BallinaPertejMinistritë e pranojnë: Asnjë vendim zyrtar për vaksinimin e detyruar, deri në 24 shtator

Ministritë e pranojnë: Asnjë vendim zyrtar për vaksinimin e detyruar, deri në 24 shtator

Cili vendim zyrtar apo institucional e bën të detyruar vaksinimin kundër Covid- 19? Kjo çështje është bërë objekt debati, sidomos në komunitetin e arsimtarëve dhe studentëve, një pjesë e të cilëve japin argumenta mbi zgjedhjen për të mos u vaksinuar. Gjatë verifikimit të Faktojes mbi ekzistencën e ndonjë vendimmarrjeje institicionale lidhur me këtë çështje, Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit, pranuan se nuk ka një të tillë, të paktën deri në 24 shtator, kur në Fletoren Zyrtare u shpall urdhdhëri për kategorinë e mësuesve dhe studentëve.


Refuzimi i vaksinës kundër Covid-19 po ndikon në marrëdhëniet e punës mes stafit arsimor dhe institucioneve arsimore, madje në disa raste mësuesit e pavaksinuar janë ndaluar të hyjnë në shkollë për të dhënë mësim.

“Drejtues shkollash, siç është drejtoresha e shkollës At Gjergj Fishta, e cila dje ka penalizuar një mësuese, që nuk pranon të bëjë vaksinën, do të përgjigjen para ligjit se ato nuk kanë asnjë të drejtë ligjore, nuk ka një urdhër, një udhëzim që penalizon  mësuesin nga mosbërja e vaksinës. E kanë nxjerrë nga shkolla, e kanë larguar dje!”-u shpreh kryetari i sindikatës së arsimit në Shkodër, Arjan Peraj më datë 28 Shtator në emisionin Wake Up në Top Channel. Këtë problematikë, Faktoje e përcolli përmes një artikulli faktverifikuese në datë 9 Shtator, duke bërë një krahasim me Italinë, ku bazuar në një urdhër zyrtar, vaksinimi i stafit mësimor apo i studentëve, bëhet me detyrim. Madje, qeveria e këtij shteti ka krijuar edhe aplikacionin që mundëson verifikimin në kohë reale të certifikatave të vaksiminit. Nisur nga ky rast, Faktoje i ishte drejtuar me anë të një kërkese për informacion tre institucioneve, nëse ekzistonte një vendimmarrje e ngjashme edhe në Shqipëri.

I pari institucion që ktheu përgjigje pas kërkesës së dërguar më datë 9 Shtator, ishte Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ndërkohë që e njëjta kërkesë i ishte deleguar këtij institucioni edhe nga Kryeministria.

Kërkesa për informacion drejtuar MASR, datë 9 Shtator

Në përgjigjen e kthyer më datë 21 Shtator, MASR pranon se nuk ka një vendim zyrtar që detyron stafin arsimore të vaksinohet ndaj Covid-19.

Përgjigja e MASR, datë 21 Shtator

Edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila ktheu përgjigje më datë 27 Shtator nuk e konfirmon një vendimmarrje institucionale për këtë çështje, por përmend vetëm rekomandimin e Komitetit Teknik të Ekpsertëve, publikuar më 30 Gusht.

Përgjigja e Ministrisë së Shëndetësisë, datë 27 Shtator

 

“Bazuar në Vendimin e Komitetit të Ekspertëve, që është bërë dhe publik më 30 Gusht 2021, është rekomanduar vaksinimi i grupeve më të riskuara nga marrja dhe sidomos shpërndarja e infeksionit Sars Covid 2, duke filluar nga stafet mjekësore, arsimtarët dhe studentët. Vlerësohet që Shtatori të jetë muaji i hapur dhe të gjitha stafet mjekësore, arsimtarët dhe studentët të kryejnë vaksinimin dhe deri më datë 30 Shtator të dorëzojnë vërtetimin/kopjen e kartës së vaksinimit të lëshuar nga E-Albania pranë qendrës së punës e për studentët pranë zyrave të përcaktuara nga IAL. Pas kësaj date, do të kërkohet në mënyrë periodike paraqitja e Testit PCR për të verifikuar infektueshmërinë”-thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për Faktoje.

 

Ndërkohë, Kryeministria ja deligoi kërkesën për informacion ministrisë së Shëndetësisë dhe të Arsimit.

Në një njoftim të 24 shtatorit, Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu vendosi si afat javën në vijim, për hyrjen në fuqi të urdhërit për paraqitjen e certifikatës së vaksinimit nga personeli arsimor në të gjitha shkollat e vendit.

“Duke filluar nga dita e hënë, ne do të lëshojmë udhëzimin që do të ndiqet për të verifikuar ata që kanë kryer vaksinimin, duke filluar nga arsimtarët. Urdhri përban të gjithë vendimet që ka marrë Komiteti Teknik i Ekspertëve, i cili përcakton që vetë institucionet shkollore, do të duhet që të kontrollojnë nëpërmjet mekanizmave që do të ngreën, të gjithë certifikatat e vaksinimit për personelin që do të jetë në shkolla dhe gjithashtu duke filluar nga data 11 Tetor dhe për studentët”-tha Manastirliu.

Nga verifikimi që Faktoje bëri, rezulton që  urdhëri në fjalë është shpallur në Fletoren Zyrtare më 24 Shtator:

“Personeli i institucioneve arsimore duhet të depozitojë pranë qendrës së punës dhe studentët pranë zyrave të përcaktuara nga IAL çertifikatën e vaksinimit Covid-19 nga E-Albania apo kartën e vaksinimit. Në rast se këto dy kategori nuk dorëzojnë dokumentet e mësipërme, do t’ju kërkohet paraqitja çdo javë e testit të PCR, të kryer sipas procedurës për kryerjen e testeve për efekte administrative, për të verifikuar që nuk janë mbartës të Covid-19 duke filluar nga data 27 shtator të këtij viti.”- thuhet në urdhër.

Vendimi i datës 24 Shtator ku urdhërohet personeli arsimor dhe studentët të vaksinohen.

Sipas një përgjigjeje zyrtare nga Drejtoria e Racionalizimit të Kujdesit Shëndetësor, pas kërkesës për informacion nga ana e Faktojes, mbi 80% e arsimtarëve/pedagogëve kanë marrë një dozë të vaksinës anticovid dhe mbi 60% e stafeve arsimore/pedagogjike kanë marrë të dy dozat e vaksinimit.

“Bazuar në Planin Kombëtar të Vaksinimit, stafet arsimore ku përfshihen arsimtarë dhe pedagogë dhe stafet mjekësore, janë trajtuar si kategori prioritare nga MSHMS gjatë fushatës së vaksinimit ndaj Covid-19. Aktualisht rezulton se mbi 80% e arsimtarëve/pedagogëve kanë marrë një dozë dhe mbi 60% e stafeve arsimore/pedagogjike kanë marrë të dy dozat e vaksinimit. Gjithashtu mbi 80% e personelit mjekësor është i vaksinuar”-thuhet në përgjigjen zyrtare të DRKSH.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img