Bonus mujor me kushte për pensionet nga 1 janari 2027

Nga 1 janari 2027, bonuset e pensioneve do të varen nga lloji i pensionit dhe kufijtë e të ardhurave

48
Pensionistë

Nga 1 janari 2027, pensionistët pritet të përfitojnë bonus mujor por me kushte, për aq kohë sa pensioni nuk u kalon tavanin e përcaktuar për kategorinë përkatëse.

Ministri i Financave Petrit Malaj, ndërsa prezantoi pr.buxhetin 2027, tha se për bonusin e pensioneve është parashikuar një fond prej 20 miliardë lekësh, ndërsa për indeksimin 1.35 miliardë lekë.

“Një nga prioritetet kryesore të qeverisë do të jetë mbështetja për moshën e tretë. Pensionet zënë një vend të veçantë në prioritetet e buxhetit përmes masave që synojnë të rrisin mbështetjen financiare për pensionistët dhe të përmirësojnë të ardhurat e tyre”, tha ai.

Edhe kryeministri Edi Rama theksoi një ditë më parë (29 tetor) se rritja ekonomike i ka krijuar mundësi qeverisë të zgjerojë rishpërndarjen, ndërsa përsëriti zotimin për dyfishimin e rritjes së pensioneve në çdo vit pasardhës deri në përfundim të mandatit të katërt.

“Pikërisht sepse ekonomia na e ka dhënë mundësinë jemi zotuar që në këtë rishpërndarje rritja e pensioneve të dyfishohet në çdo vit pasardhës deri në fund të mandatit të katërt. Në janar pensionistët do të riverifikojnë këtë zotim në pensionin e tyre të parë të vitit të ardhshëm, ku rritja e këtij viti do të jetë dyfishuar”, tha Rama.

Indeksimi i pensioneve parashikohet të kryhet në muajin prill 2027. Nga skema pritet të përfitojnë rreth 727 mijë pensionistë. 

Por bonusi, ndryshe nga sa mund të lihet të kuptohet nga qendrimet zyrtare se do të përmirësojë të ardhurat e tyre, nuk do të jetë i njëjtë për të gjitha kategoritë, pasi shuma do të përcaktohet në varësi të llojit të pensionit dhe kufijve të të ardhurave.  

Kushtëzimi i bonusit sipas tavanit të të ardhurave dhe jo si një rritje e përhershme e bazës së pensionit e kthen këtë masë më shumë në një instrument propagande sesa në një rritje dhe mbështetje të qëndrueshme financiare me qëllim përmirësimin e të ardhurave të tyre siç deklaroi ministri i Financave.    

Sa do të përfitojnë pensionistët nga bonusi i dyfishuar?

Sipas skemës, shtesat mujore ndahen sipas kategorive të pensionistëve dhe kufijve të përcaktuar për masën e pensionit.

Pensionistët që përfitojnë rritje 1.800 lekë në muaj janë personat që përfitojnë pension pleqërie, pension pleqërie si nënë me shumë fëmijë dhe pension për shkak të profesionit. Kushti është që pensioni të mos kalojë 40.000 lekë në muaj.

Pensionistët që përfitojnë rritje 800 lekë në muaj janë personat që përfitojnë pension pleqërie të pjesshëm dhe pension social. Kushti është që pensioni të mos kalojë 22.000 lekë në muaj. 

Pensionistët që përfitojnë rreth 1.000 lekë në muaj janë personat që përfitojnë pensione rurale dh ish-kooperativistët. Kushti është që pensioni të mos kalojë 18.000 lekë në muaj.

Pensionistët që përfitojnë 700 lekë në muaj janë personat që përfitojnë pensione familjare. Kushti është që pensioni të mos kalojë 18.000 lekë në muaj. Kushti është që pensioni të mos kalojë 18.000 lekë në muaj.

Pensionistët që përfitojnë 600 lekë në muaj janë personat që përfitojnë pensione invaliditeti. Kushti është që pensioni të mos kalojë 30.000 lekë në muaj. 

Artikulli paraprakPaketa Fiskale 2027, me njërën dorë lehtësime, me tjetrën taksa të reja
Megi Iskurti
Megi Iskurti ka përfunduar studimet bachelor në Shkenca Komunikimi/Gazetari dhe masterin shkencor në Marrëdhënie Ndërkombëtare. Është vlerësuar me certifikatë ekselence si studentja me rezultatet më të larta akademike në Departamentin e Gazetarisë në Kolegjin Universitar “Bedër”. Ka pesë vite përvojë në median online Gazeta Si, ku ka mbuluar kryesisht çështje të ekonomisë dhe gjeopolitikës. Në Faktoje.al merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Është gjithashtu fituese e disa çmimeve të para në konkurse të eseistikës, të folurit publik dhe në konferenca studentore.