BallinaTë pambajturaPorti i kroçierave në Durrës, asgjë gjurmë për nisjen e projektit

Porti i kroçierave në Durrës, asgjë gjurmë për nisjen e projektit

Numri i jahteve apo kroçerave që ankorohen përgjatë bregdetit shqiptar ka ardhur në rritje këto 3 vitet e fundit. Në portin e Durrësit, mungon struktura e dedikuar për këto lloj mjetesh edhe pse një projekt për terminalin e kroçerave është miratuar 5 vjet më parë. Vitin e kaluar ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Balluku premtoi nisjen e punimeve për këtë terminal, por nga verifkimi i Faktoje në muajt mars dhe në korrik rezulton se procesi nuk ka filluar edhe pse konsiderohet një projekt me potencial të madh për fuqizimin e turizmit .

Në 26 korrik të vitit të shkuar, kryeministri Rama dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Balluku ishin të pranishëm në nisjen e procesit për thellimin e portit të Durrësit, për ta përshtatur për anije të mëdha.

“Terminali i krocerave është i domosdoshëm, ai transformon komplet situatën dhe i hap rrugë një projekti të jashtëzakoshëm”- tha kryeministri Rama.

Kur mund të fillojë kjo?”- pyeti zoti Rama-ministren Balluku.

Ne shpresojmë që do të fillojë brenda vitit, pra jemi në përfundim të studimit të fizibilitetit, besojmë që brenda muajit nëntor do të nisë spostimi i të gjithë kontenierëve dhe i magazinës doganore që është aty për të nisur ndërtimi i terminalit të krocerave”-tha Balluku.

Faktoje pyeti përmes një kërkese për informacion Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë në mars të këtij viti, nëse punimet për ndërtimin e portit të kroçerave kishin nisur. Në përgjigjen zyrtare ministria shkruan:

Jo, nuk kanë filluar punimet për ndërtimin e portit të kroçerave në Durrës. Porti i Durrësit ka përpunuar dhe vazhdon te përpunojë anije kroçera duke sjellë një përfitim ekonomik si për portin e Durrësit ashtu edhe për ekonominë e qytetit te Durrësit. Aktualisht Porti i Durrësit është në fazën e studimit dhe hartimit të Master Planit te Portit.  Pas hartimit dhe miratimit te Master Planit do të vendoset për projektin dhe afatet e zhvillimit të tij.” 

Burime të Faktoje brenda Portit të Durrësit konfirmuan se deri më sot, punimet për projektin në fjalë  nuk kanë nisur.

Projekti i vitit 2015

Në 29 shtator 2015 u firmos kontrata konçesionare për Portin e ri të jahteve në Durrës.

Ministri i atëhershëm i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, tha se ky projekt kishte një rëndësi të madhe për industrinë e turizmit.

Ministri Haxhinasto, tha se investimi kap vlerën e 15 milion dollarëve, dhe parashikonte ndërtimin e infrastrukturës që do t’i shërbejë në masë të konsiderueshme turizmit.

Haxhinasto i konsideroi sinjale pozitive për ekonominë, interesin e madh të investitorëve të huaj dhe vendas për të zhvilluar fushën e marinave turistike.

“Projekti ka rëndësi sepse përveç investimit që arrin në 1,5 miliardë lekë të reja, rreth 15 milion dollarë, parashikon të ndërtojë  objekte të tjera në funksion të kësaj marine, si dhe të investojë në infrastrukturën që do i shërbejë këtij porti. Është një port i rëndësishëm, sepse së bashku me portet e tjera që po ndërtojmë në Shqipëri, do të ofrojë një sërë shërbimesh të rëndësishme në industrinë e turizmit”, tha Haxhinasto.

Megjithatë, ky projekt ende nuk është zbatuar dhe nuk dihet nëse do të zbatohet.

Jahtet në Shqipëri

Tre vitet e fundit kanë treguar se interesi për ankorimin e jahteve përgjatë bregdetit shqiptar ka ardhur duke u rritur. Gjatë vitit 2016 në kalatat e portit të Durrësit u ankoruan 218 jahte të përmasave të ndryshme.

Një vit më vonë ky numër arriti në 294 jahte gjithsej, ndërsa gjatë vitit 2019 jahtet që u ankoruan në Durrës regjistruan shifrën 380, ose 86 jahte më shumë se sa në vitin paraardhës.

Sipas statistikave zyrtare, 842 jahte vizituan Portin e Sarandës, në vitin 2017. Kjo shifër u rrit në 1007 për vitin 2018 dhe1575 gjatë 2019-s. Nga këto shifra bie në sy fakti se porti i Durrësit edhe pse është shumë herë më i madh se ai i Sarandës pret shumë më pak jahte dhe kroçera.

Shqipëria ka hyrë vitet e fundit në hartën e lundrimit të jahteve luksozë, kryesisht gjatë sezonit të verës. Megjithatë, të dhënat e “Knight Frank” tregojnë se Shqipëria është destinacioni i vetëm 3% të udhëtimeve verore të jahteve në Europë.

Mali i Zi merr 6% të totalit, Kroacia mbledh 8%, ndërsa Greqia, 9% të udhëtimeve verore të jahteve.

Italia, Franca, Spanja dhe Monako, me 19%, 16%, 12% dhe 11% rezultojnë të jenë në krye të listës europiane të destinacioneve të preferuara të jahteve.

Heqja e TVSH-së për jahtet

Parlamenti shqiptar miratoi në 14 maj të këtij vitit projektligjin që përjashton nga TVSH-ja të gjithë ata që do të blejnë nga jashtë jahte dhe mjete të tjera ujore për qëllime turizmi dhe argëtimi.

Siç thuhet në projektligj, do të përjashtohen nga tatimi mbi vlerën e shtuar “Importimi i jahteve dhe mjeteve të tjera ujore, që përdoren për qëllime turistike, kënaqësie dhe argëtimi, jo më të vjetra se 20 vjet, që përfshihen në kodin 8903, të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave.”

Ministri i Turizmit Blendi Klosi tha se kjo industri mungon në vendin tonë dhe me lehtësimet fiskale i hapet mundësia bizneseve të investojnë.

“Nuk ka asnjë humbje në buxhetin e shteti pasi kjo industri nuk ekziston tek ne. Me këtë ne synojmë të ngremë këtë industri dhe të bëhemi konkurrentë me fqinjët tanë. Na duhet një paketë lehtësirash fiskale në mënyrë që në Shqipëri të gjendet vend për ngritjen e një industrie të detit, që do të hapë vende të reja pune. Do të krijojmë një flotë me flamurin e saj me jahte që janë evropiane që kërkojnë të ç’doganohen në Shqipëri dhe për këtë duhet të ngremë një politikë të re për ngritjen e një industrie të re”- tha Klosi.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img