Rrjeti Evropian i Standardeve të Verifikimit të Fakteve (EFCSN) dënon fushatën e koordinuar që synon anëtaren e tij shqiptare, Faktoje, ku informacioni financiar që organizata e publikon vullnetarisht, është shkëputur nga konteksti dhe është përdorur kundër saj.
Çfarë ndodhi?
Faktoje, organizatë e pavarur e verifikimit të fakteve me qendër në Shqipëri, anëtare e EFCSN, dhe drejtoresha e saj, Klodiana Kapo, po përballen me një seri sulmesh të koordinuara nga mediume që po qarkullojnë dhe, po riprodhojnë artikuj që vënë në dyshim financimin, menaxhimin financiar dhe pavarësinë e Faktojes, duke përdorur pasqyrat publike financiare për të hedhur dyshime mbi kredibilitetin e organizatës.
Faktoje i konsideron këto sulme drejtpërdrejt të lidhura me aktivitetin e saj të verifikimit të fakteve në kuadër të partneritetit me Meta-n, në kontekstin e punës për mbulimin e protestave dhe përgënjeshtrimin e narrativave mashtruese, që synojnë protestuesit.
Pse verifikuesit e fakteve janë transparentë
Transparenca është një vlerë themelore e komunitetit të pavarur të verifikimit të fakteve. Anëtarët e EFCSN angazhohen, sipas Kodit Evropian të Standardeve, të bëjnë publike kush i financon, kush është pronar, kush i drejton dhe si punojnë. Ata vlerësohen në mënyrë të pavarur kundrejt këtyre angazhimeve para se të pranohen në rrjet, dhe më pas çdo dy vjet.
Këtë e kërkojmë nga anëtarët tanë sepse, publiku ka të drejtë të dijë me kë ka të bëjë. Verifikuesit e fakteve u kërkojnë politikanëve, institucioneve dhe platformave të japin llogari për pretendimet e tyre dhe, janë të gatshëm t’i nënshtrohen po të njëjtit standard.
Qasja e hapur ndaj financimeve, u lejon lexuesve të gjykojnë vetë nëse një verifikues faktesh është i pavarur, dhe kjo hapje, së bashku me një metodologji të publikuar dhe angazhimin për të korrigjuar gabimet, e bën verifikimin e fakteve të besueshëm.
Një model i përsëritur
Fushata kundër Faktoje nuk është rast i izoluar. Në mbarë Evropën, EFCSN vëren përpjekje të rregullta nga aktorë keqdashës për të shfrytëzuar pikërisht informacionin që verifikuesit e fakteve e publikojnë me mirëbesim. Në veçanti, faqet e financimit ose listat e granteve shkëputen nga konteksti për të diskredituar verifikuesit e fakteve.
Këtu ka hipokrizi. Ata që nisin këto fushata rrallëherë zbulojnë ndonjë gjë për veten, për ata që i paguajnë ose për interesat që shërbejnë. Ata shfrytëzojnë transparencën pa ofruar asnjë në këmbim.
Nëse vazhdon, ky model dërgon një mesazh të rrezikshëm: që të qenit transparent të bën shënjestër. Kjo do të ndëshkonte pikërisht sjelljen që forcon besimin e publikut dhe do të shpërblente mungesën e transparencës, që e minon atë.
Kjo duhet të ndalet
EFCSN nuk do t’i përgjigjet duke hequr dorë nga transparenca. Anëtarët tanë do të vazhdojnë të publikojnë financimin, pronësinë dhe metodologjinë e tyre, sepse publiku meriton asgjë më pak.
Por, transparenca nuk mund të jetë një detyrim i njëanshëm që mbahet vetëm nga ata që veprojnë me mirëbesim. Prandaj u bëjmë thirrje:
- Atyre që qëndrojnë pas fushatës, të ndalojnë së shtrembëruari financimin e Faktoje dhe të pushojnë së targetuari stafin e saj.
- Autoriteteve shqiptare dhe institucioneve evropiane, të flasin publikisht në mbështetje të verifikuesve të pavarur të fakteve dhe gazetarëve dhe, të garantojnë sigurinë e tyre.
- Mediave që raportojnë mbi financimin e verifikuesve të fakteve, ta bëjnë këtë me saktësi dhe në kontekst.
- Financuesve të verifikimit të pavarur të fakteve, të qëndrojnë publikisht pranë organizatave që mbështesin kur ato sulmohen.
EFCSN qëndron në solidaritet të plotë me Faktoje dhe ekipin e saj. Transparenca e tyre është një forcë, jo një dobësi dhe duhet njohur si e tillë.






