dhe analizave mbi fluturimet, në rang global, numri i fluturimeve të planifikuara është më pak se 59% krahasuar me të njëjtën javë gjatë vitit e kaluar. Reduktimet në kapacitete kanë vijuar në të gjitha vendet më të mëdha, me një pjesë që operon me 10% të kapacitetit me të cilin punonte një vit më parë.

Krahasimi i fluturimeve me të njëjtën javë një vit më parë

JOEL ÇELA

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img