BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookPapa Francesku nuk ka dhënë bekimin për rishkrimin e Biblës nga Inteligjenca Artificiale

Papa Francesku nuk ka dhënë bekimin për rishkrimin e Biblës nga Inteligjenca Artificiale

Forumi Ekonomik Botëror nuk do të rishkruajë Biblën duke përdorur Inteligjencën Artificiale, siç pretendohet në postime të shpërndara në rrjetet sociale. Faktoje sjell të dhënat që tregojnë se kemi të bëjmë me një informacion të rremë.

Postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë pretendojnë se Forumi Ekonomik Botëror do të rishkruajë Biblën duke përdorur Inteligjencën Artificiale dhe për këtë ka marrë autorizim edhe nga Papa Françesku.

Forumit Ekonomik Botëror i është dhënë autorizimi nga Papa Françesku për të rishkruar Biblën e Shenjtë, sipas një burimi të brendshëm të WEF, i cili zbulon se Papa dëshiron që versioni i ri ‘i kontrolluar nga faktet’ i Biblës të jetë shumë më politik, me një vend qendror për përparësia e natyrës dhe shumë më pak për Zotin”-shkruajnë përdorues në rrjetet sociale.

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Postimi shoqëron një video të kanalit “The people’s voice”, i verifikuar edhe më parë si një burim lajmesh jo të sakta dhe mbështetje për teoritë konspirative.

Por, a po planfikon WEF të rishkruajë Biblën, duke përdorur Inteligjencën Artificiale?

Në një verifikim të bërë nga kolegët e verifikimit të fakteve të “USA Today” rezulton se ideja e rishkrimit të librit të shenjtë të të krishterëve, e ka zanafillën në mesin e këtij viti, si një keqinterpretim i një përgjigjeje të profesorit izraelit Yuval Noah Harari, në lidhje me potencialin dhe rrezikun e përdorimit të Inteligjencës Artificiale.

Informacioni për rishkrimin e biblës, bazuar mbi këtë shembull të Hararit, fillimisht është publikuar nga “Slay News”, një faqe e  njohur edhe për dezinformatat e përhapura në lidhje me vaksinat e Covid-19.

Artikulli i “Slay News” pretendon se Yuval Noah Harari i ka bërë këto deklarata gjatë një interviste me gazetarin Pedro Pinto në Lisbonë të Portugalisë. Intervista është realizuar më 19 maj 2023 në Lisbonë dhe është publikuar më 6 qershor 2023 në kanalin e YouTube të Hararit.

Gjatë intervistës, Yuval Noah Harari thotë ndër të tjera se: “Inteligjenca artificiale (AI) është një teknologji ndryshe nga çdo shpikje tjetër e së kaluarës, sepse AI mund të marrë vendime dhe të krijojë ide të reja. Gutenberg shtypi Biblën në mesin e shekullit të 15-të. Shtypshkronja shtypi aq kopje të Biblës sa i kishte mësuar Gutenberg, por nuk krijoi një faqe të vetme të re. Ai nuk kishte asnjë ide të tijën për Biblën. Inteligjenca artificiale mund të krijojë ide të reja, madje mund të shkruajë një Bibël të re”.

Veç kësaj, Harari nuk është këshilltar apo punonjës i WEF dhe organizata ndërkombëtare nuk e ka miratuar përdorimin e AI për të shkruar një Bibël të re.

“Forumi Ekonomik Botëror kurrë nuk ka bërë thirrje që Inteligjenca Arrtificiale të rishkruajë Biblën. Këto janë pretendime të rreme për të diskredituar punën e rëndësishme që Forumi Ekonomik Botëror bën për sfidat serioze globale”- tha zëdhënësi i WEF, Yann Zopf për “USA Today

Nga kërkimi rezulton se Harari është autor dhe historian i Universitetit Hebraik të Jerusalemit. Një biografi e tij shfaqet në faqen e internetit të Forumit Ekonomik Botëror, por profesori nuk duket të ketë ndonjë pozicion zyrtar në fondacionin jofitimprurës me qendër në Zvicër.

Në dhjetor 2022, një zëdhënës i WEF i tha Reuters se Harari nuk ka lidhje me organizatën dhe se ekzistenca e një biografie të Hararit në faqen e internetit të WEF: “thjesht do të thotë se ai ka marrë pjesë në një nga aktivitetet  tona, por nuk punon për organizatën tonë”.

Duket edhe më e pamundur që të besohet “burimi anonim” që ka konfirmuar se Papa Francesku ka dhënë bekimin që bibla të rishkruhet në një format larg atij fetar, nga një organizatë jashtë Vatikanit, pa nisur më parë një proces të brendshëm apo debat publik me komunitetin e klerikëve dhe besimtarëve katolikë.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img