BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëPremtimi për ujë të pijshëm riciklohet edhe këtë vit në Himarë

Premtimi për ujë të pijshëm riciklohet edhe këtë vit në Himarë

Një ndër premtimet më të zvarritura në Shqipëri është furnizimi me ujë 24 orë. Kështu ndodh edhe në Himarë, ku prej 2015-s kryebashkiaku Jorgo Goro u premtoi banorëve se do t’i jepte fund legjendës së ujit të pijshëm. Një verifikim i Faktoje tregoi se në rastin më të mirë, legjenda përfundon në korrik 2024, ndërsa realizimi në fakt bëhet me fonde të qeverisë dhe jo bashkisë. Ky është rasti tipik, kur kandidatët për kryebashkiakë propagandojnë premtimet madhore (me fonde të qeverisë) në këmbim të votës.

Edhe këtë vit, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 14 Majit, qytetarët e Himarës dëgjuan t’u premtohet ujë i pijshëm 24 orë pa ndërprerje, nga kandidati socialist për bashkinë Jorgo Goro, i cili sapo kishte përfunduar mandatin e dytë në krye të kësaj Bashkie.

“Tani që po flasim po bëhet ujësjellësi i madh i Himarës dhe përfshin jo vetëm qytetin e Himarës, por edhe fshatrat e saj, i cili do të zgjidhë problemin e gjithë kësaj zone për rreth 40 mijë banorë me ujë të pijshëm 24 orë.” – njoftonte Jorgo Goro në 26 Prill.

Vota e qytetarëve nuk e zgjodhi për një mandat të tretë Jorgo Goron në Himarë, por mbajtja në qeli e kandidatit fitues, Fredi Beleri, dhe moslejimi i tij për të marrë mandatin dhe deleguar atë tek një zëvendës, ka sjellë qëndrimin në krye të bashkisë të kandidatit humbës në zgjedhje, Jorgo Goro.

Nisur nga ky fakt, ne u interesuam pranë Bashkisë së Himarës lidhur me punën që ajo po bën për të përmbushur një premtim historik të saj, atë të furnizimit me ujw të pijshëm 24 orë.

Në përgjigjen e saj Bashkia Himarë na informoi se derimë tani janë kryer vetëm 40% të punimeve për këtë projekt. “Firma zbatuese është Akelik Group nga Azerbaxhani. Vlera e plotë e kontratës, jo vetëm për qytetin e Himarës, por edhe në qendrat e tjera të kësaj bashkie në të cilat po kryhen të njëjtat punime si në qytetin e Himarës është 14.921.466 euro. Afati i mbarimit i këtij projekti është fundi i qershorit 2024.” – tha Bashkia Himarë për Faktoje.

Tenderi në fjalë është shpallur në tetor të vitit 2021 dhe kontrata është lidhur në prill të 2022-shit, me afat përfundimi 20 muaj dhe 12 muaj të tjerë kohë për identifikimin e defekteve të mundshme. Premtimin për ujë të pijshëm 24 orë në Himarë, kryetari i bashkisw prej dy mandatesh e ka dhënë për herë të parë në vitin 2015.

*Premtimi i vitit 2015 i kandidatit socialist Jorgo goro përpara zgjedhjeve vendore të korrikut

Nga një verifikim në terren ne vërtetuam se punimet për ujësjellësin në Himarë vijojnë.

Përgjatë rrugës së lumit të Vlorës dhe në fshatra të ndryshme të Himarës, janë të dukshme punimet për shtrimin e tubacionit që pritet të furnizojë me ujë qytetin bregdetar.

Në tabelën e projektit bie në sy se ai është një bashkëfinancim i qeverisë qendrore dhe KFW, çka tregon se ky është një projekt madhor. Si në shumë raste të ngjashme ai është propaganduar si premtim kandidatit për drejtues të pushtetit vendor për të joshur qytetafrët në këmbim të votës për kryebashkiak.

*Tubacionet e punimeve për ujësjellësin e Himarës, parë nga rruga e lumit të Vlorës
*Shtrirja e tubacioneve në zonën e fshatit Pilur

Aktualisht qytetarët e Himarës e mbledhin ujin me depozita.

Kështu na tregoi zonja Fotine, e cila jeton në një pallat në Himarë.

Ujë ka Himara, por është i kripur” – tregon Fotineja duke na shpjeguar se kripa u gërryen tubat dhe depozitat që duhen ndërruar vazhdimisht.

Presim të shohim ç’do na sjellë ujësjellësi i ri që merr ujin nga Kuçi dhe e sjell në Himarë” – thotë shpresëplotë zonja.

Nisur nga të dhënat publike të tenderit, informacionit zyrtar të mundësuar nga bashkia Himarë dhe verifikimi në terren, premtimin për ujësjellësin e ri të Himarës mund ta konsiderojmë deri tani pjesërisht të mbajtur.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img