BallinaFaktometerE vërtetëVaksinat e gripit dhe misteri i ‘shumëfishimit të tyre’

Vaksinat e gripit dhe misteri i ‘shumëfishimit të tyre’

Sa herë që denoncohet mungesa e vaksinave të gripit sezonal, qeveria reagon duke konfirmuar se është disafishuar numri i tyre në krahasim me vitin e kaluar. Nga verifikimi i Faktoje rezulton se sivjet numri i vaksinave të porositura është rritur më shumë se 4 herë në krahasim me vjet, kur u vaksinuan 80 mijë persona, por ndryshe nga 2019-a, vërehet se deri në muajin nëntor kanë mbërritur vetëm 1/5 e sasisë së porositur. Edhe tregu farmaceutik po përballet me mungesë vaksinash, ndërsa disa denoncime flasin për monopolizim të tij.

Pas deklaratave  të kryetarit të opozitës Lulzim Basha në lidhje me mungesën e  vaksinave të gripit Zv/ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, njëherësh edhe kryetare e Komitetit të Ekspertëve për Pandeminë, Mira Rakacolli, deklaroi gjatë një interviste  se këtë vit janë siguruar 4-fish më shumë doza vaksine për gripin stinor për personat e kategorive të rrezikuara.

Kjo nuk është hera  e parë  që Zv/ministria bën një deklaratë publike për sasinë  e vaksinave të blera. Në datën 20 gusht 2020  në një tjetër intervistë televizive, Rakacolli u shpreh se këtë vit janë porositur trefishi i vaksinave krahasuar me vitet e tjera, që do të ofrohen falas.

Sa vaksina u siguruan vitin e kaluar?

Në fund të vitit të kaluar, gjatë raportimit në komisionin e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale në Kuvend, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se janë vaksinuar në kohë 80,000 qytetarë. Kjo është dhe shifra që ISHP deklaron për dozat e vaksinave të mbërritura në 2019.

Sa është shifra zyrtare e vaksinave të gripit të siguruara për 2020-n?

Në datën 30 shtator 2020 gjatë një vizite në Poliklinikën Qendrore në Tiranë, për nisjen e procesit të vaksinimit kundër gripit, ministrja Manastirliu deklaroi: “Bazuar edhe në rekomandimin e ekspertëve, ne ia kemi dalë të financojmë në kohë dhe të sigurojmë 368 mijë doza vaksinash, sasia e parë e të cilave ka mbërritur dhe ka nisur të shpërndahet në qendrat shëndetësore, me qëllim vaksnimin e kategorive të riskut.”

Nga një përllogaritje e thjeshtë,  konfimohet se numri i vaksinave të porositura është mbi 4 herë më i madh se numri faktik i vaksinave që u kryen në 2019-n.

368 000 vaksina te porositura sivjet: 80 000 vaksina që erdhën në 2019 = 4.6

Nga 368.000 vaksina të porositura nga qeveria, sipas Agjencisë Kombëtare të Barnave është importuar sasia prej 70 mijë vaksinash, ndërsa nuk jepet nje afat se kur mbërrin sasia tjetër.

Fushata e vaksinimit për gripin e stinës nuk nisi më herët, ende pritet mbërritja e vaksinave

Faktoje pyeti edhe ISHP përmes një kërkese për informacion mbi përditësimin e këtyre shifrave dhe jemi ende në pritje të përgjigjes.

Sot vakisnat e gripit sezonal janë në mungesë jo vetëm nëpër qendrat shëndetësore, por edhe nëpër farmaci.

Mungesën e  vaksinave të gripit sezonal nëpër farmaci private Faktoje e  ka sjellë  disa herë  si problematikë përmes vëzhgimit në terren. Deri në fund të muajit tetor në asnjë farmaci të kryeqytetit nuk kishte vaksinë të gripit.

Në kërkim të vaksinave të gripit sezonal, as farmacitë nuk kanë

Çfarë plani ka Shqipëria për përballimin e gripit sezonal gjatë pandemisë së Covid-19 ?

Çfarë thonë  farmacistët?

Drejtuesit e Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë gjatë takimit me kreun e PD Lulzim Basha në 4 nëntor, theksuan mungesën e vaksinës së gripit në rrjetet e farmacive.

“9500 vaksina janë importuar, janë zhdoganuar ose i janë dhënë leje zhdoganimi”, thanë, përfaqësues të UFSH në këtë takim.

Ndërkohë Diana Toma, Presidente e këtij Urdhri  ka denoncuar monopolizim në tregun e hapur farmaceutik sa i takon shitjes së vaksinave.

Këto pretendime i hodhi poshtë Agjencia Kombëtare e Barnave në reagimin zyrtar ku sqaron se për këtë treg janë importuar 34 500 vaksina.

Erdhi nëntori, po farmacitë s’kanë vaksina gripi

Një ditë pas këtyre deklaratave Faktoje pyeti sërish në disa prej farmacive të kryeqytetit, të cilat rikonfimuan mungesën e vaksinave.

“I kam marrë 10 herë në telefon sot ata të depos famraceutike dhe nuk ma hapin telefonin, janë tallur me ne.”-shprehet një farmaciste në rrugën e  Elbasanit

“Nuk e dimë se kur do t’i sjellin, na thanë në fund të tetorit  fillimi I nëntorit,  ja  jemi data 5 sot dhe nuk kemi asgjë. Nuk kemi  mundësi as të marrim për vete ne që jemi farmacistë dhe që jemi në kontakt me njerëzit çdo ditë”- shprehet M.K  farmaciste në zonën e Astirit .

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img