Rikonstruksioni i Teatrit “Aleksandër Moisiu” ende në proces, 70 mln lekë shtesë

Në shtator 2026 punimet nuk kanë përfunduar, kurse Bashkia njofton një shtesë kontrate me afat 5-mujor.

8
Teatri Aleksander Moisiu

Nga Jona Cenameri

Në maj 2023, gjatë fushatës për zgjedhjet vendore, kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, premtoi rikonstruksionin e Teatrit “Aleksandër Moisiu”, pjesë e Pallatit të Kulturës në qendër të qytetit.

Premtimi i kryetares se Bashkise

Më shumë se tre vjet më vonë, projekti është në zbatim, por rikonstruksioni nuk ka përfunduar. 

Në terren, Faktoje konstatoi në shtator 2026 se godina vazhdon të jetë kantier. 

Kurse Bashkia Durrës konfirmon se pas përfundimit të afatit të kontratës së parë është nënshkruar një shtesë kontrate prej rreth 70 milionë lekësh me TVSH dhe me afat 5 muaj.

Premtimi

Më 7 maj 2023, Emiriana Sako e renditi rikonstruksionin e Teatrit “Aleksandër Moisiu” mes “projekteve të mandatit të ardhshëm”.

Në postimin elektoral, të shoqëruar edhe me imazhe të projektit të ardhshëm, Sako shkruante se synohej krijimi i një ndërtese shumëfunksionale dhe inovative, duke ruajtur identitetin dhe vlerat historike të objektit. 

Projekti parashikonte gjithashtu rritjen e kapacitetit të sallës kryesore dhe krijimin e aksesit për personat me aftësi të kufizuara.

Pamjet e publikuara tregonin një fasadë të transformuar, ambiente të reja të brendshme dhe sallën e teatrit të rikonstruktuar.

Nga premtimi te tenderi

Në shkurt 2024, Sako dha më shumë hollësi për investimin. Ajo deklaroi se ndërtesa do t’i nënshtrohej një rikonstruksioni të plotë dhe se synimi ishte që kontrata të lidhej brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2024. 

Investimi u vlerësua në rreth 595 milionë lekë, prej të cilave 317 milionë lekë parashikohej të financoheshin nga Bashkia Durrës dhe 278 milionë nga Ministria e Kulturës, Ekonomisë dhe Inovacionit. 

Sipas Open Procurement procedura e prokurimit për “Rikonstruksionin e Pallatit të Kulturës” u shpall më 18 korrik 2024, me fond limit 496,274,322 lekë pa TVSH dhe kohëzgjatje 12 muaj. 

Fitues u shpall bashkimi i operatorëve “G.P.G. Company”, “Gjikuria” dhe “Senka”, me ofertë 488,709,669 lekë pa TVSH, ose rreth 586.4 milionë lekë me TVSH. 

Të njëjtat të dhëna shfaqen edhe në tabelën e kantierit të fotografuar nga Faktoje në terren në shtator 2026. Bashkia Durrës figuron si investitor dhe afati i ndërtimit përcaktohet në 12 muaj.

Kantieri

Punimet dhe ecuria e projektit

Në fund të vitit 2024, godina ishte kthyer tashmë në kantier. Në korrik 2025, përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Bashkisë Durrës vizituan punimet. 

Ministria e përshkroi investimin si të bashkëfinancuar dhe deklaroi se rikonstruksioni synonte përmirësimin e kushteve teknike dhe funksionale, modernizimin e skenës dhe rikthimin e teatrit si hapësirë aktive kulturore. 

Çfarë thotë Bashkia në 2026

Faktoje pyeti Bashkinë Durrës për fazën e projektit dhe afatin e përfundimit.

Sipas institucionit, kontrata e parë për punët publike ka përfunduar gjatë periudhës qershor-korrik 2026.

Ndërkohë, Bashkia bën të ditur se është nënshkruar një amendament i kontratës fillestare nr. 3327/11, datë 8 nëntor 2024, për projektin “Rikonstruksion i Pallatit të Kulturës”.

Sipas përgjigjes: “Vlera e këtij amendamenti është 69,990,470 lekë me TVSH, me afat 5-mujor.”

Dokumentet e tenderit të vitit 2024 parashikonin fillimisht një kontratë 12-mujore. 

Sipas Fazës II të Programit Buxhetor Afatmesëm 2026-2028 të Bashkisë Durrës rikonstruksioni i Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu” figuron me një kosto prej 308.45 milionë lekësh nga financimi i brendshëm. 

Faza II e Programit Buxhetor Afatmesëm 2026-2028 të Bashkisë Durrës

188 milionë lekë ishin parashikuar në buxhetin e vitit 2025 dhe 120.45 milionë lekë janë planifikuar për vitin 2026. 

Parashikohen gjithashtu 958 mijë lekë për mbikëqyrjen e punimeve dhe 639 mijë lekë për kolaudimin e objektit.

Në dokument, projekti ka si datë fillimi 25 janarin 2024 dhe si datë përfundimi 31 dhjetorin 2026.

Pra, projekti ka kaluar përtej afatit fillestar të punimeve dhe po vijon përmes një shtese kontraktuale.

Verifikimi në terren

Në verifikimin e Faktoje në shtator 2026, punimet vazhdonin.

Godina ishte ende e rrethuar dhe tabela e kantierit vijonte të tregonte afatin 12-mujor dhe vlerën fillestare të objektit prej 488,709,669 lekësh pa TVSH.

Banorë të zonës thanë për Faktoje se kantieri kishte rreth një vit a pak më shumë që ishte aktiv, por, sipas tyre, punimet kishin ecur shumë ngadalë.

“Ka kohë që punohet, afërsisht një vit, por shumë ngadalë”, tha një banor pranë objektit.

Përfundimi

Në shtator 2026, rikonstruksioni i Teatrit “Aleksandër Moisiu” vijon përtej afatit fillestar, ndërsa Bashkia ka miratuar një shtesë 5 mujore kontrate për përfundimin e punimeve. 

Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.