BallinaNë lupën e FakteveQeveria mban ‘të ngrirë’ paketën anti-shpifje, ekspertët kërkojnë tërheqjen e plotë të ligjeve

Qeveria mban ‘të ngrirë’ paketën anti-shpifje, ekspertët kërkojnë tërheqjen e plotë të ligjeve

Klementina Cenkollari

Progres raporti i Komisionit Europian 19 tetor 2021 vëren se brenda periudhës së raportimit Shqipëria nuk ka arritur progres lidhur me lirinë e shprehjes.

Dy ligjet “Për mediat audiovizive” dhe “Për komunikimet elektronike”, u kritikuan ashpër nga organizmat ndërkombëtarë dhe u rishikimi i tyre u përcaktua si kusht, që Shqipëria të përparonte në rrugën e integrimit. Por deri më sot këto ligje kanë mbetur në sirtarët e Kuvendit.

Paketa u miratua në dhjetor të 2019 në parlament, megjithë protestat e vazhdueshme nga bashkësia e gazetarëve shqiptarë dhe kritikave të hapura publike nga Komisioni Europian dhe Këshilli i Europës. Qeveria socialiste ka mbrojtur të ashtuquajturën paketën anti – shpifje me argumentin e frenimit të shpifjeve dhe fyerjeve në mediat online.

Presidenti Ilir Meta e ktheu ligjin për rishqyrtim parlamentar duke e konsideruar atë si antikushtetues në disa aspekte, ndërsa lavdëroi disa aspekte të tjera, të tilla si krijimi i një regjistri administrativ të medias online.

Edhe pse mazhoranca e majtë u shpreh se do ta rrëzonte dekretin, ajo bëri një hap pas duke u tërhequr nga presioni ndërkombëtar dhe pranoi të priste Komisionin e Venecias që e shpalli ligjin të papërshtatshëm.

Pas  shqetësimeve të Këshillit të Europës dhe vërejtjeve të Komisionit të Venecias, përfaqësuesit e shumicës qeverisëse u angazhuan publikisht për të siguruar që çdo legjislacion i ri për mediat të jetë në përputhje me Rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe në konsultim me organizatat e medias. Grupi i përbashkët i punës me anëtarë të Komisionit të Medias dhe Komisionit të Ligjeve, garantuan se i gjithë procesi, do konsultohej me BE dhe Këshillin e Europës.

“Qeveria e rishqyrtoi çështjen dhe Kuvendi nuk iu kthye çështjes. Parlamenti dhe qeveria që dolën nga zgjedhjet e 25 prillit duhet të respektojnë angazhimin për të siguruar që çdo ndryshim i mundshëm në ligjin për mediat të jetë në përputhje me Opinionin e Komisionit të Venecias dhe të paraqitet në konsultimet e duhura”, thuhej në progres raport.

Kuvendi i Shqipërisë, përmes një përgjigjeje zyrtare për Faktoje konfirmoi se deri më sot nuk është depozituar në Kuvend një draft i ri mbi paketën antishpifje.

Nga një verifikim që Faktoje ka bërë, rezulton se aktualisht në Kuvend është dekreti i Presidentit Ilir Meta për kthimin e ndryshimeve ligjore. Madje është i përfshirë edhe në Programin e Punës së Kuvendit për muajin shkurt 2022. Por nga Kuvendi bëjnë me dije se pasqyrimi i dekretit të presidentit Meta për kthim ligji, është një procedurë normale, pasi ai mbartet automatikisht. Problemi  kësaj nisme që vijon të qëndrojë në Kuvend është se ndryshimet në draft edhe në të ardhmen, do të duhet të bëhen në kuadër të nenit 86 të Rregullores së Kuvendit, e cila thotë se Parlamenti bën ndryshime në një ligj të kthyer nga Presidenti vetëm për ato shqetësime që ka ngritur presidenti.

Zyra e Kryeministrit, nuk ktheu një përgjigje nëse qeveria ka inicuar një paketë të re ligjore dhe nëse po konsultohet me aktorë të medias apo institucione ndërkombëtare mbi ndërhyrje të mundshme.

Qëndrimi i fundit i kryeministrit Edi Rama në raport me këtë çështje ishte në tetor të vitit të shkuar, ku qartësisht tha se vetërregullimi i medias nuk ishte një zgjidhje.

Një përfaqësues nga mazhoranca, që nuk pranoi të identifikohej, i tha “Faktoje” se është punuar për rishikimin e draftit, sipas opinionit të Komisionit të Venecias, por me mbarimin e legjislaturës, nuk u përfundua procesi.

“Kur të rinisë procesi patjetër duhet dakortësuar sipas rekomandimeve te Komisionit të Venecias e të hidhet në konsultim publik para miratimi”, u shpreh ky përfaqësues.

Nga ana tjetër, deputetja Ina Zhupa, tha për “Faktoje” se Partia Demokratike mbështet shfuqizimin e paketës anti-shpifje.

“Ne jemi për shfuqizimin e plotë të  paketës anti-shpifje dhe si një prej 15 kushteve që Shqipëria duhet të plotësojë në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Kjo paketë bënte që AMA të kthehej në një agjensi censure, apo në një gjykatë, kurse AKEP në një institucion zbatuese të vendimeve të AMA-s. Komisioni i medias duhet të kishte në axhendë dekretin e presidentit për shfuqizmin e ligjit, por parlamenti nuk e fut akoma në kalendarin e punës së komisionit, duke e lënë pezull. Ky dekret do votohej pro nga ne, për të shfuqizuar paketën antishpifje. Ne jemi të angazhuar të qëndrojmë në mbrojtje të lirisë së shprehjes”- u shpreh ajo.

Veç Komisionit te Medias, edhe OSBE kërkoi që të shmangej çdo rrezik për kufizime dhe presion ndaj mediave.

Zyra e Përfaqësuesit për Lirinë e Medias, u pyet nga “Faktoje”, nëse autoritetet shqiptare e kanë kontaktuar për ndryshime në paketën ligjore.  Ky institucion, evitoi një përgjigje shteruese për këtë, por nënvizoi rëndësinë që çdo proces ligjor mbi këtë paketë të kryhet në mënyrë transparente dhe me përfshirjen e gjerë të përfaqësuesve të medias.

“Përfaqësuesja e OSBE për Lirinë e Medias, Teresa Ribeiro, mbështet rekomandimet e Komisionit të Venecias, mbi këtë paketë ligjore. Gjatë vizitës së saj të fundit, autoritetet përsëritën vullnetin e tyre për të miratuar këto ligje në përputhje me rekomandimet. Ajo dëshiron të nënvizojë se çdo proces legjislativ duhet të kryhet në mënyrë transparente, duke përfshirë të gjithë aktorët, organizatat e medias dhe gazetarët”- thuhet në përgjigjen e zyrës së shtypit Përfaqësueses.

Ambasada e BE në Tiranë, i tha “Faktoje” se pret që parlamenti dhe qeveria të mbajnë angazhimin e tyre për të siguruar që çdo ndryshim i mundshëm në këtë projektligj do të jetë në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias dhe do t’i nënshtrohet konsultimeve të duhura me të gjitha palët e interesuara, përfshirë komunitetin e medias. “Liria e medias është prioritet kyç për BE-në. Kjo është arsyeja pse Delegacioni i BE-së e ka ndjekur nga afër këtë çështje me të gjithë aktorët e përfshirë dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë. Anëtarët e Parlamentit Evropian dhe Shefi i Delegacionit, Ambasadori Luigi Soreca theksuan më 23 shkurt 2022, gjatë Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit rëndësinë e kësaj çështjeje dhe rëndësinë e respektimit të standardeve të BE-së në këtë drejtim”, thekson delegacioni i BE në vendin tonë.

Shqetësim në opinionin e Komisionit të Venecias, por më herët edhe në reagimet e OSBE, ngrihej mbi zgjerimin e komptencave të AMA-s për të ushtruar kontroll editorial ndaj përmbajtjes së botimeve në mediat online.

Elvin Luku, drejtues i Qendrës “Media Look” thotë se edhe vetë AMA e shihte të pamundur monitorimin e këtij sektori.

“Komisioni i Venecias rrëzoi në themel projektligjet antishpifje pasi propozoi “vetërregullimin” dhe jo rregullimin administrativ. Ky fakt përputhet dhe me qëndrimet afro 1-vjeçare që kanë mbajtur organizatat jo fitimprurëse për lirinë e medias dhe të drejtave të njeriut, përfshi Qendrën Shqiptare MediaLook, të cilët ishin kundër kontrollit të tregut të mediave online përmes Autoritetit të Mediave Audioviziv”- thekson Luku.

Ai konfirmon se pas tërheqjes së qeverisë, nuk di të ketë patur tryeza apo konsultime, ndonëse propozimet dhe qëndrimet e grupeve të interesit janë tashmë edhe në Autoritetin e Mediave Audiovizive dhe Komisionin Parlamentar të Medias.

“Ne, si Qendra Shqiptare MediaLook nuk jemi kontaktuar për konsultime të reja”-konfirmon Elvin Luku.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit Shqiptar të Medias, Koloreto Cukali konfirmoi se nuk i është adresuar ndonjë kërkesë për konsultim për ndryshime ligjore që lidhen me paketën an tishpifje.

“Kryeministri ka deklaruar publikisht që nuk do t’i rikthehet nismës. Po ashtu, zyrtarë të huaj na kanë deklaruar që Kryeministri e ka bërë këtë premtim edhe në takime të ndryshme dypalëshe me zyrtarë të BE-së, KiE-së apo OSBE-së. Megjithatë ajo qëndron si atavizëm në sirtarët e Kuvendit. Në dijeninë time edhe ligjërisht, ajo inisiativë ka “skaduar” ndaj arsyeja e mbajtjes në “gjendje” është thjesht absurde. Ne nuk jemi konsultuar për asgjë dhe nuk jemi të informuar për asnjë ndryshim të mundshëm”- tha Cukali për “Faktoje”.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në bashkëpunim me Ambasadën e Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Tiranë, organizoi në Mars të vitit që kaloi Konferencën Rajonale të Medias, e cila bashkoi disa nga ekspertët dhe gazetarët më të mirë në rajon për të diskutuar për sfidat me të cilat përballet sektori i medias në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë vetërregullimin e medias.

Drejtoresha e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj, vlerëson se ky rregullimi i veçantë me ligj i lajmeve të rreme apo me natyrë shpifëse mbart premisa për rritjen e censurës dhe auto-censurës në median tonë.

“Për të gjitha sfidat dhe vështirësitë me të cilat mediat përballen, përfshi edhe rastet e profesionalizmit, në frontin e parë të një procesi edukues (media literacy), por edhe disiplinues duhet të jenë vetë gazetarët për të gjetur mekanizmat e duhur vetërregullues”- thekson Skëndaj për “Faktoje.

Ajo veçon se pika me të cilën nuk ndan të njëjtin qëndrim me Komisionin e Venecias është hapësira që i lihet shtetit për të rishikuar ligjin duke renditur këto arsye:

“Konteksti politik dhe mediatik i këtyre 31 viteve të tranzicionit dhe rreziku që mbart ky kontekst për lirinë e medias, nëse ligji (qoftë dhe i përmirësuar) do të zbatohej. Këtë kontekst, Venecia nuk e ka analizuar mjaftueshëm në opinionin e saj. Komisioni i Venecias vëren se parimi që Autoriteti i Medias Audiovizive (nën ombrellën e të cilit krijohet dhe struktura që do të trajtojë ankesat) është “i pavarur” është tashmë i parashikuar në ligjin ekzistues (neni 6). Venecia sjell në vëmendje opinionin e saj më të hershëm mbi legjislacionin për median të Hungarisë, duke rekomanduar për kontekstin shqiptar (paketën anti-shpifje), anëtarësi nga komunitetit mediatik dhe i shoqërisë civile që nuk janë të lidhur drejtpërdrejt me forcat politike kryesore, mund të jenë një hap për të rritur pavarësinë e këtij organi. Por efektivisht sa e realizueshme është ky rekomandim në kontekstin shqiptar ku polarizimi politik vlerësohet i lartë dhe rrjedhimisht do të krijonte vështirësi objektive në zgjedhjen e anëtëarëve nga media dhe shoqëria civile në përbërje të këtij organi?”-argumenton Skëndaj.

Ligj apo vetërregullim i medias?

Përfaqësues të organizatave mediatike dhe shoqërisë civile shprehen kundër paketave ligjore të hartuara nga qeveria ndërsa nxisin vetëregullimin e medias.

“Personalisht, në këtë situatë në të cilët ndodhet vendi, ku mazhoranca ka një kontroll të gjerë në shumë institucione, ku ka shumicën e bordit të AMA-s sipas formulës së kompozimit pavarësisht emrave qe zgjidhen dhe me një sistem drejtësie që është nën trysninë e vettingut, jam kundër një ligji të tillë për rregullimin e sektorit të mediave online. Çdo ndërhyrje nga klasa politike do të ndikonte negativisht në klimën mediatike në vend. Nga ana tjetër kjo nuk do të thotë që bizneset e mediave online t’i shmangen detyrimeve tatimore e të rrisin punësimin “në të zezë” të gazetarëve, janë dy gjëra të ndryshme”- thotë Elvin Luku, drejtues i Qendrës “Media Look”

“Sugjerimi ynë është që të griset ai projekt dhe të mos i rikthehemi si një ëndrre të keqe”- këmbëngul Koloreto Cukali, drejtor ekzekutiv i Këshillit Shqiptar të Medias.

“Për Shqipërinë, nevojitet të nxiten inciativat e vetë komunitetit të gazetarëve për vetërregullim të medias dhe në këtë drejtim ka nevojë për mbështetje të organizmave dhe ekspertëve ndërkombëtarë për lirinë e medias, për të identifikuar standardet/praktikat më të mira dhe se cilat janë të pranueshme në kontekstin politik, social dhe ekonomik të vendit tonë” – nënvizon Erida Skëndaj, drejtore ekzekutive e KSHH.

“Ne mbështesim propozimet e shoqatave të gazetarëve për politika vetë- rregulluese. Kjo paketë ishte mirëfilli vendosja e censures”, thekson deputetja e PD, Ina Zhupa.

Zyra e Përfaqësueses për Lirinë e Medias, Teresa Ribeiro, në përgjigjen për “Faktoje” paralajmëroi se “do të vijojë të monitorojë ngushtësisht çdo ndërhyrje legjislative, së bashku me çështje të tjera të rëndësishme për median dhe është e gatshmtë të mundësojë mbështjetje për autoritetet në forcimin e mjedisit të medias në Shqipëri, në linjë me mandatin e Përfaqësuesit për Lirinë e Medias”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img