BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëAsnjë plan konkret për Terminalin e Autobusëve Ndërqytetas në Vlorë

Asnjë plan konkret për Terminalin e Autobusëve Ndërqytetas në Vlorë

Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 Majit, kandidati socialist për Bashkinë Vlorë, Ermal Dredha përfshiu në programin e tij edhe ndërtimin e terminalit të autobusëve ndërqytetas. Por informacioni që Bashkia Vlorë i dha Faktojes tregon se, në rastin më të mirë, terminali ka mbetur vetëm një projekt-ide, pasi mungon financimi për ta realizuar.

Jona Plumbi

Në 10 Maj gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore, kandidati socialist për Bashkinë e Vlorës, Ermal Dredha premtoi ndërtimin e terminalit të autobusëve ndërqytetas, për të mundësuar akses për të gjithë vizitorët nga brenda dhe jashtë vendit. Ky premtim lidhej me prioritetin e katërt të programit elektoral të Dredhës, turizmin.

Ne u interesuam pranë Bashkisë Vlorë për planin e saj në përmbushje të këtij premtimi, pas fitores së socialistit Ermal Dredha në zgjedhjet e 14 Majit me mbi 28 mijë vota.

*tabela e rezultatit zgjedhor për Bashkinë Vlorë në zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023

përgjigjen e saj të parë Bashkia e Vlorës na informoi se ishte në fazën e studimit të fizibilitetit për ndërtimin e terminalit të autobusëve ndërqytetës.

Pas këmbënguljes së Faktoje për të mësuar se kush po e kryente këtë studim dhe sa ka kushtuar, bashkia Vlorë informoi se ka miratuar Planin e Përgjithshëm Vendor, në brendësi të të cilit ka parashikuar edhe terminalin e autobusëve në zonën e stacionit të trenit, në rrugën “Gjergj Kastrioti”.

“Është hartuar një projekt ide, por aktualisht nuk ka një projekt zbatimi të miratuar për terminalin e autobusëve”- sqaron më tej bashkia.

Në faqen e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, në rubrikën e-harta ku Bashkia thotë se gjendet projekti në fjalë, nuk ka asnjë të dhënë lidhur me terminalin e autobusëve. Ndërsa në Planin Vendor të Bashkisë të ngarkuar në faqen e AKEP, vendimi i fundit i përditësuar i përket vitit 2020.

Duke përdorur të vetmin informacion që Bashkia Vlorë na dha për planin e ndërtimit të terminalit të autobusëve ndërqytetas, u nisëm drejt zonës së stacionit të trenit në rrugën “Gjergj Kastrioti” në Vlorë për të parë vendin ku parashikohet ndërtimi i tij.

Gjendja e zonës ishte e mjerueshme.

*Zona e stacionit të trenit Vlorë, 19 Dhjetor 2023

Godina thuajse 40 vjeçare, e braktisur dhe me xhama të thyer dhe rruga e mbuluar nga gropat me ujë dhe baltë, të jepnin përshtypjen se koha aty ka mbetur në vend.

*Ish-stacioni i trenit Vlorë, 19 Dhjetor 2023
*Rruga përpara ish stacionit të trenit në Vlorë, 19 Dhjetor 2023

Sipas një publikimi të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor në vitin 2022 ku përfshihet plani për financimin e 4 terminaleve të autobusëve në vend, qarku Vlorë rezulton me një volum prej rreth 5 milionë udhëtarësh në vit.

Nisur nga informacioni i dhënë nga bashkia Vlorë se për terminalin autobusëve ndërqytetas ka një projekt ide, por jo një projekt zbatimi të miratuar dhe në mungesë të një dokumenti që vërteton projekt-idenë në fjalë, premtimin për ndërtimin e këtij terminali, do ta kategorizojmë deri tani të pambajtur.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img