BallinaTë pambajturaShlyerja e detyrimeve të prapambetura, Rama shkeli premtimin e 2013-s

Shlyerja e detyrimeve të prapambetura, Rama shkeli premtimin e 2013-s

Në vitin 2013, sapo kishte fituar mandatin, kryeministri Rama premtoi zgjidhjen e situatës me borxhin e fshehur ndaj biznesit, i njohur si detyrimet e prapambetura. Qeveria e konsideroi prioritare shlyerjen e këtij borxhi brenda vitit 2017, në bashkëpunim të ngushtë me FMN. Ndërsa po kërkon mandatin e tretë qeverisës, rezulton se kryeministri Rama nuk e ka përmbushur këtë premtim as në mandatin e parë dhe as në të dytin. Për ironi, vetë FMN ‘nënvizon’ në një raport të nëntorit 2020, ende nevojën për parandalimin e detyrimeve të prapambetura të reja.


Duke folur në konferencën me temë “Perspektivat e biznesit në Evropën Juglindore”, mbajtur në shtator 2013, kryeministri Rama theksoi:

Kemi nevojë për një ndryshim të strukturës ekonomike. E gjithë ekonomia ka një zinxhir borxhi, të cilin ne duhet ta shlyejmë. Ne nuk mund dot të vazhdojmë të bashkëjetojmë me këtë ngërç të krijuar nga borxhi ndaj sektorit privat. Është një borxh që e ka futur të gjithë ekonominë në ngërç. Po përgatitemi që një orë e më parë ta shlyejmë këtë borxh. Nuk mund të bëjmë sikur ky borxh nuk ekziston, nuk mundet tua lemë kompanive që po asfiksohen. Ne do ta shlyejmë këtë borxh me çfarëdo kosto.

Sipas vlerësimit të qeverisë, ky borxh ndaj biznesit, kapi një vlerë prej 72.57 mld lekë. Për të adresuar problematikën, qeveria hartoi “Strategjinë për Parandalimin dhe Shlyerjen e Detyrimeve të Prapambetura dhe Planin e Veprimit”.

Përveç shlyerjes së detyrimeve, objektiv ishte edhe forcimi i disiplinës financiare për të parandaluar akumulimin e detyrimeve të prapambetura në të ardhmen.

Burimi: Strategjia për Parandalimin dhe Shlyerjen e Detyrimeve të Prapambetura dhe Plani i Veprimit

Angazhimi për të shlyer dhe mos krijuar më detyrime të prapambetura u përfshi edhe në “Strategjinë e Menaxhimit të Financave Publike 2014 -2020”.

Si pjesë e marrëveshjes me FMN-në, qeveria është e angazhuar për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura ekzistuese në një mënyrë të rregullt periodike dhe në marrjen e masave të nevojshme për të shmangur në të ardhmen detyrimet e reja të prapambetura.”

Sipas Treguesve te monitorimit, synimi për vitin 2017 e më pas, ishte zero detyrime te parapambetura.

*Burimi: Startegjia e Menaxhimit te Financave Publike 2014-2020

Por a u përmbushën këto angazhime, deri në fund të vitit 2019 apo më pas në 2020-n, kur u shfaq kriza ekonomike nga COVID dhe bizneset vendase u përballën me sfida?

raportin e monitorimit të FMN, botuar në 30 nëntor 2020, vijon të theksohet nevoja për parandalimin e detyrimeve të prapambetura të reja.

Burimi: FMN

Nga grafiku më lart, që ilustron raportin e FMN, konstatojmë se detyrimet e prapametura në fund të vitit 2017 e më pas, nuk janë zero, siç u zotua qeveria Rama (në grafik shihet ulje nga 2014 deri 2016, dhe një rritje në 2017 e në vijim).

Nga verifikimi që kryem dhe nga informacioni i grumbulluar, vendosëm që premtimin e kryeministrit Rama për shlyerjen e plotë të detyrimeve  të prapambetura dhe parandalimin e krijimit të detyrimeve të reja, ta kategorizojmë Premtim të Pambajtur.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img