BallinaAktualitetProgres raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë 2023

Progres raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë 2023

Komisioni Europian publikoi raportin e progresit për Shqipërinë për vitin 2023. Sa i përket medias, për të dytin vit rradhazi KE theksoi shqetësimin që vjen nga ndërthurja e interesave të politikës dhe biznesit me median tradicionale dhe atë online, mungesën e transparencës për burimin e financimit të tyre si dhe kushtet e këqija të punës për gazetarët. Rekomandimet e KE për përmirësimin e lirisë së medias në vend mbetën të pandryshuara edhe për këtë vit.

Jona Plumbi

Komisioni Europian publikoi në 8 nëntor progres raportet për vendet kandidate për antarësim në BE dhe vendet potencialisht kandidate për antarësim. Mes tyre, edhe raportin për Shqipërinë.

Probleme të vazhdueshme në media

Klima e medias në Shqipëri nuk është përmirësuar krahasimisht me vitin e kaluar, në vlerësimin e Komisinit Europian.

Ndërthurja e interesave të biznesit dhe atyre politike, mungesa e transparencës për burimin e financimit, intimidimi dhe kushtet jo të mira të punës vijuan të pengojnë pavarësinë e medias, pluralizmin dhe cilësinë e gazetarisë.

– Progres Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë, 2023

Këto probleme theksohen për të dytin vit rradhazi në raportet e Komisionit Europian.

Gjatë vitit 2023 mjedisi mediatik pasqyrohet në raportin e KE me probleme të vazhdueshme, përfshi përqëndrimin e pronësisë së mediave dhe kontrollit të ushtruar nga ndërthurja e interesave të biznesit me politikën, duke ndikuar drejtpërdrejt tek liria e medias.

Grupet e fuqishme të biznesit e rritën më tej depërtimin e tyre në tregun mediatik gjatë vitit 2023.

– Progres Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë, 2023

Problemin në fushën e medias KE e vërejti edhe tek vijimi i përdorimit të gjuhës denigruese nga zyrtarë të nivelit të lartë dhe aktorëve politikë ndaj gazetarëve. Në raport përmendet fakti se në korrik 2022, për herë të dytë një gazetari iu ndalua për tre muaj hyrja në konferencat e shtypit të qeverisë, me pretendimin për shkelje etike.

Aksesi në informacion dhe kushtet e punës

Sigurimi i aksesit të drejtpërdrejtë dhe transparent të medias në institucionet qeveritare dhe aktivitetet e tyre apo në informacionin publik jo partiak, mbetet i një rëndësie kyçe për raportin.

Vazhdimi i praktikës së institucioneve, zyrtarëve publikë dhe partive politike për shpërndarjen e materialeve të gatshme audio-vizive dhe teksteve në media, veçanërisht në kuadër të zgjedhjeve, mbetet një fushë shqetësuese që duhet adresuar. – thekson KE.

Mungesa e të drejtave të punësimit mbetet një çështje shqetësuese, veçanërisht në mediat lokale dhe ato online. Shumë punonjës të medias nuk kanë kontrata pune, ndërsa shumë gazetarë nuk marrin pagat në kohë ose pushohen nga puna në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Punës.

I vetmi përparim në këtë fushë sipas KE është ndryshimi i ligjit për Autoritetin e Mediave Audiovizive, duke e përputhur me direktivat e BE-së.

Për të përmirësuar situatën e lirisë së mediave në vend, Komisioni Europian e sheh si domosdoshmëri një vlerësim të gjerë të kuadrit ligjor, në mënyrë që të adresohen sfidat kryesore që pengojnë pavarësinë e medias, me fokus të veçantë tek përqendrimi i pronësisë së medias në pak duar dhe sigurimi i transparencës së burimeve të financimit, përfshi atë publik.

Mediat online

Sa i përket mediave online, raporti vlerëson se nga rreth 800 media online në gjithë Shqipërinë, pjesa më e madhe e tyre janë të regjistruara jashtë shtetit.

Media digjitale vijon të jetë nën influencën e fortë të aktorëve politikë, bizneseve dhe palëve të treta sa i përket financimit dhe përmbajtjes.

Platformat e mëdha të teknologjisë së informacionit mbeten të parregulluara dhe të paregjistruara në Shqipëri, megjithëse ato përbëjnë një pjesë të madhe të tregut të reklamave online dhe janë platformat kryesore të shpërndarjes së lajmeve dhe përmbajtjeve video. Komisioni Europian vlerëson se reklamimi në internet dhe mediat sociale gjatë zgjedhjeve mbetet i parregulluar.

Rekomandimet e KE

Nisur nga fakti se shqetësimet e ngritura nga raporti i progresit të vitit 2022 për Shqipërinë, vijojnë edhe në vitin 2023, rekomandimet e Komisionit Europian mbeten të pandryshuara për të dytin vit rradhazi sa i përket medias.

Edhe këtë vit Komisioni Europian i rekomandon Shqipërisë të adresojë përqendrimin e lartë të pronësisë së mediave në pak duar dhe të rrisë transparencën e financimit të mediave, përfshi këtu rishikimin e kërkesave ligjore për reklamat publike, në linjë me standardet europiane.

Komisioni Europian rekomandon gjithashtu përmirësimin e kushteve të punës për gazetarët, zero tolerancë kundrejt intimidimit të gazetarëve, përfshi edhe dekriminalizimin e shpifjes.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img