BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëQendra e Kuqarit mbulohet nga mbetjet, fshati po braktiset dita-ditës

Qendra e Kuqarit mbulohet nga mbetjet, fshati po braktiset dita-ditës

Projekti për transformimin e qendrës së Kuqarit nuk është vënë ende në zbatim, ndonëse u premtua nga kryebashkiakja e Patosit, Rajmonda Balilaj që në vitin 2019. Faktoje ishte në Kuqar më 20 shtator, ku pamë nga afër se fshati ishte harruar nga institucionet, por po braktisej edhe nga banorët.

……..

“Mirëmbajtja e rrugëve të brendshme dhe qendra rurale në zemër të Kuqarit nisin së shpejti”, ky ishte zotimi i bërë nga kryebashkiakja Rajmonda Balilaj, nëpërmjet një postimi në Facebook më 9 qershor të 2019-s.

Postimi në Facebook i Rajmonda Balilajt

Mirëpo, edhe pse kanë kaluar më shumë se 2 vite nga premtimi i bërë nga kryebashkiakja e Patosit, për ndërtimin e qendrës së Kuqarit, puna nuk ka nisur ende. Faktoje ishte në Kuqar në 20 shtator për të verifkuar në terren zotimin e bërë.

Ne konstatuam që qendra e tij ishte shndërruar në një vendgrumbullimi mbetjesh dhe dukej qartë, që ky fshat ishte lënë në harresë.

Qendra e Kuqarit, shtator 2021

Një shkollë e vjetër dhe e rrënuar, një ambulancë që ofronte shërbim deri në orën 14:00 dhe grumbuj mbetjesh, ishin ato që Kuqari mund t’i ofrojë sot banorëve të tij. Në asnjë cep të tij nuk shiheshin makineri apo tabela, që lajmëronin se do të ngrihej një kantier ndërtimi.

Ambulanca në Kuqar, shtator 2021

Faktoje bisedoi edhe me banorë të zonës, të cilët nuk ishin ne dijeni të një projekti të tillë.

“Nuk kemi dëgjuar gjë që do rregullohet qendra. Njerëzit po ikin nga këtu, ka marrë fund. Jemi ngopur me premtime, por deri më tani, asgjë konkrete”, thanë banorët.

Shkolla e Kuqarit, shtator 2021

Gjithashtu banorët tregojn se dita – ditës  fshati po braktiset. Tregues i këtij fenomeni shqetësues është edhe mbyllja e kopshtit vetëm pak ditë më parë.

“Këtu kanë mbetur vetëm të moshuar. Ne na mbajnë emigrantët. Para pak ditësh u mbyll edhe kopsht, nuk kishte fëmijë, 3-4 fëmijë ishin. Shkolla ka vite që është mbyllur. Nuk ka të ardhme këtu”, tregoi një banore e Kuqarit për Faktoje.

Ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion edhe Bashkisë Patos, ku morëm këtë përgjigje: “Ndërtimi i qendrës së Kuqarit, Patos është objekt në fazën e planifikimit, por mbetet në vëmendje të Bashkisë për një implementim sa më të hershëm të saj”.

Përgjigja e Bashkisë Patos për Faktoje

Premtimi për ndërtimin e qendrës së Kuqarit është ngritur si çështje nga Faktoje edhe një vit më parë, më 28 nëntor të 2020-s. Në artikull, theksohej se ky projekt nuk ishte buxhetuar dhe ende sot nuk ka hapa konkretë për realizimin e tij.

Nga verifikimi që ne bëmë në terren, informacionet e grumbulluara dhe komunikimi me banorët, rezulton se ky premtim i bërë që në 2019 është I PAMBAJTUR.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img