Buxheti 2027 me 61 bashki, si do të zbatohet harta e re territoriale?! 

Buxheti 2027 do të zbatohet mbi bazën e 61 bashkive aktuale dhe më pas do të administrohet nga 46 bashkitë e reja pas zgjedhjeve vendore

49

Ndarja e fondeve për pushtetin vendor në pr.buxhetin 2027 do të bëhet mbi bazën e hartës aktuale me 61 bashki, pavarësisht reformës territoriale që parashikon shkrirjen e 15 prej tyre.

Duke qenë se harta e re territoriale parashikohet të zbatohet në zgjedhjet vendore të vitit 2027, të cilat do të mbahen në maj, ky kalim periudhe mes dy hartave administrative ngre pikëpyetje për mënyrën se si do të shpërndahen dhe administrohen fondet gjatë vitit të ardhshëm.

Faktoje.al pyeti Ministrinë e Financave për të sqaruar se çfarë do të ndodhë me fondet e këtyre bashkive pas zgjedhjeve vendore të majit 2027. 

Ministria sqaroi se fondet e parashikuara për bashkitë që do të shkrihen do të përthithen nga bashkitë pritëse, të cilat do të marrin përgjegjësinë për ofrimin e shërbimeve publike në një territor më të gjerë, në kuadër të organizimit të ri territorial.

Ky proces do të nisë nga muaji shtator e në vijim, pas përfundimit të fazës së dytë të reformës territoriale, e cila është aktualisht në proces në Kuvend. 

Pra, financimi i pushtetit vendor gjatë vitit 2027 do të kalojë nëpërmjet një periudhe tranzitore: fillimisht mbi bazën e organizimit aktual me 61 bashki dhe më pas, me funksionalizimin e ndarjes së re. 

Në katër muajt e fundit të vitit të ardhshëm, fondet do të administrohen nga 46 bashkitë e parashikuara në hartën e re. 

Në prezantimin e projektbuxhetit, më 29 tetor, ministri i Financave Petrit Malaj bëri të ditur se financimi për pushtetin vendor do të jetë 17% më i lartë krahasuar me vitin 2026. 

Fondi total i parashikuar për 61 bashkitë në vend është parashikuar rreth 48.26 miliardë lekë. 

Si ndahen fondet mes 15 bashkive që humbasin statusin?

15 bashkitë që do të shkrihen përfitojnë së bashku rreth 5.95 miliardë lekë nga fondet e parashikuara për pushtetin vendor në vitin 2027.

Sipas tabelës së transfertave për bashkitë, që shoqëron projektbuxhetin, nga fondi total prej 5.95 miliardë lekësh, rreth 3.22 miliardë lekë janë transferta të përgjithshme, ndërsa 2.73 miliardë lekë përbëhen nga transfertat sektoriale.

Nga 15 bashkitë që do të shkrihen, Maliqi rezulton njësia me financimin më të lartë për vitin 2027, me rreth 797 milionë lekë. 

Kjo bashki, që do të bëhet pjesë e Bashkisë Korçë, përfiton rreth 458 milionë lekë nga transferta e përgjithshme, ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga transfertat sektoriale.

Në vendin e dytë renditet Divjaka, e cila do t’i bashkohet Lushnjës, me rreth 575 milionë lekë. Pas saj vjen Përrenjasi, që do të integrohet në Bashkinë Librazhd, me rreth 486 milionë lekë.

Financime të konsiderueshme janë parashikuar edhe për Cërrikun, me 452 milionë lekë, Selenicën me 429 milionë lekë, Dimalin me 429 milionë lekë dhe Patosin me 417 milionë lekë.

Në anën tjetër, Libohova rezulton bashkia me financimin më të ulët ndër 15 njësitë që do të shkrihen, me rreth 138 milionë lekë. Ajo ndiqet nga Këlcyra, me 219 milionë lekë, dhe Poliçani, me 288 milionë lekë.

Reforma e re administrativo-territoriale u miratua nga Kuvendi më 9 tetor 2026, me 85 vota pro, duke e ulur numrin e bashkive nga 61 në 46. 

Faza e dytë e reformës pritet të përcaktojë më tej mënyrën e funksionimit, financimit dhe organizimit të shërbimeve në strukturën e re të pushtetit vendor.