.

.

BallinaAktualitetQendra Shëndetësore në Urën Vajgurore, rikonstruksion në mes të pandemisë dhe mjete mbrojtëse me kursim

Qendra Shëndetësore në Urën Vajgurore, rikonstruksion në mes të pandemisë dhe mjete mbrojtëse me kursim

Qendra Shëndetësore “18 tetori”, më e madhja në Urën Vajgurore dhe që mbulon nevojat e 12 mijë banorëve, e ka zhvendosur shërbimin në një ndërtesë private, pasi po rikosntruktohet. Në bashkinë ku janë shënuar 2 viktima që nga shfaqja e pandemisë, mjekët të cilët shpesh u duhet të shkojnë edhe nëpër banesat e pacientëve, ankohen për mjete të pamjaftueshme mbrojtëse, ndërsa janë të ekspozuar ndaj infektimit me Sars-Cov 2. Aktualisht 2 infermiere të kësaj qendre janë karantinuar.

Teksa pandemia në Shqipëri po bën “kërdinë” me infektimet e reja ditore, në bashkinë e vogël të Urës Vajgurore, qendra kryesore shëndetësore po rikonstruktohet dhe shërbimi është shpërngulur në një ndërtesë private.

Qendra shëndetësore në rikonstruksion

Faktoje e gjeti Qendrën Shëndetësore kryesore të Urës Vajgurore “18 tetori” në rikonstruktim. Tashmë ajo ishte një godinë e boshatisur dykatëshe ku një pjesë e mureve po shembeshin për t’u ndërtuar nga e para.

Kjo është hyrja e qendrës shëndetësore që po rikonstruktohet.

Tabela e punimeve tregon se rikonstruktimi i kësaj qendre shëndetësore është pjesë e planit që përfshin disa të tilla, në tre qarqe të vendit, ku përveç Beratit përfshihet Korça dhe Elbasani.

Të dhënat e afishuara për projektin janë të përgjithshme dhe të padetajuara për qendrën e Urës Vajgurore.

 Ilirjan Komini, drejtor i Qendrës Shëndetësore “18 tetori” me profil mjek i përgjithshëm, tha për Faktoje se ky rikonstruksion ishte i nevojshëm.

Rikonstruksioni i fundit ishte bërë në 1998 nga një fondacion francez. Kishte 22 vjet”- tha ai.

Në 3 Tetor të këtij viti, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu inspektoi punimet në qendrën shëndetësore në Urën Vajgurore, e cila po rehabilitohet në kuadër të programit kombëtar të 300 qendrave shëndetësore.

Është një premtim i mbajtur rikualifikimi dhe rehabilitimi i qendrës shëndetësore “18 Tetori”. Një ndër qendrat shëndetësore kryesore të bashkisë Ura Vajgurore. Nuk ka rëndësi nëse është në qendër të qytetit apo në zonat më të thella, ne kemi garantuar të njëjtin standard për rindërtimin e qendrave shëndetësore dhe ambulancave”-tha Manastirliu.

Ku marrin shërbim qytetarët?

“Qendra është zhvendosur dje, për një muaj, ndenjëm atje sa u punua në katin e dytë, tani po bëhen punimet në katin e parë, për një periudhë”- tha mjeku Komini.

Kjo është hyrja tek qendra e improvizuar shëndetësore në Urën Vajgurore.

Foto nga jashtë e ndërtesës private e cila po përdoret si qendër shëndetësore.

Tabela në hyrje e qendrës

Qendra ka shërbim 24 orësh dhe personeli i saj mbulon një komunitet prej 12 mijë banorësh, ose ish bashkinë e vjetër.

Pyetur për infastrukturën dhe kushtet për të luftuar pandeminë, Komini pohon se pavarësisht bashkëpunimit mes aktorëve kryesorë në zonë, ka pasur mungesa në tamponë dhe veshje mjekësore.

Numri i tamponëve ka qenë i kufizuar, të paktën këto dy javët e fundit. Unë kam vetë shumë pacientë të dyshuar. Kemi dy infermierë të izoluar. Higjenizues kemi pasur, me maska jemi furnizuar disa herë. Kemi pasur kostume për raste të veçanta, një numër 5 a 6, gjithsej”.

Mungesa e mjeteve mbrojtëse i ekspozon edhe më shumë ata ndaj infektimit, veçanërisht në rastet kur u duhet të shkojnë në shtëpitë e pacientëve.

Në Bashkinë e Urës Vajgurore, zyrtarisht ka pasur 24 raste të personave të infektuar me COVID-19 dhe dy humbje jete.

Sipas Censusit të vitit 2011, kjo bashki numëron 27,295 banorë, ndërsa sipas Regjistrit Civil ajo numëron një popullsi prej 39,551 banorë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img