Në Tetor 2026, Faktoje botoi 40 artikuj verifikues lidhur me pretendime që qarkulluan në rrjet këtë muaj.
Protestat që përfshinë Shqipërinë, por dhe Europën, këtë muaj kishin të bënin me 40% të verifikimeve. Disa pretendime lidheshin me protestat studentore në Francë, por shumica e pretendimeve të verifikuara lidheshin me protestat studentore që shpërthyen në Shqipëri nga 13 tetori. Kjo përfshinte pretendime se qeveria kishte mobilizuar ushtrinë për shtypjen e protestave, se Vetëvendosja kosovare kishte organizuar mbështetje për protestën, se Policia porosit numra dhe stema false për policët në protestë, se nëna e Muhamet Skanës, një të riu që u dhunua nga policia gjatë protestave, ka deklaruar se i biri ishte paguar për të qenë në protestë, se Greqia kishte nxjerrë tanket në Selanik për të parandaluar ‘efektin domino’ nga protestat, se një fluks i pazakontë fluturimesh nga Izraeli kishte lidhje me protestat, se një 16-vjeçar kishte humbur jetën gjatë protestave, dhe se protestuesit kishin qëlluar me armë.
Një e katërta e verifikimeve kishin të bënin me përmbajtje të gjeneruara me programe të inteligjencës artificiale (AI). Shumicën e rasteve, këto përmbajtje janë shpërndarë nga dy ose më shumë llogari të ndryshme dhe të marra së bashku kanë marrë mijëra ndërveprime, me raste duke arritur shpërndarje virale. Përmbajtjet e gjeneruara kishin të bënin me protestat studentore në Shqipëri, me pamje të gjeneruara të ‘policëve të huaj’, të Bashkisë Tiranë në flakë, Megjithatë, përmbajtje të tilla përdoren edhe për të pretenduar se ushtarët ukrainas po qajnë nga frika, se një robot mjekësor kishte dalë jashtë kontrollit dhe se trajneri i kombëtares turke kishte rrahur lojtarët pas humbjes me Italinë.
Gjatë Tetorit, Faktoje ka verifikuar gjithashtu pretendime të ndryshme lidhur me luftën në Ukrainë (10%), shëndetin dhe këshilla rreth tij (7.5%), emigrimin dhe emigrantët (7.5%), Bashkimin Europian (5%), Izraelin dhe hebrenjtë (5%), teori konspirative (5%), përmbytjet vdekjeprurëse në Nepal (2.5%), Kosovën (2.5%) dhe skemat e mashtrimit (2.5%).
Në krahasim me një muaj më parë, lajmet lidhur me protestat patën një rritje nga 0% në gati 50% të totalit, si zhvillimi më i përfolur në Shqipëri në Tetor 2026. Si pasojë, lajmet në lidhje me tema të tjera pësuan rënie në përqindje. Përjashtim mbeten përmbajtjet e gjeneruara me AI, që vijojnë të zënë ¼ e lajmeve të verifikuara. Vërejmë gjithashtu një rritje të lehtë në verifikimet lidhur me Ukrainën, emigrantët dhe Bashkimin Europian.






