Bilanci i protestave, 269 të mitur u shoqëruan në polici

Sipas të dhënave të policisë, gjatë protestave janë shoqëruar 269 të mitur, ndërsa janë lënduar 347 persona në total, prej të cilëve 201 efektivë policie të plagosur.

22
Të rinj protestues përplasen me forcat e policisë te Ministria e Arsimit. Foto: Faktoje

Shoqërimi i 269 të miturve pas protestave dhe bilanci i lartë i personave të lënduar dhe të plagosur, është cilësuar si një situatë shqetësuese nga ministri i Brendshëm, Ervin Demo.

Në një deklaratë për mediat së bashku me drejtorin e Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ai tha se deri më tani janë shoqëruar me qindra të mitur nën moshën 18 vjeç, të dyshuar për akte të ndryshme dhune.

Ai nuk tha sa të arrestuar të mitur janë regjistruar, edhe pse disa ditë më parë Faktoje.al raportoi se sipas burimeve zyrtare, deri tani numri i tyre është 35.

“Të miturit janë përdorur nga organizatorët, të cilët i kanë vënë në vijë të parë të sulmit, duke qëndruar vetë pas. Shifrat e shoqërimit tregojnë se numri i tyre është shqetësues. Janë 269 të shoqëruar nën moshën 18 vjeç”.

Sipas Demos, kjo tregon “sfidën e madhe që kemi për të adresuar këtë plagë, që në fakt është një fenomen të cilit duhet t’i japim drejtimin e duhur. Për të miturit duhet të gjejmë rrugën, mbështetjen e duhur që ky fenomen të jetë një kujtim i hidhur i këtyre javëve të fundit”.

Krahas shoqërimeve, bilanci i protestave regjistron 347 persona të lënduar, shifër që pasqyron përmasat e situatës dhe pasojat e përplasjeve të regjistruara gjatë javëve të fundit.

Sipas të dhënave të bëra publike nga ministri Demo, 107 prej të lënduarve janë protestues, ndërsa 39 janë kalimtarë, përfshirë edhe gazetarë. 

“Këto shifra janë një kambanë alarmi sa i përket nivelit të dhunës dhe trajtimit proporcional që Policia e Shtetit ka bërë”, deklaroi Demo.

Ministri nënvizoi se qëndrimi i Ministrisë së Brendshme është garantimi i së drejtës kushtetuese për protestë, por njëkohësisht edhe respektimi i parimit të proporcionalitetit gjatë ndërhyrjeve policore.

Ai bëri të ditur se janë marrë masa ndaj punonjësve të policisë për të cilët ka dyshime lidhur me veprimet e kryera gjatë protestave.

“Policia e Shtetit ka ndërmarrë masat e duhura, 7 punonjës të pezulluar dhe nën hetim, por edhe AMP është duke punuar në dhjetëra raste që janë referuar nga qytetarë apo hetim për raste specifike”, u shpreh ai.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita (majtas) dhe ministri i Brendshëm, Ervin Demo

Duke bërë publike të dhënat mbi bilancin e protestave, Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, theksoi se janë 201 punonjës policie të dëmtuar dhe të plagosur gjatë ushtrimit të detyrës.

Sipas tij, strukturat policore kanë arritur të identifikojnë 52 persona të dyshuar për përfshirje në akte dhune, edhe pse ata kanë qenë të maskuar. 

Hita u ndal edhe te përfshirja e të miturve në protesta, duke iu drejtuar prindërve me thirrjen për të treguar kujdes të shtuar dhe për të mos lejuar që fëmijët e tyre të përfshihen në akte dhune.